Investimet e sektorit bankar shqiptar në borxhin e qeverisë shqiptare po vijojnë të rriten dhe kanë arritur vlerën e 507 miliardë lekëve ose rreth 4.5 miliardë eurove në fund të tremujorit të parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë se vlera e titujve të qeverisë shqiptare në portofolin e bankave është rritur me 5.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sektori bankar është financuesi kryesor i borxhit të qeverisë shqiptare. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në mesin e këtij viti bankat tregtare rreth 54% të vlerës totale të instrumenteve të borxhit të brendshëm.
Bankat kanë rritur paralelisht si ekspozimin në instrumentet e borxhit në lekë, ashtu edhe në valutë të huaj. Vlera e bonove dhe obligacioneve në lekë në fund të tremujorit ka arritur në 425.6 miliardë lekë, në rritje me 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Vitin e kaluar, yield-et e bonove dhe obligacioneve shënuan një rritje të shpejtë. Kjo rritje i bëri ato më tërheqëse për investitorët e vegjël, por shkaktoi një lloj pasigurie për investitorët institucionalë, duke përfshirë bankat.
Pritshmëritë për rritje të mëtejshme të yield-eve bëri që në pjesën e dytë të vitit bankat të mbanin pozita hezituese, sidomos për investimin në instrumente afatgjatë. Kjo bëri që bankat të preferonin sidomos bonot e thesarit dhe në tërësi ekspozimi i tyre në borxhin e qeverisë në lekë ka vijuar të rritet.
Ndërkohë, bankat kanë vazhduar të rrisin edhe investimet në borxhin në valutë të huaj, që konsiston në Eurobondet e qeverisë shqiptare. Letrat me vlerë qeveritare në valutë të huaj në bilancin e sektorit bankar kanë arritur vlerën e 81.4 miliardë lekëve, në rritje me 5.2% krahasuar me një vit më parë.
Në valutën e investimit, rritja ka qenë edhe më e lartë, por kjo rritje është tkurrur statistikist nga mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit me euron.
Bankat kanë qenë ndër investitorët më të interesuar në eurobondet e emetuara nga qeveria shqiptare. Përveç pjesës së blerë në tregun primar, ato e kanë rritur më tej investimin nëpërmjet blerjeve në tregun dytësor.
Letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbëjnë tashmë 26.6% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, në rritje të lehtë nga niveli prej 26.5% që regjistrohej.
Huaja për sektorin privat ngelet shtylla kryesore në strukturën e bilancit të sektorit bankar shqiptar. Në fund të tremujorit të parë të vitit, portofoli i huasë përbënte 39.3% të aktiveve totale.
Megjithatë, pesha e kredisë në bilanc ka pësuar rënie nga niveli prej 39.9% që zinte një vit më parë. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të tkurrjes së portofolit të kredisë, duke filluar nga nëntori i vitit të kaluar, si rezultat i rënies së kredisë së re.
Gjithashtu, ky zhvillim është ndikuar pjesërisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit, duke qenë se vitin e kaluar u shënua një rritje e theksuar e kreditimit në euro. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.