Kur një politikan boshnjak njoftoi hapjen e 100,000 vendeve të reja të punës, të shumtë ishin ata që në Bosnjë besonin se gjysma e tyre do të ishin jashtë vendit.
Me rregulloren e re të Gjermanisë mbi emigracionin e punëtorëve të kualifikuar, një numër në rritje emigrantësh mund të shkojnë të punojnë në Gjermani, gjë që do të ketë pasoja për Bosnjën, raporton EURACTIV.
Radha e njerëzve përpara ambasadës gjermane në Sarajevë ka qenë përherë e gjatë, me qindra mijë njerëz që presin, pavarësisht kushteve atmosferike.
Ashtu si shumë boshnjakë, njerëzit që mbanin radhë përpara ambasadës donin të provonin fatin në shtetin gjerman. Një prej tyre është 32-vjeçari Anel Vojić, nga qyteti i vogël i Bihaćit në Bosnjën perëndimore, i cili qëndroi në pritje për 17 muaj. Edhe pse ai ka përfunduar studimet në shkollën e biznesit, asnjëherë nuk arriti të gjejë punë në profesionin e tij në Bosnjë.
“Nëse nuk je anëtar i një partie, është e pamundur të gjesh një punë me një pagë të mirë në Bihać. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë rritet edhe niveli i korrupsionit në këtë qytet, prandaj këtu është e pamundur të shpresosh se gjërat do të rregullohen”, shprehet z. Vojić. Puna e tij e fundit në këtë qytet ka qenë si truprojë, me një pagë 250 euro në muaj. Tani ai shprehet se nuk mund të vazhdojë të jetojë më në një qytet ku nuk sheh asnjë mundësi dhe prandaj ka vendosur të emigrojë në Gjermani.
Për të, ashtu si edhe për shumë të tjerë, nëpërmjet rregulloreve të reja që po nxjerr Gjermania, procesi i integrimit në një vend të huaj mund të bëhet më i lehtë. Me anë të një rregulloreje të re, Gjermania dëshiron të përshpejtojë procesin e aplikimeve, sepse aktualisht ekonomia gjermane po përballet me mungesë të fuqisë punëtore.
Në varësi të llojit të aplikimit, një personi që dëshiron të emigrojë në Gjermani, i duhet të presë nga tetë deri në dhjetë muaj, konfirmon për EURACTIV, Damir Kapidžić, profesor i shkencave politike në Universitetin e Sarajevës.
Për të rritur mundësitë e qytetarëve të kualifikuar nga vendet jo anëtare të BE-së për të marrë një vizë gjermane sa më shpejt të jetë e mundur, rregullorja gjermane mbi emigracionin e punëtorëve të kualifikuar (Fachkräfteeinimmungsgesetz, FKEG) është aktualisht duke u ndryshuar, dhe ajo do të shërbejë padyshim në mbylljen e hendekut në rritje në tregun e punës.
Në kontrast me rregulloren aktuale, rregullorja e re ka për qëllim të shfuqizojë të ashtuquajturin “kontroll prioritar”, i cili ka lidhje me detyrimin që kanë kompanitë e caktuara për të kontrolluar nëse një shtetas i BE-së (duke përshirë edhe ata nga Gjermania) do të ishte gjithashtu i përshtatshëm për një pozicion të lirë pune, përpara se në atë pozicion të punësohej një punëtor i huaj i kualifikuar. Përveç kësaj, rregullorja e re do të njohë edhe kualifikimet profesionale, si diplomën universitare, si dhe do të përshpejtojë procedurat.
Në Gjermani, rregullorja e re shihet si një situatë e ndarë në tre kampe, në atë të tregut gjerman të punës, punëtorëve nga shtetet që nuk janë anëtare të BE-së dhe vendet e tyre të origjinës. Për këtë qëllim, Gjermania po investon në vendet e origjinës, dhe po bën përpjekje për të bërë më të qëndrueshëm rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Por nëse kjo do të realizohet, edhe sa njerëz do të mbeten ende në vendet e origjinës në 15 apo 20 vitet e ardhshme?
Numri i vizave të lëshuara nga Ambasada gjermane në Sarajevë nga viti 2015 deri në vitin 2018 u rrit nga 7.400 në mbi 14.100 viza. Një numër i lartë aplikimesh për në Gjermani po bëhen aktualisht edhe nga Libani dhe Turqia.
Arsyeja e dyfishimit të numrit të vizave për në Gjermani ishte ligji “Westbalkan-Regelung”, i cili hyri në fuqi në fillim të vitit 2016. I ngjashëm me ligjin që është duke u diskutuar, ai lehtësoi shumë aksesin në tregun gjerman të punës.
Megjithëse aplikuesi duhej të kishte një kontratë pune nga një punëdhënës gjerman, atij nuk iu kërkua më asnjë dëshmi e kualifikimeve të mëparshme. Edhe pse përpunimi i këtyre aplikimeve kërkon padyshim kohë në dispozicion, gjë për të cilën shumë kompani nuk janë të gatshme të presin. Me diskutimet për vendosjen e rregullores së re, shpresat e shumë boshnjakëve për të marrë një vizë në një kohë më të shkurtër janë rritur.
Sektori i shëndetësisë, problematik
Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë Gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale tha për EURACTIV, se ishte detyrë e politikëbërësve boshnjakë të përmirësonin kushtet e jetesës në vendin e tyre, në mënyrë që të kufizohej edhe rrjedhja e trurit.
Ndërsa sipas zëdhënësit të Ministrisë Gjermane të Brendshme, “Rekrutimi i punëtorëve të kualifikuar nga jashtë vendit, nuk mund të ndikojë kurrsesi në dobësimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor në vendet në zhvillim”.
Sektori i shëndetësisë konsiderohet si një prej sektorëve me ndikimin më të lartë kur bëhet fjalë për emigracionin.
“Kërkesa globale për mjekë dhe infermierë është e lartë. Ata janë rekrutuar nga pothuajse të gjitha vendet e OBZHE-së, por fatkeqësisht duke rritur mungesën e tyre në vendet e origjinës”, tha z. Brücker. Ndërsa shprehet me pozitivitet për mundësitë që do të ofrojë emigracioni në sektorë të ndryshëm, kur vjen fjala për shëndetësinë, ai thotë se ky është ndoshta i vetmi sektor që mund të vuajë.
Qasjet gjithëpërfshirëse duhet të zhvillohen në këtë sektor, në mënyrë që të zvogëlohen pasojat negative, siç është edhe mbështetja për trajnim dhe arsimim në vendet e origjinës. Koalicioni midis Partisë Bashkimi Demokratik i Krishterë (CDU) dhe Bashkimi Socialist i Krishterë (CSU) po pengon aktualisht procesin legjislativ. Pasi ai u miratua nga kabineti në dhjetor të vitit të kaluar, duhet të ishte diskutuar në mars të këtij viti në Parlamentin gjerman.
Shoqatat e punëdhënësve në Gjermani paralajmërojnë se do të ishte një gabim shumë i madh, nëse çështjet për kërkim azili dhe ato të emigracionit të punëtorëve të kualifikuar të lidhen me njëra-tjetrën. Kjo do të dërgonte edhe një mesazh të gabuar politik. Sipas shoqatave të punëdhënësve, për të siguruar konkurrencën e ekonomisë gjermane si dhe për të siguruar prosperitetin tonë, ne do të vazhdojnë të varemi gjithnjë e më shumë nga punëtorët e kualifikuar nga jashtë vendit.
Z. Vojić tani ndodhet në Münster, ku aktualisht punon si pastrues xhamash në një kompani pastrimi. Shumë shpejt ai do të fillojë edhe një kurs për gjuhën gjermane, pas të cilit shpreson se do të gjejë një punë më të mirë.