Sipas manjatit të teknologjisë, karrierat më të rëndësishme do të jenë inxhinieria dhe ato që kërkojnë ndërveprime njerëzore.
Elon Musk ka bërë shumë parashikime për të ardhmen e shoqërisë dhe rolin që do të luajnë kompanitë e tij Tesla dhe SpaceX. Milioneri ka opinione shumë të forta dhe nuk ka frikë t’i shprehë ato në intervista, konferenca, madje edhe në rrjetet sociale. Këtë herë, ai foli për ndikimin që do të ketë Inteligjenca Artificiale në punët e së ardhmes dhe përmendi karrierat që do të jenë më të sigurta.
“Inteligjenca Artificiale do t’i bëjë disa punë të jenë të panevojshme,” tha Musk në Konferencën Botërore për Inteligjencën Artificiale javën e kaluar.
Në këtë event, ai u pyet nëse njerëzit duhet të shqetësoheshin për këtë. Zhvillimi i teknologjive të reja ka bërë gjithnjë që shumë lloje punësh të dalin nga tregu, por ka gjeneruar edhe nevoja të reja. Ҫështja është të dish të përshtatesh. Megjithëse një makineri mund të bëjë punën që dikur e bënte një njeri, tani duhet dikush që të kontrollojë makinën.
Sipas Musk, njerëzit që dinë të zhvillojnë softuerë të Inteligjencës Artificiale ose të programojnë makineritë janë më të avantazhuarit. Megjithatë, do të vijë një pikë kur Inteligjenca Artificiale të mund të shkruajë vetë softuerin e saj. Pra, cilat punë janë të sigurta?
Prodhimi dhe shpërndarja në të gjithë sektorët është me shumë mundësi në duart e teknologjisë. Ajo që do të nevojitet në këtë shoqëri futuriste do të jetë ndërveprimi njerëzor.
“Nëse jeni duke punuar në diçka që përfshin profesionet ku njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin ose inxhinierinë, ka shumë gjasa të jetë një fokus i mirë për të ardhmen tuaj”, përfundoi Musk. / Entrepreuner