EDITORIAL MONITOR / Rregullimi në shoqëri dhe ekonomi është i rëndësishëm, pasi vendos dhe ruhen ekuilibrat ndërmjet interesave dhe objektivave të ndryshëm individualë, që mund të jenë edhe kontradiktorë, në funksion të mirëfunksionimit të së tërës dhe arritjes së përfitimeve maksimale.
Rregullat normojnë jetën ekonomike e shoqërore, krijojnë një mjedis, që funksionon në bazë mekanizmash e institucionesh, të njohur nga të gjithë. Ky koncept kërkon ekuilibër ndërmjet zbatimit me vetëdije, vullnet e përgjegjshmëri, përkundrejt zbatimit me detyrim e ekzekutim.
Elementi detyrues është i dobishëm për të siguruar që të gjithë palët e interesuara përmbushin detyrimet dhe përfitojnë të drejtat e parashikuara nga rregullat. Por, theksimi i elementit ekzekutues tregon për funksionim jo efikas, që shndërrohet në kosto për shoqërinë dhe operatorët dhe nuk siguron domosdoshmërisht respektimin e të drejtës.
Pikërisht ky deformim i rolit dhe qëllimit të mekanizmit rregullues na vjen në mend sa herë që në media ka njoftime për shndërrimin e detyrimeve të caktuara në “tituj ekzekutivë”. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në Shqipëri, përcaktojnë një listë jo shteruese të titujve ekzekutivë, pasi lejojnë të trajtohen si të tillë akte të tjera të vendosur sipas ligjeve të veçanta.
Është pikërisht kjo dispozitë që përdoret nga institucionet si një rrugë e shkurtër për arritjen e synimit, por që hap shtigje të tjera për abuzim me të drejtat, tashmë të palëve që nuk kanë forcën e një institucioni për t’u mbrojtur.
Mjafton të kujtojmë me këtë rast aksionin e para disa viteve për të detyruar njësitë dhe familjet të paguanin detyrimet për energjinë elektrike, duke e shndërruar faturën e energjisë në një titull ekzekutiv.
Sado i arsyetuar të ketë qenë veprimi dhe deri diku i mirëpritur, në realitet qenë jo të paktat rastet e abuzimeve dhe zbatimit joproporcional të këtij titulli. Nuk u zhvillua paralelisht me të asnjë mekanizëm efikas që të administronte abuzimin me titullin ekzekutiv.
Dhe barra e padrejtësisë e keqveprimit i ra të dobëtit, duke shkaktuar deri tragjedi në fatet individuale. Ndërsa, pas kaq vitesh situata e humbjeve në rrjet dhe keqadministrimi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike nuk ka njohur përmirësim. Por, për të ndëshkuar dëmet e paaftësisë nuk ka asnjë mekanizëm titulli ekzekutiv.
Në media këto ditë u informuam edhe për dy raste të tjera që priten t’u shtohen titujve ekzekutivë: në fushat e zbatimit të ligjit për të drejtën për informim dhe të ligjit për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit.
Rasti i parë evidenton pikërisht paaftësisë institucionale të shtetit shqiptar. E drejta për informim bazohet në një kuadër të gjerë ligjor dhe që ndiqen nga institucione të posaçme.
Megjithatë, ndihet e nevojshme që kërkesat për informim të Komisionerit të së Drejtës për Informim dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale të shndërrohen në tituj ekzekutiv. Askush nuk ndalet të analizojë arsyet përse institucionet e shtetit neglizhojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe nuk shqetësohen aspak për moszbatimin e tyre.
Askush nuk analizon përse moszbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj nuk ndjek rrugën e trajtimit në sistemin gjyqësor! Në fakt nuk mund të ndodhë ndryshe. Në një ambient institucional jo transparent, sigurisht që ligji i të drejtës për informim nuk mund të merret seriozisht.
Në fund të fundit, me gjithë shpërhapjen që morën të dhënat personale të shtetasve shqiptarë, askush nuk e pa veten të mbrojtur nga qëndrimet dhe veprimet e Komisionerit në fjalë. Përse do të duhet të kenë respekt të tjerët për këtë ligj?!
Në rastin e dytë, propozimi është më i pranueshëm për shkak të problematikës së gjerë që ekziston në administrimin e ambienteve në bashkëpronësi dhe kulturën e të vepruarit në komunitet. Por, mekanizmi mbetet i çalë.
Ai nuk parashikon elementët e mbrojtjes së individit apo familjes pjesë e një bashkëpronësie nga ngarkimi me kosto të tepruara në administrimin e saj. Dhe në të tilla abuzime sistemi i ankimimit është pothuajse inekzistent.
Rregullimi është vullnet dhe ka nevojë të zbatohet me vullnet e përgjegjshmëri. Përparësia, që po merr në zbatim elementi i ekzekutimit sjell risqe të shtuara në respektimin e së drejtës dhe mbrojtjen nga abuzimi të operatorit individual apo personit. Ndërsa zgjidhja është mjaft e thjeshtë, secili të kryejë detyrën që i takon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.