Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Itali. Bankers Petroleum realizoi në vitin 2014 rreth një të pestën e shitjeve jashtë vendit, ndërsa Italia është pritësi i më shumë se gjysmës së eksporteve.
Edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit (me përjashtim të Malit të Zi), Shqipëria ka pozicionimin më negativ, si në treguesin e eksporteve të mallrave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ashtu dhe në gjeografinë sipas shteteve. Me shitjet jashtë vendit, që janë sa 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pavarësisht përmirësimit në vite, Shqipëria renditet shumë më poshtë se Maqedonia, Serbia e Bosnjë-Hercegovina.
Në Indeksin e Konkurrueshmërisë të publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Global, Shqipëria renditet e 72-ta në botë në treguesin e eksporteve të të mirave dhe shërbimeve në raport me PBB-në, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit.
Ndryshe nga Shqipëria, që lundron e pasigurt drejt shtetit përtej detit, të goditur nga kriza e borxheve (drejt Italisë shkuan 52% e totalit të eksporteve në 2015-n) fqinjët kanë gjetur një mburojë më të sigurt, Gjermaninë, që është motori ekonomik i Europës.
Në Maqedoni, Gjermania është partneri i parë për eksportet me rreth 30% të totalit, ndjekur nga Serbia me 14%, më pas renditen Bullgaria, Italia etj.
Gjermania është partneri i parë për eksportet edhe i Serbisë, me 11% të totalit, po të njëjtën peshë zënë dhe eksportet drejt Italisë, ndërsa Bosnja është partneri i tretë, me rreth 9%.
Edhe në Bosnjë, Gjermania dhe Italia kryesojnë listën e eksporteve, me 15% të totalit secila.
Gjermania është një ndër destinacionet kryesore të eksporteve edhe për Bullgarinë e Rumaninë, ndërsa përveç Shqipërisë nuk është në listën e pesë të parave as në Malin e Zi.
Megjithatë, duhet theksuar se këto vende kanë pasur lidhje të hershme biznesi e tregtie me Gjermaninë, që nga koha e ish-Jugosllavisë dhe e kanë më të zhvilluar edhe industrinë e rëndë. Në Shqipëri, Gjermania ishte partneri i tetë i eksporteve në vitin 2014, me 2.8% të totalit, nga vendi i katërt që zinte në 2005-n, me rreth 3.3% të totalit.
Fqinjët kanë avancuar dhe në sofistikimin e shumëllojshmërinë e produkteve që shesin kryesisht në Europë. Në Serbi, kryesojnë produkte të tilla si automjetet, gomat, hekuri dhe çeliku, veshjet, gruri, frutat e zarzavatet, metalet, pajisjet elektrike, armët etj. Në Maqedoni mbizotërojnë produktet ushqimore, pijet, duhani, tekstilet, industria përpunuese, hekuri, çeliku, pjesët e automjeteve etj.
Në Shqipëri, shitja e pasurive natyrore ka dominuar në 2015-n. Produktet minerale (lëndët djegëse, xeherorët, gëlqere, çimento) përbënin gati 30% të totalit të eksporteve. Metalet bazë (bakri, nikeli, zinku, giza, çeliku), me një nivel relativisht të ulët përpunimi, zunë rreth 14% të totalit. Pesha e tyre ra në 2015-n, si rrjedhojë e rënies së çmimeve, duke lënë zbuluar eksportet në total, që ranë me rreth 5% vitin e kaluar.
Ndonëse pesha e këtyre produkteve, që kryesisht janë pasuri natyrore, në eksporte është e lartë, kontributi i tyre në ekonomi është minimal, sidomos në drejtim të të ardhurave buxhetore. Buxheti i shtetit siguron nga renta minerale rreth 100 milionë euro në vit, apo maksimumi 3-4% të të ardhurave totale, ndërsa të hyrat e tjera janë të papërfillshme, teksa shumë prej kompanive, të përfshira në industrinë me kapital intensiv (çka nënkupton se kërkojnë shuma të mëdha parash dhe burime të tjera financiare për të prodhuar një mall a shërbim, por jo shumë burime njerëzore) deklarojnë humbje, apo fitime minimale.
Tekstilet dhe këpucët janë një tjetër grup i rëndësishëm, që siguruan 37% të eksporteve në 2015-n, duke pasur si avantazh kryesor koston e lirë të punës. Gjithsesi, kjo industri e mbështetur në punën intensive ka qenë veçanërisht e rëndësishme për të punësuar një shtresë të varfër dhe të brishtë të shoqërisë.
Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na sigurojnë rreth 80% të eksporteve.
Edhe lista e 100 eksportuesve më të mëdhenj, publikuar pak kohë më parë nga “Monitor” ka nxjerrë qartë dobësinë strukturore të eksporteve shqiptare. Në listë ka pak kompani të mëdha për nga qarkullimi vjetor, mbizotërojnë sipërmarrjet e naftës që nxjerrin, përpunojnë, apo thjesht rieksportojnë karburant, nuk mungojnë ricikluesit. Nga kompanitë bujqësore ka vetëm tregtues të bimëve mjekësore (edhe këta që përdorin një burim shterues), por mungojnë industritë e mirëfillta përpunuese ushqimore, që nuk po arrijnë të çajnë jashtë vendit. Të shumta janë kompanitë prodhuese të çimentos, që lulëzuan në Shqipëri, pasi gjetën kritere më pak të rrepta për ndotjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e lëndës së parë. Mbizotërojnë në numër sipërmarrjet e prodhimit të veshjeve të këmbëve, që mund të konsiderohet si industria që ka përparuar më shumë vitet e fundit, teksa ka arritur të mbyllë ciklin dhe të rrisë vlerën e shtuar.
Mbyllja e ciklit të këpucëve, hapësira për bizneset mbështetëse
Teksa industria e prodhimit të këpucëve po kalon drejt ciklit të mbyllur të prodhimit, është rritur kërkesa për produktet mbështetëse, një pjesë e të cilave fare mirë mund të prodhohen në vend, çka do të reduktonte kostot për sipërmarrësit. Donika Mici e kompanisë së këpucëve Donianna (që jo vetëm ka mbyllur ciklin, por edhe ka dalë si prodhuese më vete) thotë se mund të nxiten linja të tjera prodhimi edhe për 70 nënprodukte, që duhen deri në ciklin final të këpucës. Mici thotë se, të gjitha këto produkte importohen nga vendet e tjera për të realizuar këpucën e gatshme në treg. Që nga etiketa e çmimit, lidhëset, kartonët e paketimit, mastiçi, perçinat, zinxhirët e shumë artikuj të tjerë mund të prodhohen në vend, pasi e kanë tregun e garantuar dhe me marzh të lartë fitimi. Krijimi i klasterave për të nxitur rritjen e ciklit prodhues në vend është një formë e njohur në ekonomitë e tjera prodhuese.
Mici sugjeron se, Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë terrenin edhe për të nxitur përpunimin e lëkurës në vend, ashtu siç ka bërë për bulmetrat. Nëse industria e përpunimit të lëkurës do të zhvillohej në vend, kosto për këtë lëndë të parë që i duhet lëkurës do të ulet me 40%.
Daniel Guçe, drejtor i Departamentit të SME-ve dhe Zhvillimit të Eksportit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), pohon se po bëhet një analizë për sektorin e lëkurë-këpucës, për të cilin dikur Shqipëria i plotësonte vetë nevojat e tregut të brendshëm me lëndë të parë. Sot, kjo gjë bëhet e mundur vetëm në masën 10%. “Ne po shikojmë të gjitha mundësitë që cikli të mbyllet brenda vendit dhe të mund të dilet për eksport. Parashikohet që brenda dhjetorit të këtij viti të përfundojnë analizat për këta dy sektorë e më pas do të vazhdohet me të tjerë”, pohon ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.