Në muajin tetor, eksportet shënuan rënie të lehtë me 0.9% në raport me një vit më parë, duke ju shmangur rritjes së muajit shtator.
Dobësitë e trashëguara nga masat e para izoluese të pranverës së bashku me rikthimin e karantinës në shumë vende të Europës i kanë vënë në vështirësi disa sektorë. Më së shumti pasojat po i vuan sektori i tekstilit dhe i eksportit të mineraleve.
INSTAT raportoi se në tetor 2020, eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke u rritur me 0.9,2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe u rritën me 6%, në krahasim me shtatorin 2020.
Gjatë periudhës së karantinës, eksportet kishin rënë përkatësisht me 44% dhe 23% në prill dhe maj.
Si rrjedhojë e performancës negative të mars-gusht, për 10 mujorin, eksportet e mallrave arritën vlerën 221 miliard lekëve, duke u ulur me 12,2 %, krahasuar me një vit më parë.
Ecuri të mirë patën dy grupet, “materiale ndërtimi dhe metale” dhe “makineri, pajisje, pjesë këmbimi”.
Eksportet e “materiale ndërtimi dhe metale” u rritën me 28% në tetor, duke arritur në 4.5 miliardë lekë, dhe duke kaluan në grupin e dytë më të madh të eksportuar në vend, pas tekstileve e këpucëve. Burime nga kompania e përpunimit të çelikut, Kurum, eksportuesi i dytë më i madh në vend, thanë se gushti dhe shtatori kanë qenë mjaft pozitive. Burimet thanë se, të gjitha ato ndërtime që u pezulluan gjatë karantinës kanë filluar punë, duke rritur kërkesën për metale. Gjithsesi, për 9-mujorin, eksportet e këtij grupi kanë rënë me 15%, për shkak të ecurisë negative të muajve të mëparshëm.
Grupi tjetër “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, shënoi rritje të fortë prej 32% në tetor, duke shënuar një vlerë në 2 miliardë lekë. Për 10-mujorin, ky grup është tkurrur me 5%. “Për industrinë automotive, kërkesa është kthyer thuajse e njëjtë me para krizës. Problem mbetet zinxhiri i furnizimit, sepse jo të gjithë furnitorët e lëndëve të para nëpër botë e kanë marrë veten 100% dhe ka vonesa.
“Ecuria e industrisë automotive ka qenë pozitive duke pasur parasysh situatën. Pas disa muajsh në rritje, në tetor u barazua prodhimi me planin e para-krizës. Rrjedhimisht, edhe punonjësit janë rimarrë në punë për të përballuar kërkesën e rritur” – tha Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri.
“Tekstilet dhe këpucët”, grupi më i madh eksportues në vend, u tkurr. Në tetor ato u tkurrën me 2.1%. Për gjithë 10-mujorin, eksportet e tekstileve e këpucë ranë me gati 15%, duke shënuar performancën më negative në vlerë nga gjithë grupet e tjera dhe duke ndikuar në gjysmën e rënies për periudhën janar-shtator. Përfaqësuesit e sektorit thonë se e ardhmja mbetet e vështirë, për shkak të pasigurive që ekzistojnë nga një valë tjetër e virusit, që kanë ndikuar në tkurrjen e porosive nga partnerët e huaj, kryesisht atyre italianë.
Pas hapjes së ekonomisë, sektori fason nisi ta rimarrë veten nga dëmet që i shkaktoi mbyllja e kufijve, por me nisjen e kufizimeve në vendet e BE-së, efektet e rënies po ndihen përsëri, tha Edvin Prençe, kryetar i “Pro-Eksport Albania” (PEA) thotë se aktualisht prodhimi ka rënë 65%. Gati gjysma e rënies së totalit të eksporteve në vlerë i dedikohet grupit “tekstile dhe këpucë”.
Negative ishte dhe ecuria e “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energji”, që ranë me 28% në tetor. Bankers Petroleum përgjysmoi eksportet drejt Spanjës, që është dhe blerësi kryesor i naftës që nxjerr eksportuesi më i madh në vend. Për 10-mujorin, eksportet e këtij grupi ranë me 23%.
Sektori me ecurinë më pozitive dhe i ndikuar pak nga kriza e Covid-19 është “Ushqime, pije dhe duhan”, eksportet e të cilit për 10-mujorin shënuan rritje prej 7.2% me bazë vjetore, duke u renditur në grupin e tretë më të madh në peshën e eksporteve totale.
Sipas INSTAT, grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -6,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje.
Në 10-mujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 221 miliardë lekë, duke u ulur me 12,2 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 488 miliardë lekë, duke u ulur me 9,7 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 267mld lekë, duke u ulur me 7,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.
Ecuria e tregtisë së mallrave, sipas vendeve partnere
Në muajin tetor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me tetor 2019 janë: Kosova (9,7 %), Gjermania (63,0 %) dhe Greqia (22,4 %).
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-0,6 %), Spanja (-62,5 %), dhe Kina (-11,1 %). Gjatë këtij 10-mujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (14,3 %), Maqedonia e Veriut (0,6 %), dhe Serbia (43,0 %).
Vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-16,6 %), Kosova (-17,5 %) dhe Spanja (-24,1 %). Në muajin tetor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Tetor 2019 janë: Italia (9,0 %), Greqia (17,6 %) dhe Gjermania (24,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Turqia (-16,2 %), Serbia (-3,2 %) dhe Zvicra (-35,1 %)
Gjatë këtij 10-mujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (0,8 %), Serbia (34,9 %) dhe Rusia (17,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-11,7 %), Turqia (-4,6 %) dhe Greqia (-5,7 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 65,0 %, të gjithë tregtisë. Në Tetor 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,7 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 60,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,8 %), Gjermania (8,4 %), Greqia (7,7 %) dhe Kina (6,6 %). Shkëmbimet tregtare, për 10-mujorin e 2020, me vendet e BE-së zënë 63,2 %, të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Tetor 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,8 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,4 %), Greqia (7,7 %), Gjermania (7,3 %) dhe Turqia (6,8 %).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.