Eksportet me “këmbë në tokë”

03/02/2012 6:56 PM 0 komente

Ngadalësohen ndjeshëm ritmet e rritjes së eksportit në 2011-n. Shkaku kryesor, energjia. Largohemi nga vendet fqinje.
Nga Albana MUçAJ
Pas uljes së deficitit tregtar në 2010-n, viti i kaluar shënoi kthimin në trendin e tij të përhershëm, duke u përkeqësuar. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, vitin e kaluar deficiti tregtar u thellua gati 16%, duke arritur në gati 345 miliardë lekë. Kjo erdhi për shkak të përshpejtimit të ritmeve të rritjes së importeve, ndërkohë që për eksportet, ritmi i rritjes u ngadalësua.

Sipas të dhënave zyrtare të tregtisë, vitin e kaluar, vlera e eksporteve u rrit 23%, nga 56% që u rrit në 2010-n. Energjia elektrike është produkti kryesor që frenoi rritjen e eksporteve. Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, eksporti i energjisë vazhdoi edhe në muajin janar të vitit të kaluar, ndërsa pak muaj më vonë, ajo rifilloi importin, duke na paraqitur një bilanc thellësisht deficitar në tregtinë me jashtë të energjisë elektrike. Në vitin 2010, 40% e rritjes së eksporteve shqiptare erdhi nga energjia. 

Në 2011-n, kontribuuesit më të mëdhenj në eksportet e vitit të kaluar ishin tekstilet, hekuri, xeherorët e kromit dhe bakrit. Këto të fundit u rritën më pak në vlerë krahasuar me vitin 2010. çmimet vazhduan të jenë të favorshme, veçanërisht në muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave doganore, eksporti i hekurit u rrit 52% në vlerë, e 42% në sasi. “Kurum”, kompania kryesore, eksportoi 115 mijë tonë produkt final dhe 165 mijë tonë shufra metalike. Ndërsa për eksportuesit e mineralit të bakrit shitjet ishin të kënaqshme, pasi eksportuesit më të mëdhenj “Beralb” kishin bërë kontrata afatgjata, për eksportuesit e mineralit të kromit, vetëm gjysma e parë e vitit ishte e mbarë.
Në fakt, që në periudhën prill-maj, eksportet filluan të bien, për shkak të depozitimit të mineralit të kromit në port në pritje të një shitjeje me çmim më të lartë. Eksporti i tij rifilloi në muajin korrik. Fatos Prengu, përfaqësues i “Albanian Mineral Crome”, tregon se i rifilloi shitjet me një çmim relativisht të ulët, 280 USD/ton. Kromi vlerësohet të zërë 5-10% të eksporteve shqiptare në varësi të koniunkturës së çmimeve në tërësi. Këtë vit, pritet që krahas kromit, edhe minerali i bakrit, të ulë më tej ritmet e rritjes së eksporteve. Sipas sipërmarrësve të këtyre kompanive, çmimet e kontraktuara së fundi janë në nivele më të ulëta.
Rreziku i uljes së eksporteve është edhe për hekurin, ndonëse për një arsye tjetër. Zeki Kaya, administrator i “Kurum International”, tregon se “ne jemi të detyruar të eksportojmë në tregjet e huaja pasi tregu i brendshëm nuk është në gjendje ta tërheqë”. Sa i përket shitjeve të këtij viti, ai tregon se “nuk mund të bëjmë një plan të qartë, për sa kohë nuk mund të sigurojmë energjinë elektrike përmes mjeteve të përshtatshme”.

Sipas INSTAT, eksportet e hekurit bënë që i gjithë grupi i mallrave “materiale ndërtimi, metale” të rritej 31% në vlerë. Në po këtë masë u rritën edhe eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Në rritjen prej 15% të tekstileve, këpucëve, ndikoi përmirësimi porosive, por edhe kursi i favorshëm i këmbimit lek-euro. Por rritja e vlerës së këtyre eksporteve ndikoi pak në luhatjen e peshës së tyre.
Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, eksporti i mineraleve, lëndës djegëse dhe energjisë elektrike u rrit me 2 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë. Pesha e materialeve të ndërtimit e metaleve u rrit 1 pikë përqindje, ndërsa po kaq ra pesha e tekstileve, këpucëve.

Pesha e grupmallrave kryesore në eksporte

% ndaj totalit 2009 2010 2011

Tekstile dhe këpucë 46 34 33
Minerale dhe lëndë djegëse 20 28 30
Ushqime dhe pije 7.3 6 6
Burimi: INSTAT
BOX

Po u largohemi fqinjëve tradicionalë

Vitin e kaluar, Kosova u bë partneri i dytë i Shqipërisë për eksportet

Italia e Greqia po humbasin natyrshëm peshë në eksportet tona. Prirjes së kompanive, të forcuara ekonomikisht, në gjetjen e tregjeve të reja më të favorshme, i është shtuar kërkesa e dobët e dy tregjeve fqinje. Nga të dhënat e tregtisë rezulton se vitin e kaluar, Kosova u bë partneri i dytë i Shqipërisë për eksportet. Rritja e vlerës së eksporteve me 47%, bëri që tregu kosovar të fitojë një pikë përqindje në peshën e eksporteve tona. Por, kjo nuk është arsye e vetme e pozicionimit më të mirë të tregut kosovar për produktet tona. Kufizimi i eksporteve në tregje të tjera (kryesisht Greqinë) dha ndikim. Viti i kaluar shënoi njëkohësisht ulje të eksporteve drejt Kinës. Në uljen me 3 pikë përqindje vetëm për një vit, ndikoi kufizimi i eksportit të mineraleve të kromit. Në këtë periudhë nuk ka pasur ndonjë luhatje të theksuar me tregjet tona tradicionale Italinë e Greqinë, por po të shohim vetëm dy vite më parë, pesha e eksportit drejt Italisë ka rënë me 10 pikë përqindje dhe drejt Greqisë me 2 pikë përqindje. Efekti i krizës greke e dha ndikimin në vitin 2010, kur shumë ndërmarrje të veshjeve mbyllën aktivitetin.
Veshje-këpucët janë çelësi kryesor i marrëdhënieve ekonomike me Italianë. Por tregu italian nuk mund të mbetej aq i rëndësishëm për ne, për sa kohë filluan të rriten me ritme më të larta eksportet e mineraleve të kromit, bakrit dhe nafta bruto. Ndërsa nafta do të shkonte drejt Europës Veriore, për lëndët e tjera të para, tregjet më të mira janë ato të vendeve aziatike. Edhe sektori i tekstileve ka filluar të rrisë përpjekjet për të kontraktuar kompani veshjesh jashtë tregjeve tona tradicionale.
Në tre vitet e fundit, luhatje të madhe të eksporteve kemi pasur me Zvicrën dhe Turqinë. Eksportet drejt Zvicrës ranë ndjeshëm. Në këtë treg përfundoi pjesa më e madhe e energjisë e eksportuar në vitin 2010. Vitin e kaluar, vetëm 3% e totalit të eksporteve kishin destinacion Zvicrën. Turqia po zë më shumë peshë në eksportet tona për shkak të destiancionit të një pjese të mineraleve.
Ndonëse me peshë të vogël në hartën e eksporteve shqiptare janë futur edhe vende të largëta si Polonia e Norvegjia. Në këto tregje po eksportohen prodhime bujqësore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of