Eksportet bien 3.6% për 5 mujorin

17/06/2019 12:09 PM 0 komente

Në pesë muajt e parë të këtij viti u shitën jashtë vendit mallra me vlerë 127 miliardë lekë, me një  rënie prej 3.6% në raport me janar-majin e 2018-s.

Kjo ecuri ishte e ndikuar nga performanca e dobët e tre grupeve kryesore, tekstile e këpucë, lëndë djegëse e energji dhe grupi i materialeve të ndërtimit e metaleve, ndërsa pozitivisht ndikuan makineritë e pjesët e  këmbimit dhe ushqimet.

Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse, en,el,” shënuan një rënie prej 24%, të ndikuara nga rënia e eksporteve të energjisë, pasi ndryshe nga viti i kaluar, muajt e parë të këtij viti kanë qenë të thatë dhe nga fakti që eksportuesi më i madh në vend, Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të patos Marinzës, ka shitur më shumë naftë brenda vendit, për shkak të marrëveshjen që ka me sipërmarrjen që shfrytëzon rafinerinë ARMO, çka ka ndikuar në uljen e eksporteve.

Për 5 mujorin, grupi i tekstileve dhe këpucëve, që është më i madhi me gati 41% të totalit të eksporteve ka shitur jashtë 51.6 miliardë lekë mallra, me një rënie prej 1.9%. Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve, tha se për shkak të efekteve negative që dha nënçmimi i euros në këmbim me lekun, fitimet e kompanive ranë me gati 15% gjatë vitit të fundit. Zekja ka të dhëna se, është stepur rinovimi i kontratave, edhe për shkak të çmimeve më të larta që po kërkojnë fasonistët. Zekja pohon se muajt e fundit kanë dalë në shitje shumë ndërmarrje të mesme dhe të vogla në sektorin fason me 20-40 punëtorë. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt do të ketë efekt domino, me pasoja katastrofike, tha ai.

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve ishin ishin 20.4 miliardë lekë, me një rënië prej 9.6% me bazë vjetore. Burime nga Kurum, eksportuesi më i madh i këtij grupi, thanë se në dy muajt e parë të vitit, kompania uli eksportet për shkak të motit të keq dhe remontit në fabrikë, por tashmë ajo ka rifilluar normalisht aktivitetin. Një rritje të ndjeshme kanë shënuar eksportet e kësaj kompanie drejt Kosovës. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i fabrikës së përpunimit të çelikut Kurum, një prej eksportuesve më të mëdhenj në vend, pohon se rritja është ndikuar nga vendosja e taksës 100%, jo me Serbinë, por me Bosnjë Hercegovinën. “I vetmi konkurrent i yni në Kosovë ishte fabrika e Zenicës nga Bosnja, që është pjesë e e industrisë Arcelor Mittal”, pohon Shkalla. “Në momentin që u vendos taksa, importuesit e Kosovës u kthyen tek ne”. Ai pohon se kërkesa nga Kosova është rritur menjëherë me 15-20%. Ecuria pritet pozitive në muajt në vijim, për shkak të kërkesës sështuar nga partnerët e Kosovës.

Me rritje të ndjeshëm për 5 mujorin janë eksportet e Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, me 30.4%, duke arritur në 7% të totalit të eksporteve, teksa janë shtuar investimet në kompanitë që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimi për automjete. Industria mbështetëse automotive po njeh zgjerim në tregun shqiptar. Gjermanët e “Forschner” pritet që të nisin punë së shpejti në fabrikën e tretë të saj, ndërkohë që edhe “PSZ Albania” ka vite që operon. Së fundmi, industrisë i janë shtuar edhe francezët e “Delmon Group”, me një fabrikë në Elbasan, kurse koreanët e “Yura” gjatë këtij viti pritet të vendosen në Fier pas një epopeje 2-vjeçare zvarritjeje.

 

Në rritje të ndjeshme ishin dhe eksportet e Ushqime, pije, duhan, që u zgjeruan me 12.3%, duke përbërë 11% të totalit të eksporteve në vend për 5 mujorin.

Sipas INSTAT, Eksportet, gjatë këtij pesëmujori janë ulur me -3,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,7 pikë përqindje,  “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë”  me -0,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi:  “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.

 

Rritet deficiti

Në pesëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 127 mld lekë, duke u ulur me 3,6 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 264 mld lekë, duke u rritur me 3,4 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 137 mld lekë, duke u rritur me 10,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

 

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Maj 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2018 janë: Kosova (13,6 %), Gjermania (16,9 %), dhe Kina (140,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-1,3 %), Spanja (-27,4 %) dhe Greqia (-2,2 %).

Gjatë këtij pesërmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (40,1 %), Gjermani (0,5 %), dhe Maqedonia e Veriut (7,8 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-1,1 %), Spanja (-25,8 %) dhe Greqi (-7,8 %).

Në muajin Maj 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2018 janë: Kina (18,7 %),  Turqia (96,1 %), dhe Greqia (25,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-12,6%), Spanja (-43,1 %)  dhe Maqedonia e Veriut (-11,2 %).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of