Kompanitë shqiptare që punojnë për tregjet e huaja kanë qenë mjaft të zëna në tre muajt e parë të këtij viti. Porositë nga partnerët e huaj janë shtuar, duke ndikuar në rritjen e ndjeshme të eksporteve, që gjithsesi po pengohet nga nënçmimi i ndjeshëm i euros dhe dollarit ndaj monedhës vendase.
Sipas statistikave të INSTAT, për tre muajt e parë të vitit, shitjet totale të kompanive shqiptare jashtë vendit u rritën me 18.9% me bazë vjetore për periudhën janar-mars, duke arritur në 74.4 miliardë lekë.
Dy grupet kryesore që po ndikojnë rritjen vijojnë të mbeten tekstilet e këpucët dhe materialet e ndërtimit dhe metalet, por tendencë pozitive po shfaqin dhe Makineri e pjesë këmbimi dhe pijet e produktet ushqimore, por pesha e tyre mbetet relativisht e ulët.
Eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” u rritën me 11.5%, duke arritur në 31.5 miliardë lekë. Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar në vend, me 42% të totalit. Eksportuesit pohojnë se kanë rritje të porosive nga partnerët e huaj, sidomos ata italianë, që vitet e fundit po braktisin Azinë dhe Afrikën Veriore dhe po i kthehen Shqipërisë e cila ka avantazhin që punon me porosi të vogla dhe të shpeshta. Ekspertë të sektorit pohojnë se ata janë në fazë zgjerimi dhe po hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore. Një problem tjetër i eksportuesve është zhvlerësimi i ndjeshëm i euros, që këmbehet me me rreth 129 lekë aktualisht, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar dhe rreth 140 lekë që ishte kursi deri në 2015-n. Nga rënia e euros, eksportuesit pohojnë se po pësojnë humbje të mëdha, pasi marrin 4-5% më pak të ardhura në lekë për të njëjtën vlerë të eksportuar në euro.
Në vend të dytë janë rikthyer sërish eksportet e “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, dikur grupi më i madh i eksportuar në vend. Prej gati tre vitesh ky grup është në tkurrje ose ngadalësim për shkak të konjukturës së pafavorshme të tregjeve ndërkombëtare dhe rënies së investimeve. Megjithatë, ky grup ka përshpejtuar ritmet e rritjes për shkak të favorizimit nga moti, që ka nxitur eksportet e energjisë. Për tre mujorin grupi u rrit me 14%, në gati 13.6 miliardë lekë, duke zënë 18.3% të totalit. Eksportet e këtij grupi janë kryesisht në dollarë, i cili ka shënuar rënie edhe më të lartë, nga 119 lekë në 2017-n, në rreth 104 lekë aktualisht.
Grupi i tretë më i eksportuar është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, i cili në vlerë absolute ka shënuar dhe zgjerimin më të madh. Eksportet e këtij grupi u rritën me 36% për tre mujorin, duke arritur në 13.2 miliardë lekë. Ndikimin kryesor e ka dhënë kompania e prodhimit të çelikut Kurum, e cila pasi kaloi një fazë ristrukturimi, tashmë i është kthyer aktivitetit me ritme të larta. Sipas burimeve nga kompania, eksportet kryesore janë në Kosovë, kryesisht për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën me Shkupin, në Maqedoni dhe më pak në Mal të Zi. Pesha e materialeve ë ndërtimit dhe metaleve ishte 18% për tre mujorin e parë të vitit.
Në zgjerim vitin e fundit kanë qenë dhe shitjet e “makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit”, si rrjedhojë e investimeve që janë kryer në industrinë që monton kabllo për industrinë e automjeteve. Eksportet e këtij grupi u rritën me 34% për 3 mujorin, duke arritur në 4 miliardë lekë. Dy kompanitë kryesore që operojnë në këtë sektor, me regjimin e përpunimit aktiv janë PSZ Electronic GMBH dhe Forschner, të dyja gjermane. Pesha e këtij grupi ka arritur në 6% për tremujorin.
Ecuri pozitive kishin dhe shitjet e produkteve ushqimore, me rritje prej 23.8% për periudhën janar-mars.
Sipas INSTAT, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,6 pikë përqindje,
“Tekstile dhe këpucë” me +5,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,7 pikë përqindje.
Importet rriten 9.6%, thellohet deficiti
Në tremujorin e parë të vitit 2018 importet janë rritur me 9,6 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të 2017, sipas INSTAT. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +3,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +1,1 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje.
Deficiti tregtar arriti vlerën 71 mld lekë, duke u rritur me 1,4 %, krahasuar me të nëjtën periudhë të një viti më parë.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Sipas INSTAT, Në muajin Mars 2018, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të eksporteve, në krahasim me Mars 2017 janë: Italia me (1,1 %), Spanja me (162,1 %) dhe Gjermania me (25,0 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat eksportet kanë pasur ulje janë: Kosova me (-13,2 %), Kina me (-35,2 %) dhe Maqedonia me (-20,0 %) .
Gjatë këtij tremujori, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (5,4 %), Spanja me (138,2 %) dhe Gjermania me (37,0 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat eksportet kanë pasur ulje janë: Kosova me (-1,2 %), Kina me (-4,5 %) dhe Maqedonia me (-7,1 %).
Në muajin Mars 2018, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të importeve, në krahasim me Mars 2017 janë: Italia me (1,7 %), Gjermania me (18,6 %) dhe Kina me (15,9 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat importet kanë pasur ulje janë: Turqia me (-4,0 %), Greqia me (-2,5 %) dhe Serbia me (-38,7 %).
Gjatë këtij tremujori, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (6,7 %), Gjermania me (9,8 %) dhe Greqia me (14,4 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat importet kanë pasur ulje janë: Serbia me (-16,1 %), Spanja me (-0,4 %) dhe Egjipti me (-17,3 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 70,2 %, të gjithë tregtisë. Në Mars 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 65,3 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,8 %), Gjermania (9,7 %), Greqia (6,7 %) dhe Kina (6,1 %).
Shkëmbimet tregtare, për tremujorin e parë 2018, me vendet e BE zënë 68,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Mars 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 62,5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35,8 %), Gjermania (7,6 %), Greqia (6,9 %) dhe Kina (6,3 %).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.