Eksportet kanë vijuar rritjen edhe në gusht, ndonëse me ritme më të ngadalta sesa muajt e mëparshëm, duke rikuperuar humbjet e vitit pandemik dhe duke rezultuar më të larta edhe se në 2019-n, kur vendi ishte në normalitet.
Kjo tendencë ka reflektuar rritjen e fortë të dy grupeve, “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare e rritjes së kërkesës dhe çmimeve. Të dy grupet kanë ndikuar në 70% të rritjes së eksporteve për 8 mujorin.
Eksportet e ushqimeve dhe ato të makinerive e pajisjeve kanë vijuar zgjerimin e qëndrueshëm, ndërsa tekstilet dhe këpucët mbeten të vetmet që janë më poshtë se niveli i 2019-n, madje në gusht të këtij viti ishin më të ulëta se në të njëjtin muaj të 2020-s, një tendencë që konstatohet për herë të parë gjatë këtij viti. Është ngadalësuar në gusht dhe rritja e grupit “makineri dhe pjesë këmbimi”.
INSTAT raportoi se për 8 mujorin e parë 2021, eksportet arritën në 232.4 miliardë lekë, me një rritje prej 37.3 % në raport me janar-gusht 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është rreth 16%.
Në gusht, eksportet ishin 23.7 miliardë lekë, me rritje 22.5% në raport me të njëjtin muaj të 2020-s dhe 18.3% më të larta në raport me gushtin 2019.
Tekstilet e këpucët me rënie të ndjeshme në gusht
Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me 31% të totalit), kanë vuajtur më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe nga ndryshimi i sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 10% për 8 mujorin në raport me janar-gusht 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 10.3% më të ulëta në raport me 8 mujorin normal të 2019-s.
Madje në gusht, eksportet e tekstileve e këpucëve ishin më të ulëta edhe se në të njëjtin muaj të 2020-s, duke u tkurrur me 22.3%.
Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Megjithatë rihapja graduale e Europës ka rritur shpresat për sektorin, ndonëse ekziston frika se mund të ketë mbyllje të reja pas përhapjes së variantit Delta.
Pesha e eksporteve të këtij grupi ka zbritur me 8 pikë përqindje për 8 mujorin, në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s, kur ishte 39%. Tekstilet e këpucët janë ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me rreth 60 mijë, ose rreth 12% e të punësuarve në sektorin privat.
Rritje e fortë e materialeve të ndërtimit e metaleve
Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 21% të totalit) vijuan ecurinë pozitive edhe në gusht. Për 8 mujorin, eksportet e këtij grupi u dyfishuan në raport me 2020-n, ndërsa janë 54% më të larta edhe se janar-qershor 2019. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje.
Rritje e fortë edhe për lëndët djegëse
E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, Lëndët djegëse e energjinë, që është rritur me 80.3% për 8 mujorin në raport me 2020-n, dhe 41 në krahasim me të njëjtën periudhë 2019.
Megjithatë në gusht, eksportet drejt Spanjës, që është tregu kryesor i kompanisë prodhuese të naftës, Bankers Petroleum, shënuan një rënie të lehtë.
Makineritë e pajisjet ndalin ritmin
Grupi i ushqime pije dhe duhan ka vijuar tendencën pozitive të nisur prej tre vitesh, duke u zgjeruar me 14.7% për 8 mujorin. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza pandemike dhe vijoi rritjen edhe në 2020-n.
Ritmet e rritjes janë ngadalësuar për makineritë pajisjet e pjesët e këmbimit, shitjet e të cilit u rritën me 37.4% në raport me 8 mujorin 2020 dhe 22.7 % në raport me të njëjtën periudhë 2019. Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete. Megjithatë, në gusht, ky grup ra me 37.3% në krahasim me të njëjtin muaj të 2019-s.
Sipas INSTAT, gjatë muajit Gusht 2021, në rritjen e eksporteve prej 22,5 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +17,4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,0 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,7 pikë përqindje. Ndërsa grupi “Tekstile dhe këpucë” ka ndikuar negativisht me -8,7 pikë përqindje.
Deficiti tregtar në rritje
Sipas INSTAT, në tetëmujorin e parë 2021, eksportet e mallrave arritën vlerën 232 mld lekë, duke u rritur me 37,3 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 487 mld lekë, duke u rritur me 29,3 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 254 mld lekë, duke u rritur me 22,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Rriten eksportet me Kosovën e Gjermaninë, ulen me Italinë
Në muajin Gusht 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2020 janë: Kosova (46,1 %), Gjermania (23,8 %) dhe Maqedonia (61,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (7,5 %) dhe Spanja (13,4 %).
Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (24,9 %), Kosova (55,3 %) dhe Spanja (35,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (28,5 %) dhe Rusia (36,5 %).
Në muajin Gusht 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2020 janë: Italia (9,2 %), Turqia (47,5 %) dhe Gjermania (50,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Rusia (6,9 %), SHBA (27,8 %) dhe Zvicra (26,8).
Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (31,4 %), Turqia (48,2 %) dhe Kina (27,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Rusia (8,4 %), Zvicra (25,6) dhe Ukraina (15,8 %).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.