Është emetuar Eurobondi me vlerë 650 milionë euro, me afat shlyerje 10-vjeçar, ky është maturimi më i lartë që Shqipëria ka marrë në emetimin e titujve kombëtar. Në një dalje për mediat, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, sqaroi se Eurobondi do të përdoret për likuidimin e financimit të nevojave të qeverisë për vitin 2021 dhe 2022.
“Shqipëria ka dalë për herë të 5 në tregjet ndërkombëtare, ky operacion u mbyll me sukses dje. Eurobondi u emetua me vlerën 650 milionë euro dhe afat maturimi 10-vjeçar. Kuponi i Eurobondit ishte 3.5%, ndërsa norma e interesit afatgjatë ishte 3.75%. Krahasuar me dy Eurobondet e fundit, ky pati një kupon që është në vlerë të barabartë me 2020, por këtë radhë ka një veçanti, zgjatja e maturimit është 3 vite më lart, maturimi më i lartë që Shqipëria ka marrë në emetimin e titujve ndërkombëtarë.
Emetimi i Eurobondit ka rëndësi të madhe për likuidimin e financimit të nevojave të qeverisë për vitin 2021 dhe kryesisht për vitin 2022 dhe ka garanci të lartë për vendin tonë në tregjet ndërkombëtare. Do të përdoret për mbështetje buxhetore që lidhet me projekte madhore që qeveria ka, projekte të mëdha infrastrukturore, lidhet me nevojat për mbështetje të sektorëve kryesorë, shëndetësia, arsimi, bujqësia, pra për reformat madhore që qeveria ka””.
Ministrja tha se borxhi nuk është i pëlqyeshëm për asnjë qeveri, por justifikohet me rritje të qëndrueshme ekonomike, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare synon një rënie graduale të borxhit publik.
“Borxhi nuk është i pëlqyeshëm për asnjë qeveri, por ka edhe elemente pozitive. I pari është se përkthehet në investime dhe rritje ekonomike. Nga ana tjetër, një tregues i rëndësishëm është raporti i rritjes ekonomike me deficitin. Ky raport duhet të jetë i barabartë me 1. Pra borxhi duhet të justifikohet me rritje të qëndrueshme ekonomike. Sigurisht që ky është një tjetër raport që ka përmirësime nga viti në vit dhe në vitin 2020, treguesit kryesorë patën goditje të madhe pandemia dhe tërmeti.
Në fund të vitit 2021 presim që 82.2% dhe më pas të vijojë rënia graduale ku do të jetë 1% për çdo vit, por synimet tona janë që të jetë më e ulët. Në dy daljet e kaluara, afati i maturimit ka qenë 7-vjeçar, ndërsa në daljet e mëparshme, afati i maturimit ka qenë 5-vjeçar. Për këto synime do të punojmë vitin e ardhshëm”, tha Ibrahimaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.