Eksportet kanë vijuar me tendencën e tyre negative edhe gjatë muajit qershor. Sipas statistikave të INSTAT, në qershor u shitën jashtë vendit mallra me vlerë 25 mld lekë, duke u ulur me 4,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,2 %, në krahasim me Maj 2019.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur rritja ishte dy shifrore, ky vit nuk ka qenë i mbarë për një nga sektorët kryesore për futjen e valutës në Shqipëri.
Në 6 muajt e parë të vitit, eksportet arritën në 152.3 miliardë lekë, me një rënie prej 3.7% me bazë vjetore. Të tre grupet kryesore të eksporteve “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale” janë në rënie.
“Tekstilet dhe këpucët”, që zënë 41% të eksporteve shqiptare kanë rënë me gati 2% me bazë vjetore për 6 mujorin e parë. Aktorët e tregut pohojnë se kjo ecuri e dobët lidhet me rënien e euros, që po u ul fitimet dhe po i bën më pak konkurrues, shtimi i konkurrencës nga vendet e Afrikës së veriut (Tunizia), krijimi i stoqeve, kjo për sektorin e këpucëve. Ulja e konkurrueshmërisë për shkak të kursit dhe ngurrimi në hezitimin e kontratave të reja edhe për shkak të krizës kanë ndikuar në shitjet e sektorit jashtë vendit. Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonistëve Shqiptarë, tha se muajt e fundit shumë ndërmarrje me 20-40 punëtorë kanë dalë në shitje. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt si efekt domino i situatave aspak të favorshme do të kemi falimentimin e biznesit fason dhe pasojat do të jenë katastrofike, ka paralajmëruar ai.
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” janë grupi i dytë më i eksportuar, me gati 16% të totalit. Ato kanë shënuar një rënie prej 10% për 6 mujorin. Tkurrja ishte më e fortë në qershor, me 16%. Burime nga kompania prodhuese dhe përpunuese e çelikut, Kurum, eksportuesi më i madh i këtij grupi, pohuan se qershori në përgjithësi është një muaj i dobët, pasi teksa fillon sezoni në prill dhe maj, tregtarët mbushen me stoqe dhe ulin kërkesën. Për më tepër qershori i këtij viti përkoi me muajin e Ramazanit në Kosovë (që është tregu kryesor i Kurum), çka reduktoi më tepër kërkesën. Efekt ka dhënë dhe rëenia e euros Por, si 6 mujor, Kurum raporton rritje të eksporteve në 127 mijë ton hekur, nga 110 mijë ton në janar-qershor 2018 dhe si vlerë eksporti 7.6 mld lekë, kundrejt 7,13 mld lekë në 6 mujorin e parë 2018. Performancë negative në këtë grup kanë pasur eksportuesit e materialeve të ndërtimit.
Në rënie ishin dhe shitjen e “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që shënuan dhe tkurrjen më të thellë me 23% për 6 mujorin. Arsyet janë disa. Së pari janë reduktuar eksportet e energjisë për shkak të motit të thatë, ndryshe nga viti i kaluar kur reshjet e bollshme favorizuan shitjet jashtë të energjisë. Së dyti, eksportuesi më i madh në vend, Bankers Petroelum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në vend, Patos Marinzën, ka eksportuar më pak. Burime zyrtare nga Bankers pohuan se ndonëse ata kanë rritur prodhimin me 15% në 6 muajt e parë të vitit, kanë rritur shitjet brenda vendit me 60% tek kompania Tosk Energji, çka ka ndikuar në reduktimin eksporteve jashtë.
Tendencë pozitive kishte grupi “ushqime pije dhe duhan”, me rritje vjetore prej 12% . Rritjen më të fortë 9edhe në vlerë absolute) e shënoi grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që u zgjerua me 23%, duke përbërë gati 7% të totalit të eksporteve. Investimet e viteve të fundit në fabrikat për pjesët për automjete, që punojnë me sistemin e materialit të porositësit kanë ndikuar në këtë tendencë.
Sipas INSTAT, Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë ulur me -3,7 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,7 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,2 pikë përqindje.
Rritet deficiti tregtar
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 152 mld lekë, duke u ulur me 3,7 %, krahasuar me një vit më parë, ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 318 mld lekë, duke u rritur me 2,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 165 mld lekë, duke u rritur me 9,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Sipas INSTAT, Në muajin Qershor 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2018 janë: Italia (0,3 %), Gjermania (12,6 %), dhe Kina (37,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova (-10,0 %), Spanja (-18,8 %) dhe Greqia (-1,8 %).
Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (28,7 %), Gjermania (2,8 %), dhe Maqedonia e Veriut (4,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-0,9 %), Spanja (-24,7 %) dhe Greqia (-6,5 %).
Në muajin Qershor 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2018 janë: Kina (11,4 %), SHBA (12,7 %), dhe Spanja (73,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-8,9 %), Greqia (-10,6 %) dhe Turqia (-17,9 %).
Gjatë këtij gjashtërmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina (22,5 %), Greqia (10,2 %) dhe Turqia (6,5 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-8,0 %), Gjermania (-12,9 %) dhe Spanja (-12,1 %).
Burimi grafikëve: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.