Nuk ka asnjë dyshim që projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline do të jetë domethënës për Investimet e Huaja Direkte për Shqipërinë, veçanërisht për vitin 2017.
Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë treguan se investimet për gazsjellësin TAP sollën rreth 40% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte për vitin 2016, duke amortizuar tkurrjen e ndjeshme të industrisë nxjerrëse.
Më herët, edhe agjencia vlerësuese Standard & Poor’s (S&P) për Shqipërinë, vlerësoi se duke qenë se pjesa më e madhe e projektit TAP do të ekzekutohet në 2017, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) do të arrijë në mbi 11% të PBB-së në 2017-n. Flukse të tjera hyrëse të investimeve të huaja janë të lidhura me sektorin e energjisë, veçanërisht projektet në ndërtimin e hidrocentraleve”.
Sipas S&P, investimet në raport me PBB-në në 2017-n pritet të arrijnë në 11.2%, nga 9.5% në 2016-n, ndërsa më pas do të bien në 10% të PBB-së në 2019-2020.
Por, S&P paralajmëron se kjo rritje po vjen si rrjedhojë e projekteve të mëdha dhe që vendi duhet të bëjë përpjekje për të tërhequr investime të tjera.
TAP pritet të investojë në Shqipëri rreth 1.5 miliardë euro.
Përqendrimi më i madh i tyre do të jetë në 2017-n, kur pritet të arrijnë nga 400-450 milionë euro, shumë kjo e barabartë me gati gjysmën e investimeve të huaja që merr Shqipëria mesatarisht në një vit.
Por, çfarë thonë ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare në lidhje me ndikimin e këtij projekti të madh, që e fut për herë të parë Shqipërinë në hartën botërore të gazit? Cili është opinioni i tyre në lidhje me ndikimin në ekonomi dhe nevojat që ne kemi për investime me vlerë të shtuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.