Eksportet bëjnë kthesën, rriten 10.5% në nëntor; “Bum” i industrisë automotive, dobët tekstilet

17/12/2020 12:01 PM 0 komente

Eksportet janë rritur ndjeshëm në muajin nëntor, duke shënuar ecurinë më të mirë që pas fillimit të pandemisë, të ndikuara nga zgjerimi i industrisë automotive në vend dhe përmirësimi i konjukturës së çmimeve ndërkombëtare që ka nxitur industrinë e metaleve dhe të naftës, ndërsa ka vijuar ecuria e mirë e produkteve bujqësore.

Ndërsa tekstilet dhe këpucët kanë vijuar tendencën rënëse, të ndikuara nga karantina e dytë që po zbatojnë shumë shtete në Europë.

Sipas të dhënave të INSTAT, Në Nëntor2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 10,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 1,7%, në krahasim me Tetor 2020.

Megjithatë, për shkak të ecurisë së dobët në muajt pas pandemisë, në njëmbëdhjetëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 249 miliardë lekë, duke u ulur me 10,1% me bazë vjetore.

Bumi i industrisë automotive, eksportet u rritën me 63% në nëntor

Eksportet e grupit “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, shënuan një rritje të fortë në nëntor, me 62.8%, duke qenë grupi me ecurinë më të mirë dhe duke ndikuar në gati 43% të rritjes së eksporteve në total për ketë muaj. Ky grup e ka tejkaluar edhe krizën e pas pandemisë, duke u rritur me 4.5% për 11 mujorin, për të arritur në 20.7 miliardë lekë, ose 8.3% të totalit (për nëntorin, pesha ishte 10%).

Rritja e peshës së automotiveve në tërësi tek eksportet e grupit ku bëjnë pjesë vjen së pari vjen si efekt i hapjes së dy fabrikave të reja gjatë këtij viti. E para është koreano-jugorja Yura Corporartion në zonën e Fierit dhe e dyta japonezja Sews Cabind Albania në Tiranë. Nisja e prodhimit në këto dy fabrika me disa qindra të punësuar ka dhënë efekt pozitiv në eksporte duke amortizuar edhe rënien e mundshme të kompanive të tjera aktive. Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group Albania shprehet se pavarësisht pandemisë puna i është kthyr ritmit dhe viti do të mbyllet ndoshta me 20 për qind më pak buxhetim në raport me planin fillestar.

Agim Zeneli, Menaxher Logjistike, “Forschner Albania” tha se viti 2020, në aspektin e prodhimit dhe kërkesave të klientëve parashikohet të mbyllet sipas planit të fillimit. “Është i njëjti plan kur situata e pandemisë nuk kishte ndikim në Shqipëri por edhe në vendet ku ne eksportojmë dhe furnizojmë zinxhirin e sektorit automotiv si Gjermania, Franca, Spanja, India, Çekia. Kjo do të thotë se Forschner ka punuar me kapacitet të plotë për të plotësuar kërkesat e klientëve, dhe me një numër punonjësish në rritje progresive të lehtë. Krahasuar me periudhën e pranverës (lock-down) aktualisht, në numër punonjësish kemi një rritje prej 10% e cila përkthehet në më shumë prodhim për t’ju përgjigjur kërkesave të klientëve” nënvizon ai.

Tekstilet mbeten dobët

Eksportet e tekstileve e këpucëve, grupi më i madh i eksportuar në vend, vijuan të kenë një tendencë negative edhe në nëntor, duke u tkurrur me 3.5%. Për 11 mujorin, ky grup është tkurrur me 14.4%, në 93.4 miliardë lekë, duke ndikuar në më shumë se gjysmën e rënies së shitjeve jashtë vendit.

Pesha e eksporteve të tekstileve është ulur në 38% të totalit, nga 40% që ishte në 11 mujorin 2019.

Eksportuesit pohojnë se ata po vijojnë të ndikohen negativisht nga karantina e dytë që po zbatojnë shumë shtete të Europës, sidomos Italia, çka ka ulur shitjet e veshjeve dhe këpucëve nga konsumatorët. Më e ndjeshme është kjo rënie tek këpucët.

Mineralet e lëndët djegëse rriten me 14.5%

Eksportet e minerale, lëndë djegëse energji u rritën me 14.5% në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Burime nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, thanë se shitjet janë favorizuar nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, që i ka kaluar 50 dollarë për fuçi.

Por, për 11 mujorin, ky grup mbetet me rënie të fortë prej gati 20%.

Përmirësohen dhe metalet, rriten me 26%

Eksportet e “Materiale Ndërtimi, metale”, vijuan performancën pozitive edhe në nëntor, duke u rritur me 26% me bazë vjetore. Burime nga prodhuesi i çelikut Kurum ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend thanë se nga gushti e në vazhdim shitjet kanë qenë në rritje dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë. Krahas shtimit të kërkesës nga vendte e rajonit ka pasur dhe rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, duke favorizuar kompaninë. Por Kurum po vuan vonesat në rimbursimin e TVSH-së nga ana e qeverisë, çka ka penguar aktivitetin. “Që nga janari nuk na është rimburuar fare TVSH, pavarësisht shumave të konsiderueshme të miratuara për rimbursim, rreth 900 milionë lekë”, thanë burime nga kompania.

Për 11 mujorin, ky grup ka rënë me gati 12%.

Ushqimet vijojnë tendencën pozitive

Grupi që nuk e ka ndier pandeminë është ai i ushqimeve, pijeve e duhanit, që vijoi tendencën pozitive edhe në nëntor (+13.2%). Ky është grupi me rritjen më të madhe për 11 mujorin, me 10.1%. Prodhimi ka vijuar i pashqetësuar nga pandemia, edhe kërkesa ka qenë e lartë, ndërsa janë shtuar dhe destinacionet e eksportit, kryesisht në vendet nordike.

Deficiti në ulje

Në njëmbëdhjetëmujorin  e 2020eksportet  e  mallrave  arritën  vlerën 249mld  lekë,  duke  u ulur me 10,1%, krahasuar  me  një  vit më  parë  dhe  importet  e  mallrave  arritën  vlerën 544mld  lekë,  duke  u ulur  me 8,4%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 295mld lekë, duke u ulur me 6,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

 

Eksportet drejt Gjermanisë shënuan rritjen më të madhe

Sipas INSTAT, më muajin Nëntor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Nëntor2019janë: Italia (0,2%),Kosova(16,7%) dhe Greqia(32,4%). Ndërsa vendet me të  cilat  eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja (35,5%), Hungaria(45,2%) dhe Suedia(48,5%).Gjatë  këtij njëmbëdhjetëmujori  vendet  me  të  cilët  Shqipëria  ka  pasur  rritje  më  të  madhe  të  eksporteve,  në krahasim me një vit më parë janë: Gjermania (14,6%), Greqia (3,1 %) dhe  Maqedonia e Veriut (1,9%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (15,0%), Kosova (14,7%) dhe Spanja (25,5%).

Në muajin Nëntor2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Nëntor 2019 janë: Italia (9,1%), Kina (10,7%) dhe Greqia (29,6%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Turqia (16,0%), Gjermania (4,3%) dhe Franca(15,6%). Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, vendet  me  të  cilët  Shqipëria  ka  pasur  rritje  më  të  madhe  të  importeve, në krahasim me një vit më parë janë: Gjermania(0,3%),Serbia(36,9%)dhe Rusia (20,1%).Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (9,7%),Turqia(5,9 %) dhe Greqia (3,1%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 64,2%, të gjithë tregtisë. Në Nëntor 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,4% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58,6% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,6%), Greqia (7,6%), Kina (7,4%) dhe Turqia (6,7 %). Shkëmbimet tregtare, për njëmbëdhjetëmujorin e 2020, me vendet e BE-së zënë 63,3% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar –Nëntor 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,5%), Greqia (7,7%), Gjermania (7,2%) dheTurqia (6,8%).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of