Zbuloni bregdetin e bukur të Detit Mesdhe dhe Egje në jugperëndim të Turqisë. Që nga vendi idilik i pushimeve Cirali e deri te rrethinat historike të Kas dhe Dalyan, këtu do të kaloni pushime të paharrueshme, ku çdokush gjen atë që dëshiron të shohë.
Cirali
Cirali është një fshat bregdetar si asnjë tjetër. Thellë rrëzë kodrave të malit Olympos, ky fshat i vogël është mbushur me rezorte të rrethuar nga kopshte fantastike, ku spikasin lulëkuqet e egra, palmat, shegët dhe fazanët e bukur. Përfytyroni një rezort alpin gjatë verës ku shtohet edhe magjia e plazhit dhe do të përballeni me vetë Cirali. Nëse këmbët tuaja u rezistojnë guralecëve, noti në ujin e Detit Mesdhe do t’ju ofrojë kënaqësi pafund.
Gjatë qëndrimit tuaj në këtë vend përrallor, duhet të vizitoni patjetër malin Olympos. Këtu gjendet një qytet antik Lycian, që daton që nga shekulli II para Krishtit. Olympos gjendet në mes të një lugine të bukur, e cila drejtohet direkt në Detin Mesdhe. Bëni kujdes për breshkat që notojnë në përrenj gumëzhitës dhe lulëkuqet që rriten në çdo cep të vendit teksa ecni nëpër gërmadhat antike romake. Chimaera është gjithashtu një vend që ia vlen të shikohet, një masë e madhe që digjet prej disa shkëmbinjve në malin Olympus. Vishni këpucë të rehatshme, pasi rruga prej 2 kilometrash në ngjitje është shumë e thepisur.
Fillimi i muajit maj është koha ideale për të vizituar Cirali, pasi gjatë verës këtu ka njerëz pafund.
Ju rekomandojmë të provoni ushqimin në restorantet e troftës gjatë rrugës tuaj në ngjitje ose zbritje të malit në Ulupinar.
Kas
Fshati bregdetar Kas është i famshëm për turizëm në Turqi. Gjatë muajve të ngrohtë të vitit, këtu vërshojnë zhytësit me palombar, adhuruesit e delta-plan, adhuruesit e garave me kayak, etj. Rrugët me kalldrëm do t’ju mahnisin dhe do të befasoheni gjithashtu nga aroma e jaseminit dhe bukenvileve nëpër shtëpi, si dhe macet e përgjumura kudo nëpër pragje shtëpish e nëpër qytet. Këtu do të gjeni gjithashtu shumë restorante, dyqane dhe butikë të këndshëm!
Për një udhëtim të shkurtër ditor, mund të bëni një xhiro me traget në ishullin grek Meis (Kastellorizo) ku mund të shijoni ushqimet tradicionale greke, si musaka dhe levrek zgare të shijshëm. Për të pasionuarit pas historisë rekomandohet një xhiro me kayak në qytetin plot diell në afërsi të Kas, Kekova.
Muajt e verës janë shumë të nxehtë në Kas dhe nëse e vizitoni këtë vend gjatë verës, përgatituni për një vapë të padurueshme. Nëse ju pëlqejnë serviset e kuzhinës, enët e kuzhinës, objektet antike dhe bizhuteritë, vizitoni butikun e famshëm në adresën: Uzunçar No: 21, Kas.
Ölüdeniz
Nëse keni vendosur të vizitoni lagunën e Ölüdeniz, aty do të kaloni momente të paharrueshme. 15 kilometra në juglindje të Fethiye, kjo mrekulli natyrore mund të jetë një nga vendet më të fotografuara në botë.
Dalyan
Me vendndodhje në perëndimin e largët të bregdetit të bruztë, Dalyan është vendi ku mund të shihni breshka deti me shumicë, histori antike dhe ku mund të provoni banjo në baltë. Rrethuar nga male me pisha dhe fusha pambuku, ky qytet i vogël me rezorte turistike është një vend i mrekullueshëm. Ju sugjerojmë të vizitoni varret antike në shkëmb, që datojnë që nga shekulli IV, të vëzhgoni jetesën e breshkave të detit dhe të bëni zhytje në banjo prej balte squfuri (ku mbizotëron edhe era e squfurit).
Rekomandoheni të merrni ujë me vete, pasi në banjat me baltë të Dalyan, uji është shumë i kushtueshëm.