Flet Ani Dino, drejtoresha e përgjithshme e “Sinteza Co”
Drejtoresha e përgjithshme e kompanisë “Sinteza Co”, znj. Ani Dino, në intervistën për “Monitor”, thotë se të rinjtë shqiptarë kanë një dëshirë “të shfrenuar” për të emigruar jashtë dhe kjo ndihet më shumë te sektori i teknologjisë informatike.
Rritja e emigracionit, sipas saj, ka shtuar vështirësitë për gjetjen e punonjësve, në një periudhë kur kërkesa për punësime të reja është e lartë. Për rritjen e cilësisë së punonjësve, përfaqësuesja e kompanisë “Sinteza Co” rekomandon se trajnimi i vazhdueshëm i të punësuarve mbetet zgjidhja kryesore për rritjen e cilësisë profesionale.
Si ka ndikuar rritja e përdorimit të teknologjisë nga bizneset te kërkesa për profesionistë IT?
Në Shqipëri, kërkesat për implementimin e teknologjive të reja kanë ardhur në rritje, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt te kërkesa për punonjës. Normalisht, ka një arsye për këtë: kompanitë, edhe ato SMB, kanë kuptuar se teknologjia ndikon drejtpërsëdrejti në eficencë (ulje kostosh) dhe sado të jetë investimi fillestar, do të kompensohet me rritje performance, si rrjedhojë me rritje të të ardhurave e fitimeve.
Me rritjen e kërkesës, rritet edhe nevoja për staf. Mendoj se është e dukshme që edhe dëshira e të rinjve për të ndjekur studimet e larta në fusha të ndryshme të teknologjisë, si e ardhmja në tregun e IT-së, është një garanci për karrierën dhe të ardhurat personale.
A arrin ta përballojë tregu shqiptar kërkesën për punonjës?
E ka përballuar fare lehtësisht deri para 3-4 vitesh, por me kalimin e viteve, po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Për fat të keq, siç shihet, nga çdo statistikë që na serviret rishtas, të rinjtë por edhe moshat e mesme kanë dëshirë të “shfrenuar” për të emigruar e për të kërkuar mundësi punësimi jashtë vendit. Shpesh, për fat të keq, largohen edhe për pozicione pune shumë më modeste nga ato që lënë në Shqipëri.
Fatkeqësisht mendoj se fenomeni është kthyer në një plagë për të gjithë sektorin tonë. Këtu po flas parimisht për potencialin që ofron tregu për sa i përket aspektit të një kualifikimi të vlefshëm në letër. Pastaj, se sa të përgatitur dalin realisht studentët nga bankat e universiteteve, mendoj se është një temë që duhet trajtuar shumë seriozisht në kontekste të tjera.
A jeni përballur me problematikën e mosgjetjes së punonjësve të rinj në treg? Po emigracioni, a konsiderohet faktor shqetësues?
Emigracioni, siç e përmenda edhe më lart është kthyer në një problem konstant dhe po hasim shumë vështirësi për adresimin e tij. Rekrutimi i të rinjve po bëhet gjithnjë e më i vështirë, në çdo sektor, por nga përvoja personale, kam konstatuar se sektori i IT-së mbetet më problematiku. Edhe në rastin kur gjen kandidat të mirë, ekziston gjithnjë rezerva se ata po shohin ndonjë mundësi për t’u larguar nga Shqipëria. Mendoj se është kthyer në trend, jashtë çdo logjike.
Si po vepron kompania juaj për rritjen e cilësisë së punonjësve, a po bën trajnime apo ka hapur ndonjë akademi për përgatitjen e mëtejshme të tyre?
Si te “Sinteza Co”, ashtu edhe tek të gjitha kompanitë e tjera IT serioze në vend, trajnimi i vazhdueshëm (CPD) është kusht i panegociueshëm për çdo punonjës, veçanërisht për ata të sektorit IT, ku inovacioni po ecën me ritme shumë të shpejta dhe PLC është shkurtuar ndjeshëm për t’u përshtatur me presionin që hasin bizneset për ulje kostosh e rritje eficiencë. Ne nuk kemi një akademi tonën, por ndjekim akademitë online dhe trajnimet hands-on të partnerëve tanë.
Mendoni se pagat e punonjësve të IT-së janë të mbivlerësuara, apo ato janë në përputhje me kërkesat e tregut të punës?
Më vjen shumë mirë dhe mendoj se është arsye krenarie për të gjithë sektorin tonë, që profesionistët e IT janë më të paguarit në Shqipëri. Kjo tregon sa të vlerësuar janë ata në punën e tyre. Fakti që kompanitë investojnë vazhdimisht t’i trajnojnë dhe t’i rrisin profesionalisht është një tjetër tregues. Mendoj, se mbivlerësimi në tregun e punës nuk ekziston si koncept, pasi kërkesë-oferta janë në lidhje të drejtpërdrejtë.
Gjithsesi, fakti që gjetja e kandidatëve të vlefshëm po vështirësohet, ka ushtruar presion te bizneset për të rritur pagat, edhe si një incentivim për ta mbajtur Shqipërinë një treg atraktiv pune për ta. Rezerva mbase kam për të rinjtë që kanë dalë nga bankat e shkollës. Duhet të jenë më realistë për pretendimet që kanë dhe të kenë më shumë dëshirë për të mësuar dhe për t’u përshtatur me rregullat. Në çdo profesion baza është disiplina.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.