Emigracioni e ka ulur ndjeshëm numrin e mjekëve për banorë, të fundit në Europë

14/01/2021 11:02 PM 0 komente

Emigracioni i lartë, së fundi i përqendruar në individë të aftësuar po i vë në vështirësi disa profesione jetike për një popullatë.

Një studim i profesorëve Gëdeshi dhe King zbuloi se numri i mjekëve për banorë ka rënë ndjeshëm në Shqipëri si rezultat i emigracionit gjatë periudhës 2000-2018.

Në vitin 2000. Shqipëria kishte 140 mjekë për 100.000 banorë, në vitin 2016 kishte 120 dhe në vitin 2018, ky tregues ra në 110 mjekë.

Studimi thekson se, numri i mjekëve, infermierëve dhe mamive për 100.000 banorë në Shqipëri, i cili është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së (384 mjekë në vitin 2016), por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar.

E njëjta tendencë rënëse vërehet edhe për infermierët dhe mamitë. Migrimi ndërkombëtar i stafit mjekësor, kryesisht në Gjermani, është një nga faktorët kryesorë që shpjegon këtë ulje, cilësojnë ekspertët.

Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13% e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.

Ndërsa numri i infermierëve që kanë emigruar nga Shqipëria gjatë periudhës 2014–2019 llogaritet në rreth 8.500 persona. Krahas kësaj, edhe shpërndarja e personelit shëndetësor në territorin e vendit – si pasojë e migrimit të brendshëm – është e pabarabartë.

Thuajse 51 % e mjekëve janë përqendruar në Tiranë dhe në shumë rrethe të prapambetura të vendit ka mungesë të mjekëve specialistë. Ulja e mëtejshme e numrit të mjekëve dhe infermierëve, ashtu si dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre në territorin e vendit, do të sillte jo vetëm përkeqësimin e treguesve shëndetësorë të popullsisë, por edhe valë të reja të migrimit të brendshëm dhe ndërkombëtar, thonë ekspertët e studimit.

Ata shprehen se tendenca e lartë e emigrimit potencial, sidomos për disa grupe studentësh të fushave të caktuara, përbën një shqetësim dhe duhet të tërheqë vëmendjen e gjithë shoqërisë. Kjo mund të rrisë mungesat në segmentin e sipërm të disa profesioneve shumë të nevojshme në Shqipëri.

Në vend që të maturohet, fenomeni i emigracionit po përkeqësohet vit pas viti duke përfshirë së fundmi të rinjtë e arsimuar të cilët dëshirojnë të largohen masivisht nga vendi. Rezultatet e një anketë me 1650 studentë që u prezantuan dje treguan se 79 % e studentëve (mosha mesatare 22 vjeç), që studiojnë në Shqipëri, synojnë të emigrojnë jashtë vendit.

Lexo edhe këtë: Anketa e madhe me studentët, 79% duan të emigrojnë

Raporte të tjera e rendisin Shqipërinë ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë (OBSH).

Më të dhënat që i referohen vitit 2016 Shqipëria kishte vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë (kjo shifër tashmë është më e ulët për shkak të emigracionit të mjekëve, duke zbritur në 11 mjekë për 10 mijë banorë në 2018).

Maqedonia e Veriut ka 29 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia (31), Mali i Zi (27), Bosnja (22). Rekordin në Europë e mban Greqia, me 55 mjekë për 10 mijë banorë. Italia e ka këtë tregues 40, Gjermania 42.5, Suedia (e vetmja që nuk e mbylli ekonominë nga koronavirues) e ka rreth 40, Austria 51.7.

Më pak mjekë se Shqipëria kanë vetëm vendet afrikane (disa kanë edhe më pak se 1 mjek për 10 mijë banorë, psh në Kongo me 0.7 mjekë). Shqipëria ia kalon dhe shteteve të tilla si Indisë (8.6), Pakistanit (9.8), Afganistanit (2.8).

Në botë, më shumë mjekë ka Lituania, me 63 për 10 mijë banorë. Kina e ka këtë tregues 20, Rusia 37.5, SHBA-të 26.

Burimi: Studimi, Gëdeshi, King

Lexo edhe këtë:

Harta e OBSH-së: Shqipëria ndër vendet me numrin më të ulët të mjekëve në botë, ia kalojmë vetëm Afrikës e Indisë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of