Shqiptarët shpenzojnë rreth 650 milionë euro në vit brenda dhe jashtë vendit, për trajtime mjekësore. Një shifër e cila konsiderohet më e lartë se vendet e rajonit dhe që ka shërbyer për joshjen e investimeve miliona euro në ndërtimin e spitaleve private
Nga Elona Gusmari
Vitet e fundit, në Shqipëri, janë investuar rreth 200 milionë euro në hapjen e spitaleve private që synojnë të modernizojnë këtë shërbim, i cili prej vitesh vuan handikapin e cilësisë, por jo vetëm. Për të përftuar një shërbim cilësor (përtej kostove të larta), shqiptarët i drejtoheshin kryesisht spitaleve private në Turqi dhe Greqi. Shumat e mëdha që shpenzoheshin në këto spitale (për shkak se shtrimet janë private, nuk ka një shifër të saktë), tërhoqën vëmendjen e investitorëve nga të dyja shtetet, duke i nxitur të krijojnë filiale. Sipas statistikave të dhëna nga spitalet private, shqiptarët shpenzojnë privatisht për shëndetin mesatarisht në vit rreth 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo rreth 650 milionë euro.
Aktualisht në Shqipëri ka tre spitale të mëdha private, “Spitali Amerikan”, “Universal Hospital Tirana” dhe “Hyegia”. Spitali Amerikan, i pari i hapur në vitin 2006, tashmë ka konsoliduar pozitat e tij, ndërsa dy spitalet e tjera janë në hapat e para. “Universal Hospital Tirana” ka nisur të ofrojë disa shërbime bazë, ndërsa pritet të përmbyllë investimin e tij. “Hygeia”, një investim grek, do të nisë të funksionojë në ditët e para të muajit korrik të këtij viti.
Tregu duket me mjaft interes. Drejtuesi e Spitalit Amerikan, i hapur që në vitin 2006, pohojnë se investimi jo vetëm ka qenë në lartësinë e menduar, por i ka tejkaluar gjithë pritshmëritë, çka po i nxit ata drejt një zgjerimi të shpejtë.
Hapja e spitaleve private duket se ka sjellë edhe efektet e para. Sipas këtyre operatorëve, tashmë që pjesa më e madhe e shërbimeve ofrohen edhe në vend, rreth 85% e shqiptarëve që shkonin jashtë shtetit për kurim, tani e marrin atë në vend. Kjo shifër, sipas operatorëve, tregon për potencialet që ka tregu.
Nuk kanë asgjë të përbashkët me spitalet shtetërore. Nëse hyn në njërin prej tyre, e kupton se do të përballesh jo vetëm me një cilësi më të lartë shërbimi, por edhe me kushte akomodimi moderne. Gjithçka në strukturën e këtyre spitaleve është e përshtatur me standardet europiane, madje mund të thuhet se janë investime që nuk gjenden në vendet e tjera të rajonit.
Pacientët që do të kërkojnë të marrin shërbimin mjekësor në këto spitale do t´iu duhet të përballen me çmime jo të ulëta, por që janë të konkurrueshme me ato që ofrojnë spitalet private që ndodhen jashtë. Qëndrimi me netë ka kosto gatigati të barabartë me atë në një dhomë hoteli, që varion nga 50 deri në 100 euro apo më shumë, në varësi të kushteve, pa llogaritur kostot e tjera që kanë të bëjnë me trajtimin mjekësor.
Mjetet ekzaminuese flasin me gjuhën e teknologjisë së fundit, ndaj dhe mund të kryhet çdo shërbim, që nga operacionet në zemër, onkologji, transplante apo edhe fertilizim in vitro etj. Steriliteti është në nivele të larta dhe për çdo pacient kujdeset përveç stafit mjekësor, një person i specializuar, i cili qëndron edhe gjatë orëve të natës.
Në termat e biznesit, edhe pse një treg i ri, parashikohet të ketë ecuri pozitive. Të tria spitalet do të mundohen të forcojnë pozitat e tyre, duke konkurruar për t´u ofruar shqiptarëve një shërbim modern mjekësor. Një konkurrencë e cila, sikundër ndodh edhe në Greqi apo Turqi, mund të nxisë atë që njihet si turizmi mjekësor dhe që në të dy këto vende arrin të vjelë miliona euro. Momentalisht Shqipëria arrin të shfrytëzojë me anë të çmimeve të ulëta që ofron vetëm turizmin dentar.
Investimi 100 milionë euro
Ka rreth dy muaj që spitali “Universal Hospital Tirana” ka nisur të funksionojë. Është një investim i përbashkët shqiptaro-turk dhe llogaritet në rreth 100 milionë euro, duke u cilësuar si investimi më i madh në këtë sektor. Kontakti i parë kur hyn në ambientet e këtij spitali të krijon përshtypjen e një vendi që nuk ka aspak të bëjë me të sëmurë, analiza, operacione apo gjëra të këtij lloji. Në shikimin e parë, e vetmja gjë që të bën të kuptosh është ndonjë bluzë e bardhë që kalon nxitimthi në korridorin e madh. Salla e pritjes është e mobiluar me një stil “alla Luigji XIV”, ku të bien në sy karriget me ndenjëset me ngjyrë të argjendtë, tavolinat me mermer dhe tavanet e pikturuar. Një pjesë e investimit nuk ka përfunduar ende ndaj dhe shërbimet që ofrohen nuk janë të plota.
Ky spital ka një sipërfaqe të mbyllur prej rreth 19,600 metra katrorësh, 120 dhoma moderne për pacientët, 5 dhoma për ndërhyrje kirurgjikale dhe 2 dhoma lindjeje.
Teknologjia e përdorur në spital është jo vetëm e fundit për Shqipërinë, por edhe në Ballkan dhe Europë, madje edhe në SHBA.
“Universal Hopspital Tirana” është pjesë e “Universal Hospitals Group”, një rrjet i përbërë nga 110 spitale.
“Hygeia”, konkurrenca greke
Ideja për të hapur një spital grek në Shqipëri është formuluar disa vite më parë, ndërsa vetëm tani ky investim ka nisur të marrë pamje dhe do të hapë zyrtarisht dyert në fillim të muajit korrik. Është një investim tërësisht grek që kap shifrën rreth 60 milionë euro, pjesë e “Hygeia Group” dhe mban emrin “Hygeia Hospital Tirana”. Është një qendër e diagnostikimit dhe e trajtimit mjekësor. Gjendet pak kilometra larg qendrës së Tiranës, ka një sipërfaqe rreth 25,000 metra katrorë dhe ka 7 kate ndërtimi. Do të ketë një kapacitet prej rreth 220 shtretërish dhe do të punësojë rreth 400 persona. Stafi mjekësor do të jetë si grek ashtu edhe shqiptar.
I gjithë arredimi dhe dizajni i spitalit është model amerikan, ku çdo pavijon do të ketë jo vetëm hapësirën e dedikuar, por edhe stafin e specializuar.
Në këtë spital do të kryhen të gjitha llojet e operacioneve, duke filluar nga ato më të vështirat, siç është transplanti e deri te shërbimet e urgjencës apo edhe të obstetri-gjinekologjisë.
“Hygeia”, pjesë e “Marfin Investment Group” (MIG), synon që të bëhet një nga investitorët më të mëdhenj në Europën Juglindore dhe në Lindjen e Mesme. Në Athinë, zë një treg prej 202.2 milionë eurosh.
Në Shqipëri, investitorët e “Hygeia”, synojnë që të tërheqin edhe pacientë nga shtetet fqinje, si Kosova, Maqedonia apo edhe Mali i Zi.
Stafi që do të punësohet do të marrë trajnim, si në Shqipëri, Greqi ashtu edhe në vende të tjera të Europës. Në këtë spital mendohet se do të funksionojë edhe skema e sigurimeve shoqërore, por që do të realizohet me anë të një kompanie private që do të operojë në vend. Drejtuesit thonë se “Hygeia” do të jetë një spital i cili do të sjellë konkurrencë në çmime, duke mos synuar vetëm shtresën e lartë të njerëzve.
“Turizmi” shëndetësor në Greqi dhe Turqi
Greqia ofron një shërbim miks, si privat ashtu edhe shtetëror në shëndetësi. Spitalet private përbëjnë rreth 26% të shtretërve, ndërsa pjesa tjetër i takon shërbimit publik.
Në Greqi operojnë më shumë se 200 klinika private që kanë 15,000 shtretër, ndërsa ka rreth 144 spitale publike jofitimprurëse që zënë rreth 37,000 shtretër.
Shifra e shtretërve nuk është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e banorëve, ndaj dhe fqinji jugor renditet në vendet me nivelin më të ulët (për 1,000 banorë 5.1 shtretër). Klinikat private sigurojnë rreth 900 milionë euro në vit shitje shërbimesh. Kryesisht janë me kapacitete të vogla (nën 100 shtretër) dhe mbijetojnë falë shërbimit të sigurimeve shëndetësore publike.
Në Greqi, shërbimi shëndetësor ka një cilësi të lartë, por konsiderohet i kushtueshëm. Është e nevojshme që një person kur udhëton drejt këtij vendi, të ketë të mbuluar sigurimin shëndetësor në udhëtim ose mbulim privat nëse ka planifikuar një qëndrim të gjatë. Emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Greqi dhe që paguajnë rregullisht kontributet e sigurimeve shëndetësore kanë të drejtë të përfitojnë nga mbulimi shëndetësor.
Turqia është një nga vendet që po njeh gjithnjë e më shumë rritje të sektorit privat shëndetësor, duke përbërë 30% të totalit të këtij shërbimi. Në Turqi ka 820 spitale publike dhe 420 spitale private, këto të fundit përbëjnë një sektor që llogaritet në 6.89 miliardë dollarë. Vendi është duke ndërmarrë masa të mëdha për të rritur përqindjen në tregun e turizmit shëndetësor në 400 miliardë dollarë nga 120 miliardë dollarë që e ka aktualisht.
Afërsisht 200,000 turistë e vizitojnë Turqinë për këtë qëllim. Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë shërbime, si ai i kirurgjisë me lazer në sy, ndërhyje të kirurgjisë plastike dhe ekzaminime dentare.
Në vendet e Bashkimit Europian, shërbimi me lazer dhe kirurgjikal është i kushtueshëm nga 3-5,000 euro, ndërsa kësaj kostoje duhet t´i shtosh 1,500 euro për fluturimin dhe akomodimin.
Amerikanët janë kontingjenti më i mirë për spitalet turke pasi rreth 46 milionë njerëz nuk kanë sigurime shëndetësore, ndaj kompani të ndryshme i çojnë ata në vende të ndryshme. Që nga viti 2000, vende si Kuba, Hungaria, India, Izraeli, Jordania, Greqia, Lituania, Malajzia janë duke zhvilluar ekonomitë e tyre nëpërmjet turizmit të shëndetësisë. Së fundmi, këtë rrugë po e ndjek edhe Belgjika dhe Singapori.
Në Turqi shërbimet shëndetësore konsiderohen si relativisht jo të kushtueshme.
Në një nga spitalet më të njohura në Turqi, si “Acıbadem Health Group”, rreth 5% e përbëjnë pacientët e huaj që vijnë nga shtete si Rumania, Bullgaria, Kosova, Azerbajxhani, Ukraina, Gjermania, Holanda etj.
Drejt zgjerimit të investimit
Flet dr. Klodian Allajbeu, CEO i Spitalit Amerikan
Përfaqësoni një nga spitalet private kryesore në vend, përse u vendos të hyni në tregun shëndetësor privat në Shqipëri? A mund të jetë një arsye fakti se shqiptarët shpenzojnë për kurim jashtë, kryesisht në Turqi dhe Greqi?
Në vitet e mia si student i mjekësisë në Universitetin e Ankarasë, fenomeni i ardhjes së pacienteve shqiptarë për diagnostikim e trajtim në Turqi, tërhoqi vëmendjen jo vetëm timen, por edhe të investitorëve dhe profesorëve të nderuar që sot janë në krye të disa prej departamenteve tona. Në vitin 2006, kur ne hodhëm hapat e parë për themelimin e Spitalit Amerikan, kërkesa për një shërbim spitalor cilësor dhe bashkëkohor brenda vendit kishte kulmuar si për mungesë të vizave e pamundësisë për të lëvizur, ashtu edhe për çmimet e larta të shërbimeve të marra jashtë.
Përveç kësaj, besoj se kishte ardhur koha dhe ishin pjekur kushtet e përshtatshme për hapjen e tregut ndaj shërbimit privat spitalor, kjo edhe për të nxitur përmirësimin e shërbimit publik, që kishte vite që kishte rënë në letargji.
Cila ka qenë ecuria e spitalit, a ka qenë ajo brenda parashikimeve tuaja?
Ecuria e Spitalit Amerikan, jo vetëm ka qenë në lartësinë e menduar, por i ka tejkaluar gjithë pritshmëritë. Spitali sot shërben me një staf prej 430 punonjësish, në 26 specialitete të ndryshme dhe numëron 110,000 paciente të regjistruar, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet fqinje. Në fillimet tona, askush nuk e kishte menduar se shumë shpejt do të ndjenim nevojën e zgjerimit dhe ja ku jemi sot, me një spital të dytë në Fier, të hapur vitin e kaluar dhe një të tretë në Durrës të sapoçelur.
Hapin tonë të madh do ta hedhim sigurisht në fund të verës me hapjen e një spitali të dytë në Tiranë, që jo vetëm do të dyfishojë kapacitetet tona, por do të ofrojë shërbime elitare për sa i përket shëndetit pre dhe post natal të nënës dhe fëmijës, neurokirurgji, kirurgji pediatrie, diagnostikim prenatal dhe gjenetik etj. Me të gjitha këto, investimi total kalon shifrën 25 milionë euro.
çfarë shërbimesh ofroni, cilat janë më të kërkuara?
Numri mesatar i pacientëve të regjistruar për herë të parë në një vit është pothuajse 40,000. Sigurisht që është më i madh numri i pacientëve që ekzaminohen në një vit, duke pasur parasysh se pasi kanë provuar një herë cilësinë e shërbimit në Spitalin Amerikan, këta pacientë rikthehen, si për kontrolle periodike parandaluese, ashtu edhe për kontrollet post operatore etj. Nga lista jonë e shërbimeve, ekzaminimeve dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, që e kalojnë 2,200 në numër, nuk do të veçoja dot një grup të veçantë për ta paraqitur si referencë për çmimet, por mund t´ju them me siguri se çmimet në Spitalin Amerikan justifikojnë plotësisht cilësinë e shërbimit dhe janë të optimizuara bazuar në kostot dhe pritshmërinë e tregut, si dhe mjaft konkurruese me strukturat e tjera më të vogla private. Shërbimet më të kërkuara sigurisht që përcaktohen nga patologjitë që prekin më shumë shqiptarët, por jo vetëm. Të qenit lider i padiskutueshëm në kardiologji – kardiokirurgji, kirurgji ortopedike dhe në atë të syrit, në gjinekologji apo onkologji, urologji apo transplante të veshkave, na ka bërë kryesisht të zgjedhur për këto specialitete. Por edhe ekzaminimet laboratorike, imazheria e avancuar apo kirurgjia plastike janë ndër ato që kërkohen më shumë.
Si e shikoni konkurrencën në këtë treg, cilat janë pikat e forta?
I besoj parimit se konkurrenca sjell evolucion, përmirësim. Sigurisht që nuk mund të flasim ende për një konkurrencë të pjekur sa kohë që konkurrentët nuk janë në të njëjtat pozita, por si ne, çdo sektor tjetër edhe në shërbimin privat spitalor, konkurrenca duhet të ekzistojë për të ofruar diversitet dhe zgjedhje, por edhe për të qenë në fund të fundit edhe me imponues ndaj iniciativave, që priten nga qeveria lidhur me shërbimin privat. Spitali Amerikan ka një superioritet të dukshëm, sepse është tashmë ne treg prej më shumë se tre vitesh dhe është lider i padiskutueshëm në shërbimin spitalor privat. Me krenari mund t´ju them se jemi e para dhe e vetmja strukturë shëndetësore në vend e certifikuar për cilësinë sipas standardeve ISO 9001:2008 dhe po ecim me hapa shumë të shpejtë drejt akreditimit nga autoriteti më i lartë JCI. Iu kemi dhënë përparësi shumë shërbimeve dhe specialiteteve, që nuk kanë ekzistuar më parë në vend dhe që kanë minimizuar lëvizjen e pacientëve jashtë vendit. Të specializuarit në një shërbim të caktuar nuk ndodh ashtu menjëherë, duhen vite dhe për më tepër njerëz të specializuar. Për sa i përket kësaj të fundit, jam i mendimit se burimet njerëzore, tashme të trajnuar dhe me eksperiencë të konsiderueshme në shërbimin privat spitalor, janë një nga pikat ku mbështetemi fuqishëm. Krahas kësaj, të qenit shumë pranë pacientëve me qendrat tona edhe në Fier dhe Durrës, na bën të jemi një hap përpara.
A mendoni se shqiptarët janë të gatshëm të shpenzojnë në shërbimin privat?
Sipas statistikave të vitit 2000 të INSTAT, në atë kohë shqiptarët shpenzonin rreth 3% të të ardhurave vjetore për trajtim shëndetësor, ndërsa sot, dhjetë vjet më vonë, statistikat tregojnë se kjo shifër i kalon 7%. Pra, ka një rritje të kujdesit ndaj shëndetit. Rritja e të ardhurave, sensibilizimi ndaj sëmundjeve të ndryshme, si dhe rritja e kulturës së kontrolleve periodike për të parandaluar, ka sjellë zgjerimin e tregut. Për fat të mirë sot, krahasuar me vite më parë, jemi në gjendje t´u shërbejmë jo vetëm pacientëve brenda vendit, por edhe atyre që na drejtohen nga vendet fqinje. Kështu, sot, 15% e numrit të pacientëve të Spitalit Amerikan e përbëjnë shtetas nga Kosova. Pra tregu po zgjerohet edhe përtej kufijve dhe në spitalin tonë një rëndësi e veçantë i është dhënë edhe turizmit mjekësor që ka filluar të japë frytet e para. Së shpejti, Shqipëria mund të jetë destinacion për ndërhyrje kirurgjikale apo trajtime specifike.
A funksionon tek ju skema e sigurimeve shëndetësore dhe në çfarë mënyre?
Për fat të keq, ende, sikundër jeni në dijeni, skema e sigurimeve shëndetësore nuk ka përfshirë shërbimin privat spitalor. Sigurisht, që kjo është barrë e dyfishtë për pacientin, sepse ndërkohë që me vite të tëra ka paguar sigurimet për të marrë shërbim falas nga shteti, në mungesë të shërbimit cilësor, është i detyruar ta marrë këtë në spital privat dhe të paguajë një çmim të konsiderueshëm, për më tepër edhe TVSH. Para se të arrihet në një përfshirje të mirëfilltë të spitaleve private në skemën e sigurimeve, që duket se do të vonojë, mund të lehtësoheshin pacientët nga barra e TVSH-së. Megjithatë për t´u përgëzuar janë iniciativat e ndërmarra nga qeveria për mbështetjen e disa shërbimeve jetike për grupe të caktuara pacientësh, si transplanti i veshkave, hemodializa apo implanti koklear. Me mbështetjen që qeveria u jep pacientëve me insuficiencë kardiake qendra e Nefrologji Hemodializes në Spitalin Amerikan ka kryer 17 transplante të veshkës dhe u shërben me tre turne 48 pacientëve të hemodializës.
Si e shikoni të ardhmen e këtij shërbimi në Shqipëri, çfarë duhet të përmirësohet?
E ardhmja e shërbimit spitalor privat do të pasqyrojë pak a shumë atë çka ndodh sot në vendet fqinje dhe më të zhvilluara se ne. Konsolidimi i shërbimit privat do të jetë i pashmangshëm dhe kryesisht shërbimi shëndetësor do të bazohet në qendrat private. Sigurisht pa harruar se duhet patjetër të jetë komplementar me shërbimin privat, duke marrë më të mirat e secilit në atë çka ata janë të specializuar. Për sa i përket përmirësimeve, janë shumë. Jemi ende në fillimet e këtij sistemi.
Përfshirja e shërbimit privat në skemën e sigurimeve do të ishte hapi kryesor. Kontrolli rigoroz i licencimit për hapjen e strukturave private dhe më tej mbikëqyrja e cilësisë dhe vijueshmërisë së këtyre strukturave është po aq e rëndësishme. Nuk duhet të kemi të bëjmë me një treg ku investon në shërbim spitalor çdokush që ka mundësi financiare. Shërbimi spitalor është i një specifike të veçantë. Ka nevojë për ekspertizë, profesionalizëm dhe për burime të konsiderueshme njerëzore, ndaj çdo investim duhet të kontrollohet me seriozitet para licencimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.