Eksportet e Kinës ranë në dy muajt e parë të vitit pasi shpërthimi i koronavirusit ndërpreu zinxhirët e furnizimit global, dëmtoi aktivitetin e biznesit dhe bllokoi transportin në ekonominë e dytë më të madhe në botë, shkruan Financial Times.
Eksportet e përgjithshme të Kinës u tkurrën me 17.2 përqind në janar dhe shkurt, më shumë sesa pritej nga ekonomistët e anketuar nga Bloomberg. Importet ranë me 4 përqind. Kina regjistroi një deficit tregtar prej 7.1 miliardë dollarësh në dy muajt e parë të vitit.
Tkurrja në tregti erdhi kryesisht për shkak të shpërthimit të virusit dhe festës hënore të vitit të ri, tha administrata doganore e Kinës në një deklaratë në faqen e saj të shtunën.
Të dhënat e tregtisë së Kinës në janar dhe shkurt janë normalisht të paqëndrueshme për shkak të shtrembërimeve sezonale të shkaktuara nga festa e gjatë hënore e vitit të ri kur bizneset mbyllen dhe ndërpritet prodhimi i fabrikave dhe aktiviteteve portuale.
Por shpërthimi i koronavirusit ka përkeqësuar ndikimin negativ ekonomik. Vendi ka marrë masa drakoniane karantine dhe kufizime të udhëtimit në pjesë të mëdha të vendit.
Rënia e aktivitetit tregtar vjen pas të dhënave të mëparshme që treguan një tkurrje masive në sektorin e prodhimit dhe të shërbimit muajin e kaluar.
Më shumë se 80 përqind e 2.552 ndërmarrjeve të huaja tregtare në Kinë janë rikthyer në punë, sipas një studimi të administratës doganore të Kinës të publikuar të shtunën. Sidoqoftë, më pak se një e treta e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat punësojnë pothuajse 80 përqind të forcës punëtore të Kinës, funksionojnë normalisht, tha Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit javën e kaluar.