Elton Çaçi: Produktet shqiptare, pikën e fortë e kanë tek potenciali cilësor

10/07/2014 11:20 AM 0 komente

Pas një lufte të madhe gjyqësore, z. Elton Çaçi iu rikthye në pronësi një sipërfaqe e konsiderueshme e përbërë nga pyje dhe kullota në zonën që quhet Tre Urat. Më pas ai mori nismën që të shfrytëzonte këto hapësira, duke respektuar tipologjinë e zonës. “Fillimisht projekti im fillon në 2009-n për të kultivuar rrushin, sepse zona ku ndodhet kjo sipërfaqe në luginën e Vjosës ka një klimë shumë të përshtatshme për këtë.Për të qëndruar më konkretisht tek blegtoria, dua të flas pak për llojet e kullotave që kemi atje. Këto kullota shtrihen në malin e Nemërçkës. Në një lartësi prej 700 metrash mbi nivelin e detit, ose 400 metrash mbi nivelin e Vjosës, janë ato që ne i quajmë kullotat dimërore. Ndërsa në lartësinë nga 1200 metra deri në 1600 metra mbi nivelin e detit, janë ato që quhen kullota verore, të pasura me burime ujërash minerale dhe një shumëllojshmëri produktive lulesh dhe barërash që përbëjnë këto kullota. Kjo na shtyu konkretisht të mendonim për mbarështimin e deles”, – thotë Çaçi.

Kullotat në fjalë janë shfrytëzuar gjithmonë nga tufat e zonës si edhe, gjatë kohëve të fundit, nga ato të ardhura nga Saranda. Ndërkaq, nuk është se ka pasur një strategji të mirëfilltë të shfrytëzimit të kullotave apo të mbarështimit të bagëtisë nga banorët e zonës.

Përpara se të fillonte veprimtarinë blegtorale, Çaçi shpjegon se ai ndërmori një studim të zonës për të zgjedhur racën ideale të deles për mbarështim. “Mbasi studiova disa lloje racash me ndihmën e specialistëve shqiptarë, austriakë dhe italianë, dolëm në përfundimin se raca më e përshtatshme për tipologjinë e kullotës tonë dhe jugun në përgjithësi është delja sarde. Kjo është një racë deleje që vjen nga Sardenja, siç e thotë edhe emri, me një rendiment të konsiderueshëm qumështi, por që është e aftë të jetojë edhe në stallë gjatë muajve të dimrit kur është shumë ftohtë por edhe të ushqehet në kullotë në gjendje të lirë”, – thotë ai.

Delja sarde jep deri në 220 litra qumësht në vit, me një periudhë laktacioni pak më të gjatë se delet e tjera. Lloji i qumështit i kësaj race deleje është i vetmi, me të cilin prodhohet pekorino i famshëm italian.

Në lidhje me punësimin ekzistojnë mundësi në sektorin e blegtorisë. Por problemi qëndron se shumë familje rurale kanë krerët e tyre të pakta, dhe e kanë të pamundur të punojnë në një fermë të madhe dhe të kujdesen edhe për bagëtinë e tyre. Ndërkaq, Çaçi shpjegon se edhe për këtë është arritur një zgjidhje. “Në Shqipëri, shumica e fshatarëve kanë nga pak dele nëpër shtëpi tyre (6-10 krerë) e kanë të vështirë për t’i lënë ato për të ardhur për të filluar një punë të mirëfilltë. Ne kemi raste kur kemi organizuar një bashkëpunim me fshatarët e zonës, që ato pak krerë dele që kanë, t’i marrin me vete, duke iu vënë në dispozicion kjo kullotë cilësore. Si rrjedhojë, ata njëkohësisht bëjnë punën e tyre për të cilën paguhen, por kanë mundësinë të mbajnë edhe bagëtinë e tyre. Është një zgjidhje e kënaqshme për fshatarët. Ndërkaq, momentalisht është pak e vështirë të gjendet kjo lloj zgjidhje për të gjithë sepse lloji i bagëtisë që ata kanë, dhe e sjellin me vete është e një tjetër race. Gjithashtu, kemi ndihmuar fshatarët të vaksinojnë kafshët e tyre dhe kontrollet. Me kalimin e kohës, ne po përpiqemi të sjellin ndryshim të racës, të paktën në zonën ku jemi aktivë”, – thotë ai.

Marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, Çaçi e shikon si një mundësi aksesi me produktet shqiptare në tregun europian.“Marrja e statusit për vend kandidat në Bashkimin Europian do të thotë patjetër një afrim me Europën. Një afrim në lidhje me ato tregje, tek të cilat ne dëshirojmë të mbërrijmë me produktin tonë. Gjithashtu kjo do të thotë edhe më shumë detyra për ne, për të arritur nivelin dhe standardizimin, që të jemi të afërt”, – thekson ai.

Nëse Shqipëria do të futet të konkurrojë me tregun përtej kufijve, sipas Çaçit, produktet shqiptare duhet të ndjekin kryesisht trendin e cilësisë se sa të sasisë. Pasja e një tregu më të madh se ai shqiptar të bën të mendosh në një mënyrë globale lidhur me produktin që arrin të prodhosh dhe të komercializosh. Shqipëria duke qenë një vendi i vogël, me disa karakteristika specifike, në lidhje me produktin që mund të ofrojë, është mirë që të mbetet në kuadrin e atyre produkteve, që ne i quajmë të “nikies”. Pra të karakterizohet më tepër nga vetitë cilësore se sa nga sasia. Vetë Shqipëria është e vogël dhe nuk ka mundësi të mbysë tregjet europiane apo botërore. Ndërkaq, mendoj se produkti shqiptar, përveç faktit e të qenurit bio, pikën e fortë e ka në shijen shumë të veçantë, të papërsëritshme e autentike”, – shpehet Çaçi.

Nëse Shqipëria do të futet të konkurrojë me tregun përtej kufijve, produktet shqiptare duhet të ndjekin kryesisht trendin e cilësisë se sa të sasisë. Pasja e një tregu më të madh se ai shqiptar të bën të mendosh në një mënyrë globale lidhur me produktin që arrin të prodhosh dhe të komercializosh

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of