Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se mungesa e stafit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka bërë që në disa pika doganore të bëhet kalimi në eksport apo tranzitim produktesh pa praninë e tyre, një kusht që e kërkon ligji për çështje të sigurisë. Në një raport të gjatë mbi aktivitetin e AKU në vitet 2017-2018 KLSH nënvizon se janë disa pika doganore nga ku janë kryer mijëra kalime të pakontrolluara. “Në DRAKU(Drejtoria rajonale e AKU) /Kukës (PIK Morinë), nga inspektorët e AKU, në asnjë rast nuk janë kryer procedura eksporti. Nga të dhënat e kësaj Dogane, për periudhën Janar 2017 deri Gusht 2018 janë kryer rreth 4200 kalime ose praktika eksporti, pa miratimin e inspektoreve të AKU. E njëjta situatë, konstatohet në DRAKU/Shkodër (PIK Hani Hotit) ku nga të dhënat e Doganës, rezulton se janë kryer rreth 4000 kalime ( praktika eksporti) pa miratimin e inspektorëve të AKU. Gjithashtu e njëjta situatë, pa miratimin e inspektorëve të AKU, është edhe PIK/Porti Durrës” thuhet në raportin e KLSH.
I njëjti nënvizon se përveç aspekteve dhe detyrimeve në fushën e sigurisë ushqimore, mos paraqitja e subjekteve pranë inspektorëve të AKU dhe kryerja e procedurave doganore pa kryer procedura Inspektorët e AKU, pra pa miratimin e tyre, ka sjellë edhe mungesën e të ardhurave.
Lidhur me këtë situatë KLSH ka rekomanduar tre masa ku së pari nga AKU në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë të miratohet dokumenti i kontrollit ( Akt-Kontrolli ose Proces-Verbal), format tip, për inspektimin në rastet e eksporteve dhe tranzitimit të produkteve. I vetmi dokument që lëshohet, në raste kur subjektet paraqiten pranë inspektorëve të AKU, përpara se të kryejnë veprimet doganore të eksportit, është fatura për arkëtim, faturë e cila lëshohet për efekt të pagesës në Bankë, të tarifës.
Së dyti nga AKU të intensifikohet bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë për miratimin në lidhje me tarifën e certifikatës së eksportit drejt Kosovës dhe Maqedonisë, megjithëse nga AKU, është paraqitur propozimi referuar kostos.
Së treti nga AKU të intensifikohet bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për ndërprerjen e praktikës së kryerjes se procedurave të eksportit pa praninë e inspektorëve të AKU-s dhe miratimin e inspektorëve të AKU, e cila cënon aspekte dhe detyrimeve në fushën e sigurisë ushqimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.