Eksportet rriten 6.5% për dymujorin, vetëm tekstilet mbeten me rënie

17/03/2020 12:00 PM 0 komente

Eksportet kanë vijuar tendencën e tyre pozitive edhe gjatë muajit shkurt, të ndikuara nga grupi i “lëndëve djegëse mineraleve dhe energjisë”, kryesisht naftës si dhe “makineri, pajisje e pjesë këmbimi”. Tendencë pozitive kishin dhe tekstilet e këpucët, të cilat në janar ishin me rënie, por dymujori mbeti negativ.

Për dymujorin eksportet u rritën me 6.5%. Mbi gjysma e kësaj rritjje erdhi nga lëndët djegëse, kryesisht nga shtimi i eksporteve të Bankers Petroleum, që destinacion kryesor ka Spanjën. Sipas INSTAT, ky grup u rrit me 23% për dymujorin.

Rritje të lartë dhënoi dhe Makineri, pajisje dhe pjese kembimi me gati 30%.

Ndonëse në shkurt eksportet e tekstileve ishin me rritje për dymujorin, ato shënuan tkurrje me rreth 1.2%, i vetmi grup me rënie.

Në shkurt nuk konstatohet efekte të koronavirusit në tregtinë e jashtme, por në atë kohë nuk kishte filluar ende përhapja e tij në Europë. Duhen pritur të dhënat e marsit për të parë se si ka ndikuar ai në tregtinë e jashtme të mallrave.

Sipas INSTAT, në shkurt 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 24 mld lekë, duke u rritur me 7,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 5,7 %, në krahasim me janar 2020.

Importet e mallrave arritën vlerën 52 mld lekë, duke u rritur me 3,5 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 23,1 %, në krahasim me Janar 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 27 mld lekë, duke u rritur me 0,2 %, krahasuar me Shkurt 2019 dhe me 44,4 %, në krahasim me Janar 2020.

Në dymujorin e parë të vitit 2020 krahasuar me të njetën periudhë të një viti më parë, eksportet e mallrave arritën vlerën 47 mld lekë, duke u rritur me 6,5 %, dhe importet e mallrave arritën vlerën 94 mld lekë duke u rritur me 1,7 %. Deficiti tregtar arriti vlerën 46 mld lekë duke u ulur me 2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:

Rritja vjetore e eksporteve prej 7,5 %, në muajin Shkurt2020 është ndikuar nga grupet: “Minerale, lëndë

djegëse, energji elektrike” me +4,0 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +2,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +1,0 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar negativisht grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,9 pikë përqindje dhe “Ushqim, pije, duhan” me -0,1 pikë përqindje.

Eksportet gjatë këtij dymujori janë rritur me 6,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3,4 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +0,6 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Tekstile dhe këpucë” me -0,6 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:

Rritja vjetore e importeve prej 3,5 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +1,5 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +0,7 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar negativisht grupet: Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,0 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me -0,2 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,01 pikë përqindje.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Shkurt 2020 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurt 2019 janë: Italia (5,3 %), Spanja (25,6 %) dhe Gjermania (11,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova (-15,5 %), Rumania (6,5 %) dhe SHBA (15,2 %).

Gjatë këtij dymujori në krahasim me dymujorin e parë 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve janë: Spanja (46,0 %), Kosova (6,3 %) dhe Gjermania (23,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-0,7 %). Franca (25,9 %) dhe Rumania (-20,6 %).

Në muajin Shkurt 2020 në krahasim me Shkurt 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve janë: Turqia (+13,4 %), Greqia (13,7 %) dhe Kina (9,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-1,0 %), Cekia (-13,0 %) dhe Serbia (-7,1 %).

Gjatë këtij dymujori në krahasim me dymujorin e parë 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve janë: Turqia (17,2 %), Greqia (16,7 %) dhe Gjermania (10,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-1,8 %), Kina (-1,4 %) dhe Serbia (-8,5 %).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of