Eksportet në mars bien me 36%, goditja më e rëndë te fasoni, që përgjysmohet (efekti nga Italia)

17/04/2020 11:43 AM 0 komente

Eksportet në muajin mars kanë reflektuar situatën e vështirë të krijuar nga Covid-19, duke shënuar rënien më të thellë historike. Sipas INSTAT, Në Mars 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me Shkurt 2020. Vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-48,5 %), Kosova (-43,1 %) dhe Greqia (-24,6 %).

Të tre grumallrat kryesore,  “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji“, “Materiale ndërtimi dhe metale”, kanë shënuar tkurrje të ndjeshme. Ndërsa dy grupe të tjera që kanë pasur ecuri pozitive vitet e fundit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” dhe “Ushqime, pije e duhan” kanë arritur të frenojnë rënien.

Më e fortë ka qenë goditja për industrinë e tekstileve e këpucëve, e cila ka shënuar dhe tkurrjen më të madhe në vlerë absolute me -5 miliardë lekë, ose 47% më pak se marsi 2019. Burime nga Shoqata ProEksport thanë se përgjysmimi vjen nga mungesa e punëtorëve dhe e shitjeve. Ndonëse kompanitë kanë vazhduar prodhimin, shitjet në Itali kanë ngecur për shkak të situatës, duke bërë që të mos tërhiqen produktet. Italia është partneri kryesor i Shqipërisë për eksportet e tekstileve e këpucëve me mbi 70% të totalit. Shteti fqinj ishte i pari që u mbyll pas përhapjes së pandemisë. duke goditur dhe partnerët me të cilët punojnë në Shqipëri.

Saimir Bidaj, anëtar themelues i Pro Eksport Albania thotë se praktikisht ka ndërmarrje që nuk po funksionojnë ose po funksionojnë pjesërisht. Më problematike janë kompanitë që punojnë me veshje dhe këpucë për modën. Pak më e mirë ka qenë situata për ato sipërmarrje që prodhojnë veshje pune. E njëjta tendencë ose me rënie të mëtejshme pritet në muajt prill e maj. “E ardhmja është në pikëpyetje, ashtu si për të gjithë”, thotë ai, duke shtuar se rreth 70% e sektorit të tekstile e këpucëve, që punon me modën ka probleme serioze dhe 30%, që janë kryesisht me produkte pune dhe ushtrie po ecin më mirë. Sektori i këpucëve punon më shumë për prodhimet e modës, ndërsa gjysma e atij të veshjeve janë për rrobat e punës dhe ushtarake.

Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 41% në mars. Burime nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i këtij grupi me naftë të papërpunuar thanë se kanë ndikuar dy faktorë, së pari rënia e çmimeve në bursa dhe së dyti, rënia e kërkesës nga Spanja, e cila është dhe destinacioni kryesor ku Bankers çon produktet e veta.

E njëjtat tendensë tkurrëse ishte dhe për “Materiale ndërtimi dhe metale”, që u tkurrën me 50%. Arif Shkallla, drejtor finance i Kurum, kompanisë më të madhe eksportuese në vend tha se fabrika ka punuar deri në datën 20 mars, pasi kishte blerë energjinë dhe më pas do të jetë pushim deri në datën 6 prill. Edhe në kohën e prodhimit, shitjet ishin pothuajse zero, ndërsa ka vështirësi në transport, në lëvizjen e personelit, në sigurimin e masave e dorezave për stafin. Në datën 19 mars janë shitur vetëm 10 kamionë për në Kosovë e Maqedoni, kur në periudha normale, në këto kohë, tregtoheshin 56-60 kamionë në ditë. Pra nga 1500-1700 tonë në ditë, volumi i shitjeve ra në 50-60 tonë. Kërkesa nga ndërtuesit vendas ka qenë zero në këto kohë. Ndërprerja po ndodh në një kohë që sapo hapej sezoni i shitjeve të pranverës.

Ecurinë më të mirë e kishte “Ushqime, pije, duhan”, që ra me vetëm 7% në mars, duke u renditur për herë të parë në grupin e dytë më të madh eksportues në vend, pas tekstileve e këpucëve.

Grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” shënoi një ecuri të qëndrueshme, me rënie minimale 0.7%. por edhe ky grup, që po shënonte ecurinë më të mirë vitet e fundit për shkak të zgjerimit të fabrikave që montojnë pjesë elekttike për prodhuesit e makinave, pritet të reduktojë aktivitetin. Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri, tha se prodhimi është reduktuar në 90% dhe punonjësve u është dhënë leje vjetore për të qëndruar në shtëpi dhe njëkohësisht për të përfituar edhe pagën e plotë për prillin. Në Shqipëri, për industrinë automotive, puna nuk varet nga vullneti i kompanisë, por nga situata e kompanive në Europë që kanë mbyllur fabrikat.

Sipas INSTAT, Rënia vjetore e eksporteve prej 36,2 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me
-18,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji
elektrike” me -6,6 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Produkte
kimike dhe plastike” me 0,04 pikë përqindje.

 

Tregtia janar-mars

Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 66 mld lekë, duke u ulur me 9,0 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 135 mld lekë, duke u ulur me 8,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 70 mld lekë, duke u ulur me 8,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Eksportet, gjatë këtij tremujori janë ulur me -9,0 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar
negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -7,3 pikë përqindje, “Materiale
ndërtimi dhe metale” me -3,1 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,2 pikë përqindje. Në ndryshimin
vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,1 pikë
përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,4 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,2 pikë përqindje.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Mars 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me
Mars 2019 janë: Spanja (25,7 %), Gjermania (9,2 %),dhe Hollanda (20,8 %). Ndërsa vendet me të cilat
eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë:Italia (-48,5 %), Kosova (-43,1 %) dhe Greqia (-24,6 %).
Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një
vit më parë, janë: Spanja (55,4 %),Gjermania (18,5 %), dhe Greqia (3,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet
kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-18,0 %), Kosova (-17,3 %) dhe Maqedonia e Veriut (-9,5 %).
Në muajin Mars 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me
Mars 2019 janë: Rusia (+102,4 %), Zvicra (+28,2 %), dhe Polonia (+4,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet
kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-29,8 %), Greqia (-24,1 %) dhe Turqia (-18,6 %).
Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një
vit më parë, janë: Greqia (0,3 %),Turqia (4,8 %) dhe Gjermania (0,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë
pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-13,0 %), Kina (-16,6 %) dhe Serbia (-7,8 %).

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of