Ekonomia shqiptare, ashtu si ajo globale, është futur në një ekuacion me shumë të panjohura, që për momentin nuk po arrin ta zgjidhë askush. E panjohura më e madhe është koha. Askush sot në botë nuk di ta thotë me siguri se kur mund të ndalet përhapja e koronavirusit dhe se për sa kohë do të vazhdojnë masat për kufizimin e aktiviteteve, që po çojnë të gjithë ekonomitë në një ngërç, që vetëm pak muaj më parë askush nuk e kishte imagjinuar.
E panjohura tjetër është reagimi i konsumatorëve e bizneseve ndaj kësaj sjelljeje. Individët, në periudha pasigurish, priren që të kursejnë dhe të shpenzojnë vetëm për produkte të domosdoshme, duke shtyrë blerjet e mëdha. Bizneset, po ashtu, do të tentojnë të bëhen më eficiente e të ulin shpenzimet, ndërsa planet e tyre për të ardhmen me shumë gjasa do të rishikohen.
Zgjidhja më e shpejtë e ekuacionit, që po dëmton rëndë ekonominë globale, për fat të keq nuk mund të vijë nga ndonjë ekonomist i njohur, por nga shkenca. Zbulimi i një vaksine funksionale do t’i jepte fund në çast pandemisë dhe panikut të krijuar. Në këtë rast, ekonomia do të rimëkëmbej me shpejtësi, aty ku e la përpara se të fillonte kjo ëndërr e keqe, pasi asnjë burim nuk është shteruar, por vetëm kanë “ngrirë” në pritje të prekjes magjike.
Por, për sa kohë që virusi vijon përhapjen dhe vaksina nuk ekziston, kura e vetme për shpëtimin e jetëve ka mbetur te kufizimi i lëvizjeve, në dëm të ekonomisë. Kjo e fundit nuk është një shkencë ekzakte dhe e vetmja gjë që mund të bëhet për momentin është të gjenden ndryshoret që do ta bënin më të lehtë zgjidhjen e ekuacionit.
E para është ndërhyrja e shtetit, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha vendet. Një paketë e parë masash e qeverisë dha të paktën shpresë për biznesin e vogël, i cili është dhe më i pambrojturi. Shqipëria karakterizohet nga një numër i lartë sipërmarrjesh të vogla, me 1-4 punonjës (mbi 90% e totalit) dhe me një nivel rekord vetëpunësimi (rreth 35% e totalit). Për bizneset e tjera, alternativa u dha përmes fondit të garancisë, që do t’u mundësonte subjekteve ta përdorin në rast se do të kenë probleme me dhënien e pagave për punonjësit. Ndryshe nga shtetet e tjera, edhe nga rajoni (Kroacia p.sh. shtyu me 90 ditë pagesën e tatimit mbi të ardhurat dhe kontributeve shoqërore e shëndetësore), buxheti shqiptar, ndër më të ulëtit në Europë (me 27% të PBB-së), nuk duket se e ka luksin të marrë një masë të mirë (ndonëse ka pasur luksin e fryrjes së pagesave koncesionare).
Përtej shtetit, që në fakt asnjëherë në këto 30 vite nuk duket të ketë qenë në pararojë të ekonomisë, vetë bizneset mund të gjejnë ndryshoret e tyre, për ta kthyer këtë krizë në një oportunitet. Shansin më të lartë e ka bujqësia dhe agropërpunimi. Ndonëse Shqipëria ka peshën më të lartë të bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto, me gati 20% të totalit, ajo është importuese e shumë produkteve, pasi zinxhiri me industrinë përpunuese ushqimore është i shkëputur (kjo e fundit zë më pak se 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto). Shansi është tashmë aty, për ta shfrytëzuar.
Përshtatja e industrisë së tekstileve me kushtet aktuale të tregut global është një tjetër mundësi për sipërmarrësit, të cilët pohojnë se është rritur kërkesa për maska kudo në botë. Krahas ndërhyrjes direkte, mbështetja për sektorët me potenciale në këto momente do të ishte më eficiente, pasi do të prodhonte zgjidhje afatgjatë dhe do të vetëshlyhej shumë shpejt në vende të reja pune e më shumë investime në të ardhmen.
Sipërmarrësit vendas janë të mendimit se ekonomia mund të ushqehet me dhjamin e saj edhe për rreth tre muaj, por nëse karantina zgjat, pasojat bëhen të paparashikueshme. E për sa kohë do të vazhdojmë të jetojmë brenda kësaj ëndrre të keqe, të gjithë do të duhet të përshtaten me këtë realitet, sado të zgjasë ai. Por, edhe në mbarim të tij, që shpresojmë të jetë sa më shpejt, normaliteti i ri do të jetë ndryshe nga ai që ishim mësuar, me një reflektim të thellë që duhet të fillojë që nga qeverisja (për mënyrën si i menaxhon burimet e saj) dhe deri tek individi për sjelljen e tij ndaj natyrës e shoqërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.