Flet Radmilo Vlacic, Menaxher i Përgjithshëm i Philip Morris Albania dhe Zv/President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri
“Nëse duam një klimë tërheqëse dhe të qëndrueshme biznesi, së pari, çfarë na duhet, është përfshirje më reale dhe më e strukturuar e komunitetit të biznesit dhe investitorëve të huaj, në proceset kyçe të vendimmarrjes”.
Në një intervistë për Monitor, Radmilo Vlacic, Menaxher i Përgjithshëm i Philip Morris Albania, që sapo është zgjedhur edhe Zv/President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri jep disa sugjerime se si mund të përmirësohet klima e biznesit, pasi indeksi i fundit i Dhomës Amerikane tregoi një rënie të tij për vitin 2017. Ai shton se Shqipëria, përtej industrive tradicionale, duhet të eksplorojë industri ‘niche’, moderne dhe krijuese, për ta bërë vendin më konkurrues në skenën globale.
Me zgjedhjen tuaj si Zv/President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, cilat do të jenë pikat kryesore ku do të fokusohet kontributi juaj?
Së pari, do të doja të krijonim ide të reja, në kontribut të zhvillimit të mëtejshëm të bizneseve tona. Ne kemi kaq shumë diversitet brenda organizatës, kaq shumë ide, njerëz me përvoja të ndryshme personale dhe profesionale, njerëz nga kultura të ndryshme. Do të doja që të gjithë anëtarët të sjellin diçka në tryezë, për të inkurajuar shkëmbimin e mendimeve novatore dhe perspektivave të reja me njëri-tjetrin.
Së dyti, të eliminojmë sa më shumë pengesa ndaj biznesit. Plani im është të punoj sa më pranë me çdo kompani anëtare për t’i mbështetur në krijimin e zgjidhjeve të përshtatshme për vështirësitë që ata, dhe ne të gjithë, mund të përballemi çdo ditë në Shqipëri.
Së fundmi, sigurisht është qëllimi për ta bërë organizatën sa më influencuese në kontributin e saj, për të krijuar një ambient të qëndrueshëm ekonomik dhe ligjor, mbështetur nga qeverisja e mirë, transparenca, parashikueshmëria dhe disponibiliteti ekonomik.
Indeksi i fundit i Dhomës Amerikane tregoi një përkeqësim të pjesës më të madhe të treguesve. Si e shpjegoni këtë rënie?
i Biznesit i AmCham shënoi një rënie prej 1.33 pikësh, nga 43.78 në vitin 2016, në 42.45 për vitin 2017. Mes shqetësimeve kryesore që anëtarët tanë nënvizuan në këtë raport dhe që unë do t’i adresoja si “arsyet pas këtyre shifrave”, janë çështjet me burokracinë në qeveri, nivelet e taksave, niveli i informalitetit që krijon konkurrencë të padrejtë dhe mungesa e stafit të kualifikuar. Rënia është e vogël në këto momente, por e vështirë për ta injoruar, kështu që ne, si AmCham, po kërkojmë të zhvillojmë më tej, bashkëpunimin konkret dhe të mbështesim reformat e nevojshme të qeverisë, për të kaluar këtë hendek.
Çfarë masash rekomandoni që të ndjekë qeveria në mënyrë që në indeksin e vitit të ardhshëm të shohim një përmirësim të besimit?
duam një klimë tërheqëse dhe të qëndrueshme biznesi, së pari, çfarë na duhet, është përfshirje më reale dhe më e strukturuar e komunitetit të biznesit dhe investitorëve të huaj, në proceset kyçe të vendimmarrjes.
Atëherë së bashku mund të punojmë efektivisht në hapat e mëtejshëm, si formalizimi i tregtisë, që është edhe çështje me interes të përbashkët.
Për bizneset, kjo do të thotë klimë më e sigurt për të operuar, që do të çojë në rritje të biznesit dhe të ardhura më të mëdha; ndërsa për qeverinë, rritja e të ardhurave do të jetë në interes të të gjithë shtetit.
Gjithashtu, ndërkohë që qeveria ka nisur reformat në arsimin profesional, nevojat rriten dhe investitorët e huaj janë të hapur të kontribuojnë me kompetencë në të ardhmen e kualifikimit të profesionistëve. Përtej qeverisë, akoma më shumë pritet nga organet e pavarura rregullatore.
Cilët do të vlerësoni si sektorët që kanë potencial zhvillimi në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë për t’i nxitur ata?
Duke qenë një vend mesdhetar, me gjithë kufirin perëndimor që laget nga deti dhe që vazhdimisht tërheq turistë në rritje, zhvillimi i turizmit merr një theks të veçantë në rastin e Shqipërisë.
Në fakt, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri, është rritur me më shumë se 300% në dekadën e fundit. Kjo është një arritje e madhe, dhe në mënyrë që këta 5.1 milionë turistë të kënaqur, që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar, të përhapin fjalën e mirë dhe të kthehen sërish, Shqipëria ka nevojë për arritje të mëtejshme, duke zhvilluar infrastrukturën e nevojshme. Dhe jo vetëm të nevojshme, por të ketë fokus të veçantë në infrastrukturën që do të akomodojë turistë që shpenzojnë, siç mund të jenë resortet me 5 yje dhe portet e jahteve në zona të veçanta të bregdetit.
Ky është një sektor ku bashkëpunimi intensiv është i nevojshëm jo vetëm mes qeverisjes dhe sipërmarrësve, por edhe mes industrive të ndryshme. Për shembull, turizmi dhe bujqësia mund të ecin krah për krah. Shqipëria është e pasur me burime ujore, si dhe ka një klimë të favorshme me rreth 280 ditë diell në vit. Dhe këtu hasim një çështje të njohur, adresimi i së cilës duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen – fragmentimi i tokës dhe e drejta e pronës, që janë ende sfida që dekurajojnë investimet.
Por kjo është vetëm për çfarë është evidente. Mendoj që Shqipëria, përtej industrive tradicionale, duhet të eksplorojë industri ‘niche’, moderne dhe krijuese, për ta bërë vendin më konkurrues në skenën globale. Tani është e mundur, pasi teknologjia demokratizon mundësitë. Dhe sepse investitorët e huaj janë këtu për të treguar rrugën dhe për të kontribuar me idetë e tyre, përvojën dhe transformimin që po aplikojnë dhe në fushat e tyre.
Prej sa kohësh jeni në Shqipëri? Mund të na jepni përshtypjen tuaj mbi vendin, njerëzit, punonjësit dhe disa avantazhe apo disavantazhe që ofron Shqipëria në kontekstin e të bërit biznes?
Unë kam ardhur këtu në fund të 2016. E mbaj mend mirë se sa ndryshe ishte Shqipëria dhe veçanërisht Tirana, nga vizita ime e fundit në vitin 2013, në maksimumin e kuptimit pozitiv. Rrugë të reja, godina, ambiente të hapura më lanë një përshtypje vërtet shumë të mirë. Edhe pse kisha qenë më parë, pasi kalova disa javë, fillova të kisha ndjesinë mesdhetare që të rrethon kudo.
I përmenda ditët me diell më parë. Kjo është mbi 70% mundësi që të ketë mot të bukur kur zgjohesh dhe bëhesh gati për t’u zhytur në punët e përditshme. Siç thotë dhe fjala e urtë shqiptare: Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Kjo atmosferë ndikon në çdo gjë, përfshirë edhe marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Shqiptarët janë shumë të gjallë dhe kjo reflektohet edhe në marrëdhëniet në punë.
Nuk mund ta fsheh krenarinë që kam për skuadrën time shqiptare. Zbulova tek ata, profesionistë të formuar dhe me dëshirë të madhe për të punuar, që vendosin standarde të reja dhe shënojnë arritje kyçe. Në zyrën tonë në Tiranë, çdo individ është personazh unik: aty punojnë së bashku personi që ka parë të ndërtohej në ditët e para PM Albania dhe profesionisti i ri që vjen nga bankat e shkollës. Dhe bëjnë një skuadër fantastike!
Kur vjen çështja te biznesi, duhet pasur parasysh që Shqipëria është duke përparuar në shumë mënyra dhe është e dukshme jo vetëm për mua, por dhe për të huajt e tjerë në Shqipëri. Më pëlqen shumë krahasimi për të parë sa hapa të mëdhenj Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit. Sigurisht, përmirësimi është më i thjeshtë nga një nivel më i ulët sesa të përparosh nga një nivel i lartë dhe në mënyrë që të nxitet ky progres, ka ende shumë gjëra për të bërë, një pjesë prej të cilave e përmenda.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.