Pas të dhënave se rezervat e naftës dhe gazit të Shqipërisë mund të krahasohen me ‘elefantin’, Ministria e Energjetikës ka hartuar projektligjin që i hap rrugën zhvillimit të ankandeve për blloqet e lira. Brenda këtij viti pritet të zhvillohen ankandet e para, ndërkohë që numri total i blloqeve të lira përllogaritet në 13
Nga Laura Çela
Brenda këtij viti pritet të hapet ankandi për blloqet e lira të naftës dhe gazit në vend. Me miratimin e projektligjit për kalimin e blloqeve të lira nga “Albpetrol” në Autoritetin Kombëtar të Burimeve Natyrore (AKBN), i hapet rruga fillimit të procedurave për dhënien me konkurrim të këtyre blloqeve. Paralelisht po përgatitet edhe një set rregullash mbi të cilat do të zhvillohet procedura konkurruese.
Projektligji është tashmë në shqyrtim nga institucionet qeveritare dhe pas miratimit në ekzekutiv do të marrë ‘ok’ edhe në Parlament.
E gjithë procedura, duke përfshirë edhe miratimin e projektligjit në Kuvend, pritet të përfundojë brenda kësaj legjislature për të nisur më pas organizimin e ankandeve. Projektligji në thelb sanksionon kalimin e blloqeve të lira që janë nën pronësinë e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, tek AKBN, e cila më pas do të mund të organizojë edhe dhënien e tyre me koncesion.
Drejtuesit e Ministrisë së Energjetikës, prej nga ku ka nisur edhe kjo nismë, nuk kanë një datë të saktë se kur mund të nisë zhvillimi i ankandeve, por konfirmojë për “Monitor” se brenda këtij viti, diku nga muaji shtator, duhet të fillojë edhe kjo procedurë.
Ende nuk ka një përcaktim nëse të gjitha blloqet e lira të naftës do të dalin të gjitha njëherësh në ankand, apo do të realizohen disa ankande. Këto procedura mbeten për t’u përcaktuar pas miratimit të projektligjit dhe hartimit më pas nga Ministria e Energjetikës të hapave që do të ndiqen.
Ministria ka iniciuar ndryshimin e rregullores aktuale duke parashikuar për herë të parë procedura konkurruese. Synimi kryesor është për të pasur transparencë dhe për t’i dhënë këtij procesi seriozitetin maksimal.
“Kërkimet e fundit të Shell-Petromanas për naftë dhe rezultatet paraprake padyshim kanë nxitur interesin e madh të kompanive të huaja dhe si rrjedhim është parë e udhës që për fushat e lira, gara të jetë sa më transparente dhe e hapur.
Për momentin nuk mund të flasim për emra kompanish, por ato do të mund të mësohen në vijim të procesit”, thonë burime zyrtare në Ministrinë e Energjetikës.
Shanset për naftë
Rezervat natyrore të gazit dhe naftës janë të shtrira në të gjithë vendin dhe falë kërkimeve të realizuara kryesisht gjatë 1989-1998 është mundur të draftohet një listë e blloqeve të lira, që janë vlerësuar të kenë rezerva. Në të gjithë vendin përllogariten 13 blloqe të lira naftë dhe gaz (12 në tokë dhe 1 në det).
Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva që arrijnë deri në 400 milionë tonë naftë. Sipas burimeve zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore, rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara.
Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë hektarësh është burimi më i madh natyror i naftës në të gjithë Europën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçish naftë në vit.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka sot rezervën më të madhe të naftës dhe gazit në Europë, duke ngjallur interesin e shumë gjigantëve ndërkombëtarë.
Në vend, janë tashmë disa firmat e huaja që kanë marrë leje nga qeveria për të kërkuar, për të nxjerrë dhe për të përpunuar naftë e gaz.
Qeveria ka marrëveshje për eksplorimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit me kompani të tilla si: Islandrockall JV. dhe Australian Beach Petroleum Ltd, Capricorn Albania Ltd, një degë e kompanisë Cairn Energy company, Petromanas Albania Gmbh, Bankers Petroleum Albania dhe Sky Petroleum.
Marrëveshje të tjera janë nënshkruar për prodhimin dhe zhvillimin e fushave ekzistuese të naftës dhe gazit me Bankers, Stream Oil & Gas, Sherwood International Petroleum dhe IEC Visoka.
Sot, kompanitë ndërkombëtare dhe ato lokale të naftës po ndjekin me kureshtje rezultatet e kërkimit dhe shpimit që po ndërmerr në vendin e vogël të Europës një kompani amerikanoveriore.
Në fakt, Shqipëria, së fundmi ka tërhequr shumë vëmendjen e të “mëdhenjve të naftës” për shkak të potencialit të depozitave të naftës që në një artikull të “goldseek.com” që krahasohen me “elefantin”.
Dhe kjo vëmendje është shtuar ndjeshëm edhe pas deklarimeve të ministrit shqiptar të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, se qeveria ka vendosur për hapjen e procedurës me “tender të hapur” për dhënien me koncesion të disa blloqeve që konsiderohen të kenë sasi të konsiderueshme nafte edhe gazi. “Tender i hapur” nënkupton një ankand të madh ku ofertuesi me ofertën më të madhe shpallet fitues.
Marin Katusa, shef i Investimeve në Energji në kompaninë “Casey Research”, thotë se ministri nuk do ta ndërmerrte këtë vendim nëse vendi nuk do të kishte rezerva të konsiderueshme. Ai thotë se nga vizita në rajon ka mbetur i habitur nga potenciali i rezervave.
“Nga studimet që ne kemi ndërmarrë, kemi mbetur të impresionuar nga puna e realizuar nga Petromanas Energy (PMI.V), e cila është përpjekur që të kenë standardet botërore me gërmimet që po ndërmerr në Europë. Unë kam parë kompani që bëjnë kërkime masive të kësaj kategorie në vende si Afrika e Jugut.
Nga ana tjetër, Shell, një nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare të këtij sektori, po investon 70 milionë dollarë për të fituar 75% të projektit. Ne nuk kemi parë një ekspozim kaq të madh ndaj rrezikut, me synimin për fitime në periudhë afatgjatë”, thotë Katusa, i cili në bashkëpunim edhe me CEO-n e Petromanas, Glenn McNamara, kanë realizuar një studim “Casey Energy”.
Pasi ka testuar dhe shpuar me sukses Shpirag-2 në fillim të këtij viti, Petromanas Energy Inc. po kërkon tashmë të përsërisë të njëjtën fitore me Molisht-1, që është skeduluar për testime në tremujorin e dytë 2014 dhe do të ndiqet nga Shpirag-3, që synon të arrijë thellësinë totale, përfundimin dhe testimin deri në tremujorin e tretë të vitit 2015.
Nga ana tjetër, edhe kompania Stream Oil & Gas Ltd (TSX-V: SKO) njofton se ka nisur shpimet për gaz në fushën e Delvinës në Shqipëri. Kompania parashikon dhe prodhimin e rreth 5 MMcf/në ditë gaz për vitin e parë me një kosto totale prej rreth 15 milionë dollarë. Te pusi i hapur pritet të fillojë testimi në qershor 2014. Kombinuar me prodhimin nga puset ekzistuese vertikale, Stream pret që në 2014, në Delvinë, prodhimi i gazit të arrijë në rreth 7 MMcf/në ditë. Deri në vitin 2017, në Delvinë është parashikuar që të prodhohen rreth 20 MMcf/ditë gaz karburant. Perspektivat janë që kjo zonë do të shënojë rënie në vitet e ardhshme, por prodhimi i gazit do të rritet nga zonat e tjera pranë Delvinës.
Rezervat e naftës në zonën e Shpiragut mund të arrijnë nga 500 deri në 800 milionë fuçi dhe ky mund të jetë një nga zbulimet më të rëndësishme të naftës në rajon për vitet e fundit.
Ndërkohë, nëse në zonën e Molishtit do të zbulohen “gjurmë” nafte, atëherë shanset janë që zona e Beratit, të shndërrohet në një nga zonat naftëmbajtëse më të mëdha në vend, pas Patos-Marinzës.
Duke përfituar nga përvoja analoge e Shell në Itali, kompania thotë se po pret analizën për rezultatet e të tre puseve, që do të jenë përcaktuese për nivelin e suksesit të aseteve shqiptare.
Sipas njoftimit të kompanisë, “pas një zbulimi të suksesshëm të gazit dhe naftës në Shpirag-2, Petromanas, së bashku me Shell (75%), do të përfundojnë zbulimin edhe të dy zonave në Berat, duke filluar me Molisht-1, shpimet në të cilin po vazhdojnë aktualisht dhe që pritet të arrijnë thellësinë totale deri në mesin e vitit 2014, të ndjekur nga Shpirag-3, që pritet të fillojë në tremujorin e tretë 2014.
Duke supozuar se të dy këto puse do të realizojnë nivele të ngjashme suksesi të atyre të gjetura në Shpirag-2, ne po presim rritje të vlerësimeve për rezerva”
“Duke marrë mësimet e nxjerra nga Shpiragu-2 , ne mund të shmangim problemet e hasura më parë. Ne tani jemi përpara shpimit të një pusi të madh me qëllimin për të arritur potencialin për produktivitet nga shpimi”, thotë Glenn McNamara, CEO i Petromanas.
Petromanas Energy Inc. është një kompani ndërkombëtare nafte dhe gazi, e fokusuar në kërkimin dhe zhvillimin e aseteve të saj në Shqipëri. Petromanas, ndërmjet zyrës së saj përfaqësuese, ka dy kontrata me ndarje prodhimi (KNP) me qeverinë shqiptare.
Blloqet e lira
Kërkimet për blloqet e lira të naftës dhe gazit në vend nisën para viteve 1990.
Në vitet e fundit të regjimit komunist, ekonomia e rrënuar nuk mund të mbështeste më me investime sektorin e kërkimit të naftës dhe gazit. Në këto rrethana u ndryshua kursi i deriatëhershëm dhe u kërkua thithja e investimeve të huaja në kërkimin e naftës dhe gazit. Për këtë arsye, gjatë periudhës 1989 deri në vitin 1998, në territorin shqiptar janë zhvilluar tre raunde licencimi për kërkimin e hidrokarbureve.
Raundi i parë i licencimit në det është zhvilluar gjatë viteve 1989-1991. Gjatë këtij raundi u promovua gjithë sipërfaqja detare, e ndarë në 5 blloqe kërkimi, kryesisht në detin Adriatik:
Blloku i Rodonit me OMV
Blloku Adriatiku 2 me AGIP
Blloku Adriatiku 3 me Occidental
Blloku Adriatiku 4 me Chevron
Blloku Joni 5 me Hamilton (BHP
Raundi i parë i licencimit në tokë është zhvilluar në periudhën 1992-1994. Në dispozicion të kompanive të interesuara u vunë blloqet A, B, C, D, E, F dhe u nënshkruan kontrata me kompanitë Shell, INA Naftaplin, Corexland.
Gjatë këtij raundi, kompania INA Naftaplin u licencua edhe për një marrëveshje që ajo lidhi për bllokun e Panajasë me kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol.
Në periudhën 1996-1998 u zhvillua raundi i dytë i licencimit në tokë. Gjatë këtij raundi u promovua edhe gjithë pjesa e mbetur e territorit shqiptar, dhe konkretisht blloqet 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, prej nga u lidhën kontrata me ndarje prodhimi me kompanitë Occidental, Corexland, OMV. Në vijim procesi i licencimit ka qenë i hapur dhe një sërë kompanish janë licencuar mbi bazën e aplikimeve të kryera prej tyre.
Në total, numërohen 13 blloqe të lira të naftës dhe gazit në vend. Ato janë të shtrirë në zona të ndryshme të vendit dhe për të gjithë janë kryer kërkime të mëparshme dhe është konkluduar se ka potencial për rezerva. Kryesisht ato ndodhen në zonën lindore dhe juglindore, ndërkohë që më pak rezerva vlerësohet të ketë në Veri të vendit.
Blloqet kryesore
Blloku i Dumresë
Ndodhet në pjesën qendrore të Shqipërisë, midis qyteteve Elbasan në verilindje, Kuçova në jug dhe Lushnja në perëndim.
Rezervat e pritshme: 110-140 milionë fuçi naftë.
BLLOKU i VELÇËS
Ndodhet në pjesën jugore të Shqipërisë, rreth 10 km në juglindje të qytetit të Vlorës. Rezervat: Duke marrë parasysh gjithë faktorët që ndikojnë në rezervat e naftës dhe duke llogaritur disa variante të ndeshjes së tyre, rezervat e pritshme mendohet të luhaten nga 14.2 milionë fuçi deri në 69 milionë fuçi.
BLLOKU i PANAJASË
Ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, rreth 3 km në veri të qytetit të Vlorës. Rezervat: Duke marrë për llogaritje vlerat limit të përdorura për vlerësimin e rezervave, rezulton se këto të fundit luhaten nga 25 milionë fuçi naftë (varianti më minimal) deri në 101 milionë fuçi.
Blloqe në det
BLLOKU VERIU i RODONIT
Përfaqëson pjesën më veriore detare. Në perëndim kufizohet me kufirin ndërkombëtar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë; në lindje kufizohet me Blloqet A dhe B në tokë, ndërsa në Jug nga blloku i Durrësit. Puset kryesorë: Në këtë bllok dhe përreth tij (në det) janë shpuar puset Rodoni-1, JJ-1, 2, 3, dhe JJU-1. Ndërsa në tokë janë shpuar Ad-2, Fk-1, Thu-1, 2, Mil-2, 26, Mil-28, Pul-1, 2, 3, dhe 4, të cilët ndihmojnë për interpretimin në thellësi. Në këtë bllok janë evidentuar prospekti i Drinit (i përbërë nga Drini-1, 2 dhe 3) për naftë dhe strukturat A dhe B për gaz. Në strukturën e Drinit (për të tria ngritjet Drini 1, 2 dhe 3) rezervat e pritshme, të mundshme për t’u nxjerrë, llogariten në 362 milionë fuçi naftë.
Albpetrol, rritet prodhimi 55%
Kompania shtetërore e prodhimit të naftës bën të ditur se prodhimi i naftës aktualisht ka arritur në rreth 125 ton/ditë, me një rritje prej 55%, kundrejt një viti më parë.
Tetor 2013 kur administrata e re mori drejtimin e shoqërisë situata ishte si më poshtë:
Në janar të vitit 2014 Albpetrol ka paguar për herë të parë dividend në shumën e rreth 5.000.000 USD, në një kohë kur gjatë gjithë periudhës 8 vjecare 2005-2013 është paguar dividend vetëm 3.000.000 USD.
Shoqëria kishte akumuluar një borxh mbi 31 milionë USD ndaj Ministrisë së Ekonomisë për Dividend, ndërkohë që kompanitë koncesionare dhe shoqëri te tjera private nga ana e tyre kishin akumuluar mbi 88 milionë USD borxhe ndaj Albpetrolit.
Albpetrol parashikon që gjatë vitit 2014 do të shlyejë 20 milionë USD nga shumat që i detyrohet buxhetit te shtetit ndër vite për dividentët e papaguar.
Brenda muajit qershor 2014 Albpetrol sh.a do të paguajë një tjetër këst të dividendit të prapambetur. Kësti do të jetë me vlerë rreth 5.000.000 USD
Investimet kryesore të kompanisë për këtë vit janë:
Pompat me burmë, një investim prej 220.000.000 lekësh të reja
Blerje Botesh, një investim prej 60,000,000 lekësh të reja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.