Nëse eksportet e shumë produkteve shqiptare e kanë pasur të vështirë të rriten në këtë periudhë krize, kjo nuk duket se vlen për produktet e peshkut. Sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përpunuesit e peshkut i kanë rritur eksportet me 15% krahasuar me një vit më parë. Gjatë janar-gushtit të këtij viti janë dërguar drejt tregjeve të BE-së rreth 2,800 tonë, me vlerë totale rreth 2.5 miliardë lekë.
Eksportet në vlerë janë thuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2008.
Prodhimet e përpunuara të produkteve të detit po bëhen zërat kryesorë të eksporteve dhe importeve në ekonominë shqiptare.
Peshku, midhjet, kallamarët apo karkalecat janë produkte që po njohin vetëm rritje në shitje, përpunim apo eksporte.
Alban Zusi administrator i kompanisë së përpunimit të peshkut, “Poseidon”, thotë se eksportet janë duke ecur me ritme të larta dhe në muajt në vazhdim, pritet rritje e mëtejshme e tyre.
“Ne kemi ecuri shumë të mirë gjatë këtij viti, kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e lëndës së parë blihet në Kroaci dhe falë afërsisë gjeografike, kompanitë po nxiten që t’i sjellin t’i përpunojnë në fabrikat tona”, thotë Zusi.
Gjatë kësaj kohe, sipërmarrësit janë “hedhur në sulm” për të gjetur partnerë të rinj, jashtë Italisë. Për t’u zgjeruar dhe mbrojtur nga kriza, drejtuesit e kompanive kanë mundur të lidhin kontrata me kompani gjermane apo spanjolle.
Avantazhi më i madh që kanë firmat vendase është kostoja e lirë e punës, kryesisht nga krahu i lirë i punës, çka ndikon në ofrimin e çmimeve shumë më konkurruese, sidomos në periudhë krize, kur kompanitë e mëdha ndërkombëtare po kërkojnë të ulin shpenzimet.
Ndërkohë, edhe investimet në këtë sektor duket se po ecin me ritme të larta.
Me 11 milionë euro investime, në Gjirin e Vlorës janë ngritur dhjetëra vaska të rritjes së peshkut kocë dhe levrek. Në 2011-n, në këto vaska u kultivuan rreth 700 tonë peshk, ndërsa këtë vit prodhimi do të jetë rreth 1500 tonë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, vetëm në këtë 6-mujor, kompania “Orata” ka prodhuar rreth 770 tonë peshk.
Një nga problemet më të mëdha që ka sot industria është mungesa e lëndës së parë brenda vendit, e cila do ta bënte këtë sektor shumë potencial për eksporte. Megjithëse Shqipëria ka qenë një nga prodhueset më të mëdha të açugeve dhe sardeleve, që janë edhe dy llojet që përpunohen më së shumti në fabrikat tona, peshkimi i tyre është thuajse zero. Kjo kërkon një kosto të lartë dhe anije të specializuara peshkimi, pasi këto dy lloje peshqish rriten në thellësi.
Sipas të dhënave nga Ministria e Mjedisit, sot, peshkimi në total arrin në rreth 10,400 tonë në vit, më pak se 74% të totalit të para viteve ‘90, ndërsa për pasuritë ujore Shqipëria renditet e para në rajon.
Por, sipas Ministrisë së Bujqësisë, kultivimi brenda vendit i prodhimeve të detit do të rritet nëpërmjet fermave të peshkimit, të cilat padyshim përbëjnë potencial të madh prodhimi dhe eksporti. Shanse të mëdha ka përpunimi i produkteve të detit, bretkosave dhe peshkut të liqeneve.
“Shumë shpejt kjo lëndë e parë, peshku, midhjet dhe bretkosat do të sigurohen në sasi të mëdha nga tregu vendas, duke përmirësuar ekonominë dhe bilancin tregtar”, ka deklaruar ministri i Bujqësisë, Genc Ruli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.