Flet Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GmbH
EHW është një nga grupet më të mëdha të fokusuara në industrinë përpunuese në vend. Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GmbH, pohon se fenomeni i emigracionit ka ndikuar në zvogëlimin e tregut dhe gjetjen e fuqisë punëtore, ndërkohë që dhe pagat e ulëta janë një tjetër faktor që nuk e nxisin konsumin.
Ai shton se ndërhyrja më efikase për të ngadalësuar fenomenin e emigracionit është rritja e pagave. Fenomeni ka filluar, por ai do të çojë në rritjen e kostove të ndërmarrjes dhe për pasojë, rritjen e çmimeve.
Shumë ndërmarrje do të humbasin aftësinë konkurruese dhe do të mbyllen, duke favorizuar importin. Z. Leka rekomandon se përballë këtij fenomeni të pandalshëm do të ishte me vlerë ndërhyrja e shtetit për uljen e ngarkesës fiskale mbi pagat, që sot kalon 40% të pagës neto.
Si ka qenë ecuria e kompanisë në vitin 2021? Sa shpejt i arritët nivelet e parapandemisë?
Pandemia, sidomos në vitin e parë të saj, krijoi për të gjithë vendin vështirësi të panjohura më parë. Megjithatë, sistemi i industrive ushqimore nuk e ndali punën dhe dëmet ishin të kufizuara. Kompania EHW arriti të ruajë kuotat e mëparshme të prodhimit edhe gjatë pandemisë, ndërsa në vitin 2021, të ardhurat ishin 25% më të larta se periudha 2018-2019.
Aktiviteti juaj është i përqendruar në tregtinë me pakicë. Si e vlerësoni ecurinë e konsumit në vend? A konstatoni ndikime nga emigracioni i vazhdueshëm i popullsisë, sidomos të rinjve dhe ku konkretisht?
“Core business” i EHW mbetet aktiviteti prodhues. Me kohë, ne kemi shtuar retail-in dhe distribucionin. Të dhënat që kemi nga tregu nuk dëshmojnë rritje të konsumit. Mendoj se kjo vjen për shkak të mosrritjes së popullsisë, por edhe nga ritmi i ulët i rritjes së pagave.
Filozofia që na ka udhëhequr në punën tonë ka qenë prodhimi dhe tregtimi i produkteve të sigurta e me kërkesa të larta për cilësinë, sigurisht duke menaxhuar me shumë kujdes edhe kostot e prodhimit. Për pasojë, edhe target-grupi i zgjedhur ka qenë ai i konsumatorëve me të ardhura të mesme dhe të larta.
Duhet të pohojmë se kjo zgjedhje na ka shpërblyer, pasi edhe konsumatorët me të ardhura më të ulëta kanë preferuar të blejnë mbase më pak, por produkte më cilësore e më të sigurta. Për fat, ky grup konsumatorësh ka rezultuar në rritje, pavarësisht mosrritjes së konsumit në përgjithësi.
Fenomeni i emigracionit, natyrisht që ndikon në zvogëlimin e tregut. Mendoj se fenomeni do të vazhdojë, ne diçka mund të bëjmë për ta frenuar, por jo për ta ndalur. Mjaft t’i referohemi një shembulli, atij të vendeve si Bullgaria apo Rumania, të cilat pas hyrjes në BE kanë humbur 10-12% të popullsisë. Dhe, për fat të keq, ata që largohen janë kryesisht të rinjtë.
Sa e vështirë është gjetja e fuqisë së kualifikuar punëtore dhe çfarë efektesh sjell ajo në ecurinë e pritshme të aktivitetit? Në cilët sektorë është më problematike mungesa e fuqisë punëtore?
Është e dukshme vështirësia për të gjetur punonjës, si të kualifikuar, por edhe të pakualifikuar. Gjithashtu turnover i personelit ekzistues është i lartë, aq sa në sistemin e shitjeve retail apo të supermarketeve arrin në 30% në harkun e një viti.
Kjo do të thotë që 1 në 3 punonjës largohet nga vendi i punës. Fakti dëshmon si problemin për gjetjen e personelit zëvendësues, por edhe vështirësinë për krijimin e personelit të ri për ta formuar profesionalisht.
Pyetja e parë që lind është: – Pse lëvizin?
Arsyeja kryesore është emigracioni. Të rinjtë largohen për perspektivën e një jete më të mirë, që fillon me paga më të larta.
– Ç’duhet të bëjmë për ta frenuar këtë fenomen? – vjen pyetja në vazhdim.
Ndërhyrja më efikase, detyrimisht, është rritja e pagave. Fenomeni ka filluar, të shohim sa do të arrijmë të bëjmë për të frenuar hemorragjinë e ikjeve.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që rritjet e pagave do të çojnë në rritjen e kostove të ndërmarrjes dhe për pasojë, rritjen e çmimeve. Shumë ndërmarrje do të humbasin aftësinë konkurruese dhe do të mbyllen, duke favorizuar importin.
Përballë këtij fenomeni të pandalshëm do të ishte me vlerë ndërhyrja e shtetit për uljen e ngarkesës fiskale mbi pagat që sot kalon 40% të pagës neto. Shqetësuese është edhe vështirësia në gjetjen e teknikëve të kualifikuar, të domosdoshëm për industritë si mekanike, elektrike, elektronike, edhe duke ofruar paga të larta. Kjo tregon që sistemi i shkollave profesionale vazhdon të mos funksionojë mirë.
Viti 2022 po karakterizohet nga një nivel i lartë inflacioni. Sa e ndiejnë kompanitë tuaja presionin e çmimeve të larta në konsum dhe si ka ndryshuar sjellja konsumatorë në këtë periudhë?
Jemi në kushtet e një inflacioni galopant, që filloi me çmimet e energjisë dhe karburanteve dhe po vazhdon me rritjen e çmimeve të lëndëve të para si kurrë me parë. Krahasuar me një vit më parë na rezulton i rritur me 60% çmimi i mishit të bardhë të pulës, lënda e parë bazë për proshutat.
Është rritur me 20-25% çmimi i mishit të derrit dhe me 15-20%, çmimet e produkteve ushqimore në tërësi. Nuk di të them se sa është e bazuar apo spekulative kjo rritje, por fakt është që ne po e pësojmë në një rritje të paparë të kostove.
Përballë kësaj situate, jemi të detyruar të rrisim çmimet, por gjithnjë në një nivel më të ulët se rritja e kostove.
Na shqetëson reagimi i tregut dhe tendenca për uljen e konsumit. Kjo vë në diskutim realizimin e të ardhurave të parashikuara për vitin në vazhdim.
Si e ka ndryshuar pandemia dhe situata globale aktuale përqasjen ndaj menaxhimit të riskut dhe burimeve njerëzore? Cilat janë planet tuaja për zgjerim të mëtejshëm dhe si kanë ndryshuar ato pas zhvillimeve te fundit globale?
Për momentin, pandemia duket një rrezik i harruar, megjithatë frika mbetet se mund të ringjallet në dimrin e ardhshëm. Ajo që na shqetëson është situata globale e inflacionit, që për ne do të thotë kosto të larta për energjinë dhe lëndët e para.
Për fat të keq, tregu vendas nuk është në gjendje të na furnizojë lëndë të para dhe ne jemi ndër të paktët sektorë, në mos i vetmi, i cili paguajmë taksë doganore për lëndët e para të importit. Të gjitha këto çojnë në uljen e konkurrueshmërisë së industrive tona ushqimore.
Pavarësisht këtyre rrethanave jo të favorshme, programet e investimeve nuk mund të ndalen, vetëm duhet të rishikohen, duke konsideruar rrezikun e rritur.
Investimet në teknologji do të jenë të vazhdueshme edhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja për të eksportuar. Gjithashtu, i pandërprerë do të jetë edhe investimi për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit tregtar.
Ndërsa për menaxhimin e burimeve njerëzore, siç e përmenda më lart, rritjen progresive të pagave e konsideroj ilaçin kryesor. Për të bërë të mundur që ndërmarrjet ta përballojnë këtë duhet të ulët niveli i taksimit mbi pagat.
Cilët sektorë i vlerësoni më potencialë për të investuar në të ardhmen e mesme dhe afatgjatë?
Do të veçoja si sektor që paraqet interes të veçantë për të investuar, atë të prodhimit të energjisë së pastër. Këto investime do t’i stimulonte heqja e kufirit limit që i ndalon operatorët privatë të instalojnë, për nevojat e tyre, më shumë se 500 kW.
Sektori i turizmit në bregdet padyshim që ka kushtet natyrore për t’u zhvilluar.
Ndërsa industria përpunuese paraqet interes të madh për çdo vend që do të ketë progres të qëndrueshëm. Ajo ka kapacitetin të nxisë prodhimin e lëndëve të para, duke filluar nga ato të fermës, gjeneron punësimin dhe sidomos krijon kulturën industriale.
Për fat të keq, tregu i vogël vendas nuk i favorizon investimet në industri, duke konsideruar kostot e larta të teknologjive moderne. Për këtë arsye, industria përpunuese duhet të projektohet për të realizuar produkt për eksport.
Sa interes ka industria përpunuese për tërheqjen e investimeve të reja dhe çfarë duhet bërë për t’i nxitur më tej ato?
Industria përpunuese ka dhe do të ketë nevojë gjithnjë për investime të reja, qofshin vendase apo të huaja, të cilat do të ndihmonin për të zvogëluar hendekun që kemi me vendet e zhvilluara. Mendoj se ka disa faktorë të rëndësishëm që do të ndikonin në interesin për investime në këtë fushë dhe eficiencën e tyre. Do të përmendja:
– Unifikimin e legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të BE-së, që do të ndihmonte në besueshmërinë e produkteve vendase e do të nxiste eksportet.
– Rishikimin e ligjeve ekzistuese që favorizojnë ekzistencën e tregut informal, i cili përbën një pengesë serioze për rritjen e ndërmarrjeve.
– Krijimin e një fryme më pozitive në marrëdhëniet shtet-biznes.
Për këtë të fundit do të duhej një vullnet i mirë për të ndryshuar shumë ligje me karakter tepër ndëshkues për bizneset dhe një frymë krejt tjetër në inspektime, jo fryma e ndëshkimit me çdo kusht, që për fat të keq dominon.
200 VIP-at e vitit 2021. Rreziqet pas rimëkëmbjes së shpejtë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.