Bizneset e Call Center, ato të fasonit, të industrisë së përpunimit dhe sektori publik i shëndetësisë, teknologjia e informacionit po vuajnë pasojat e ikjes në emigracion të forcës së kualifikuar të punës. Sipërmarrjet e rretheve, më të prekura nga fenomeni i emigracionit. Si po alarmohet shëndetësia për ikjen e mjekëve dhe zgjidhjet e qeverisë për fenomenin
Blerina Hoxha
Flukset migratore për azil ekonomik drejt BE-së, më shumë se një shok psikologjik për shoqërinë, duket se kanë vënë në zgrip aktivitetin e shumë sipërmarrjeve në vend.
Rreth 100 mijë personat që zgjodhën emigrimin gjatë 2015, kryesisht drejt Gjermanisë, ikën jo se nuk po siguronin mbijetesën e muajit, pasi shumë prej tyre qenë të formuar profesionalisht, të arsimuar dhe njohës të gjuhëve të huaja, por u deprimuan nga mungesa e perspektivës.
Shoqëria në tërësi e ka përjetuar më shumë si dhimbje fenomenin, por sakaq bizneset e call center dhe ato të fasonit kryesisht në rrethe sa nuk kanë prekur falimentin, për shkak të volumeve të papritura të ikjeve jashtë. Në shumë raste, aktiviteti i kompanive ka shënuar rënie me 50%, dhjetëra kontrata nuk u nënshkruan me investitorët e huaj për shkak të hendekut të shpejtë që u krijua në fuqinë punëtore.
Vala e ikjeve nga Shqipëria nuk ka infektuar vetëm sektorin privat. Administrata është vënë në vështirësi për të kryer funksionet për shërbimet publike. Ministria e Shëndetësisë është alarmuar se personeli i kualifikuar, mjekë dhe infermierë, pasi mbarojnë studimet në Shqipëri, zgjedhin të emigrojnë.
Industria e teknologjisë së informacionit është një tjetër sektor që po vuan ikjen e të talentuarve, që po tentojnë të gjejnë një punë jashtë vendit në profesionin që kërkohet nga të gjithë.
Megjithëse Shqipëria vazhdon të investojë për formimin dhe edukimin e personelit infermieror, një pjesë e tij po largohet nga vendi, të tërhequr nga njohja e diplomës dhe ofertat e punës për paga më të mira në vendet e Europës Perëndimore, si Italia, Gjermania etj., është shprehur Ministria e Shëndetësisë në një raport drejtuar qeverisë për mënyrën se si po ndikon emigracioni në shërbimet shëndetësore.
Veç të tjerash, dyndjet e mëdha të emigracionit gjatë 2015 kanë ndikuar në rënien e konsumit, por pakësimi i forcës punëtore, nga ana tjetër, ka vënë në vështirësi zhvillimin e bujqësisë në disa zona të Korçës, Kukësit dhe Dibrës, ku flukset emigratore kanë qenë të larta.
Një shtet nuk mund të funksionojë pa burimet njerëzore. Në vend që politika të alarmohet për këto ndodhi ka zgjedhur të bëjë indiferenten. Ka një arsye të qëllimshme në këtë mes, pasi emigracioni është pjesa më e dukshme e dështimit të politikës në këto vite. Fenomeni është lënë në heshtje i patrajtuar dhe pa mjete parandalimi. Vetëm gjatë vitit që shkoi janë larguar nga vendi gati 100 mijë persona, por projeksionet janë ogurzeza. INSTAT parashikon që në vitin 2024, forca e re e punës do të jetë e barabartë me numrin e atyre që do dalin në pension, çka do të thotë se, në kushtet ideale ku nuk do të ketë asnjë të papunë, pas 10 vitesh pensionistët nuk ka kush t’i zëvendësojë. Parashikimet tregojnë se, emigracioni sistematik do të vijojë deri në vitin 2031 dhe përveç qarqeve të Tiranës, Vlorës dhe Durrësit, të tjerat do të shpopullohen edhe me 40%. Vendi, për 25 vjet, ka humbur një të tretën e popullsisë dhe emigracioni vijon të jetë në nivele alarmuese. Eksperiencat botërore tregojnë se, cikli i migracionit në vendet tipike ka zgjatur 15 vjet dhe pas kësaj periudhe, numri i të kthyerve me të larguarit është barazuar. Në Shqipëri, hemorragjia e largimeve nga vendi ka hyrë në vitin e 25-të dhe bilanci mbetet thellësisht negativ. Kjo dukuri do të zgjasë edhe për të paktën 16 vite të tjera.
Industria e përpunimit, në presionin e ikjeve jashtë
Kompania I.N.C.A. Nord Fish, që ushtron aktivitetin në Lezhë në përpunimin e peshkut, i ka shpëtuar për pak falimentit, kur rreth 60% e fuqisë punëtore emigroi në vitin 2015. Alban Zusi, administrator i saj, thotë se sot e kësaj dite ende po ndihen pasojat e ikjes masive të punonjësve. Prodhimi nën kapacitete vuri në rrezik zbatimin e kontratave në fuqi me partnerët e huaj. Dy kontrata të reja që ishin duke u negociuar dështuan. “M’u desh një kohë shumë e gjatë që të rikuperoj fuqinë punëtore dhe humbjet e krijuara”, pohon Zusi. Të larguarit ishin punonjës të kualifikuar, kishin vite që punonin dhe disa prej tyre ishin edhe në pozicione drejtuese. Ikja e tyre ka lënë një hendek të madh në burimet e kualifikuara të fabrikës, të cilat vështirë të rikuperohen edhe për disa muaj. Vala e emigracionit në vitin 2015 duket të ketë qenë fatale më shumë për bizneset në rrethe. Flamur Hoxha, një biznesmen me përvojë në sektorin e fasonit tha se, bizneset e kësaj linje në rrethe po përjetojnë mjaft vështirësi nga largimi i fuqisë punëtore jashtë vendit, sidomos vitin e shkuar. Ndryshe nga Tirana, ku ka përqendrim të madh të popullsisë dhe emigracioni i 2015-s nuk ka lënë shumë pasoja, në rrethe situata ka qenë fatale. Bizneset fasone në qytetin e Lezhës, Shkodrës, Beratit e Korçës janë vënë seriozisht në vështirësi për ekzistencë. Siç pohojnë bizneset, kjo duket të ketë qenë arsyeja kryesore që në muajt shtator dhe tetor, bizneset në të gjithë vendin hoqën nga listat e sigurimeve mbi 70 mijë punonjës. Por, pavarësisht një klime të rënduar që erdhi nga faktorë të brendshëm, si rezultat i rritjes së taksave, luftës antiinformalitet dhe rënies së fuqisë punëtore nga faktorë të emigrimit, industria përpunuese vijoi të jetë me rritje në tremujorin e tretë të vitit 2015, me ritmet 7%, për shkak të rritjes së kërkesës së huaj.
Në një anketim për Bankën e Shqipërisë, bizneset e industrisë kanë pohuar se presin përmirësim të situatës ekonomike këtë tremujor, por jo të gjendjes së tyre të biznesit.
Bizneset e sektorit të industrisë vijojnë të vlerësojnë praninë e korrupsionit dhe të ekonomisë informale, si dhe problemet me keqfaturimin e energjisë elektrike, si faktorët që pengojnë ushtrimin normal të aktivitetit të tyre. Norma e shfrytëzimit në industri mbetet nën kapacitete, me vetëm 73.5%.
Emigracioni zhbalancon fasonin
Kompania e prodhimit të veshjeve, Cukali Co në Korçë, një nga më të mëdhatë në këtë qytet, ende sot nuk po rikuperon pasojat që krijoi emigracioni masiv i vitit të kaluar. Administratori i saj pohoi se, ende sot, për shkak të këtij fenomeni, po kalojnë ditë të vështira. Largimi i punonjësve ishte masiv, pasi ndryshe nga herët e tjera emigruan familjet dhe boshllëku në forcën punëtore u krijua menjëherë. Administratori i Cukalit thotë se humbjet më të mëdha u panë në punëtorët e kualifikuar me mbi 5 vjet në punë. Nga kjo situatë u krijuan probleme në përmbushjen e detyrimeve për porositë dhe kontratat u vunë në rrezik. Nga këto anomali u krijuan probleme me likuiditetet, pasi përkundrejt prodhimit të pakët, edhe të ardhurat cash ishim të ulëta. Zinxhiri i efekteve negative vuri në vështirësi edhe pagesat në kohë të punonjësve të mbetur në shumë raste.
Administratori i kompanisë Cukali shpjegoi se, i gjithë sektori i fasonit në Korçë po vuan pasojat e emigracionit. Fenomeni ka ardhur në tkurrje kohët e fundit, për shkak të rezistencës së vendeve pritëse dhe rikthimeve të para të të larguarve në verë. Por ai shpjegon se në të shumtën e rasteve, të rikthyerit nuk po zgjedhin të punojnë, në pritje të mundësive për një emigrim tjetër. Kërkesa për punonjës nga sektori i fasonit ka qenë e njëjtë, për shkak të interesit në rritje të partnerëve tregtarë – shpjegoi ai, por oferta për të punuar ka rënë ndjeshëm. Përpos një klime fiskale të përkeqësuar, industria e fasonit është bërë më pak konkurruese nga ikja e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Kjo situatë duket se ka ndikuar edhe në ritmet e rritjes së sektorit të fasonit dhe eksporteve gjithashtu. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2015, eksportet e tekstileve e këpucëve u rritën me 5% në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse e energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë veten në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë më 2014. Industria e tekstileve e këpucëve gjendet në udhëkryq, teksa kostot e punës në vend janë rritur, nga rritja e taksave, energjisë dhe tkurrja e fuqisë, duke e bërë më pak konkurrues sektorin.
Eksodi i call center
Nuk mund ta mendoni, por emigracioni i shtuar në 2015-n ka krijuar mangësi te ky sektor shërbimesh. Administratorë të disa call center thonë se u janë larguar punonjës të kualifikuar më parë aty dhe tani duhet të mendojnë për formime të tjera për ato vende pune. Agron Shehajt i ka rënë në sy se të rinjtë e larguar janë ata më ambiciozët, që e kishin me zell punën e që kishin arritur pozicione të mira brenda kompanisë. Nëse largohen për shkak të të ardhurave të pakta, në fakt largimet duhej të ishin nga operatorët, e jo drejtues. Sipas Agron Shehajt të kompanisë më të madhe call center në vend, IDS (Intercom Data Service) “pagat nuk ishin arsye parësore. Ata ankoheshin për një klimë të rënduar brenda vendit”. Duket se për shumë të rinj, pritshmëritë e larta pas zgjedhjeve të vitit 2013 nuk janë materializuar. Humbja e shpresës për perspektivën ka bërë që ata, edhe pse ishin të kualifikuar dhe të mirëpaguar, të shihnin emigracionin si zgjidhje. Kjo kategori ishte e mirarsimuar dhe më së paku me një gjuhë të huaj të zotëruar shumë mirë, duke ju dhënë atyre përparësi për t’u integruar më shpejt në vendet ku kanë kërkuar azil. Bizneset e call center duket se janë prekur në masë nga emigracioni që u shndërrua në një virus akut vitin që shkoi. Pavarësisht se punonjësit në këtë sektor ishin më të mirëpaguarit në krahasim me njësitë e tjera të shërbimeve, fakti që shumica e tyre nuk punonin në profesionin për të cilin kishin mbaruar studimet e larta qenë një arsye më tepër për t’u dhënë drejt emigrimit. Mospërputhja e madhe midis sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës, ka bërë që shumë punonjës ta shohin sektorin e call center si një zgjidhje të përkohshme.
Si po pakësohet forca e punës në rrethe
Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi), pohon INSTAT në një studim të posaçëm për projeksionet e popullsisë deri më 2030. Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet një rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin së reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve, analizon INSTAT. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.
Shërbimet shëndetësore në rrezik, ikin mjekët
Emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor, lajmëroi Ministria e Shëndetësisë në një material të zgjeruar për profilin e emigracionit më 2014.
Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.
Migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë, ka argumentuar dikasteri i shëndetësisë. Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë. Numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë, ndërkohë që numri i personelit infermieror është i krahasueshëm edhe me disa vende të Bashkimit Europian. Numri i mjekëve për 10 mijë banorë është 12.7.
Në vitin 2014, rreth 72% e personelit infermieror që punonte në zonat rurale ishte me arsim të lartë, 27% me arsim të mesëm dhe vetëm 1% me kurse 1–2-vjeçare.
Ministria e Shëndetësisë vë në dukje se megjithëse Shqipëria vazhdon të investojë për formimin dhe edukimin e personelit infermieror, një pjesë e tij po largohet nga vendi, të tërhequr nga njohja e diplomës dhe ofertat e punës për paga më të mira në vendet e Europës Perëndimore, si: Itali, Gjermani etj.
Shpërndarja jo e njëtrajtshme e personelit mjekësor sjell pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Megjithëse popullata gjatë këtyre viteve në zonat urbane është më e madhe se ajo e zonave rurale, nevojitet një shpërndarjeje më e mirë e mjekëve të përgjithshëm. Në disa zona ka rritje të ngarkesës për mjek kundrejt normës së mbulimit të popullatës. Braktisja nga ana e personelit shëndetësor të zonave të vështira rurale, si dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë vështirësojnë planifikimin e nevojave të burimeve njerëzore në këtë sektor.
Niveli i lartë i emigrimit të njerëzve të kualifikuar është një tjetër karakteristikë e migrimit shqiptar. Me fillimin e mijëvjeçarit të ri, modelet e migracionit dhe qëndrimi i shqiptarëve ndaj tij kanë ndryshuar për shkak të politikave shtrënguese të vendeve pritëse dhe intensifikimit nga Shqipëria të luftës kundër migracionit të parregullt. Gjatë periudhës 2012–2014, që përkon dhe me ndikimin negativ të krizës ekonomike në disa vende të BE-së, kthimi i emigrantëve, sidomos nga Greqia dhe Italia, u rrit. Qeveria shqiptare ka ofruar ndihmë.
Emigrimi i punonjësve të shëndetit, fenomen ballkanik
Në shtatë vitet e fundit, nga Rumania janë larguar 10,000 mjekë dhe infermierë, sipas vlerësimeve nga një organizatë e mjekëve. Shumica e të larguarve janë të rinj, në fillim të karrierës së tyre. Ata shprehen se nuk mund të jetojnë me një pagë fillestare prej 250 eurosh (205 paund, 340 dollarë) në muaj dhe ndryshe nga mjekët më të vjetër, nuk zotërojnë përvojën e mjaftueshme për të ngritur një klinikë private, paralelisht me punën e tyre në spitalet shtetërore. Një specialist mund të fitojë 1200 euro në muaj nga shteti, dhe të paktën dy herë këtë shifër në klinikat private. “Nuk ndiej obligim moral të qëndroj këtu, duke pasur parasysh se askush nuk po bën asgjë që ne të qëndrojmë”, thotë Andreea Rosca, student në mjekësi. Andreaa, 27 vjeç, ka në plan të bëjë valixhen sapo të diplomohet në Universitetin e Mjekësisë në Bukuresht këtë verë dhe të provojë fatin për karrierë mjekësore në Francë apo Zvicër.
Më shumë se gjysma e klasës së tij po planifikon të largohet nga Rumania, thotë ai, duke përmendur si zgjedhje Gjermaninë, vendet nordike, Francën apo Britaninë e Madhe. “30% e popullsisë rumune nuk paguan sigurim shëndetësor, sepse ata janë shumë të varfër”, – shpjegon dr. Cristian Posea, drejtor i spitalit Cantacuzeno në Bukuresht.
“Megjithatë, ata ende kanë të drejtën për kujdes mjekësor shtetëror”. Ai është krenar për pajisjet në spitalin e tij dhe përpjekjeve që ai dhe të tjerët bëjnë për të bindur mjekët dhe infermierët që të qëndrojnë. “Megjithatë mirëmbajtja e pajisjeve është problematike”, pranon ai.
Në repartin e terapisë intensive për lindjet e parakohshme, gjenden pesë foshnja në inkubatorë, nën kujdesin e një infermiere të vetme.
Në spitalet në Europën Perëndimore, raporti është afro një infermiere për dy foshnja, shpjegon dr. Marian Martin. Për foshnjat e shëndetshme, ka vetëm një infermiere për 14 foshnja.
Forumi Botëror: Emigracioni, rreziku kryesor për bizneset në Shqipëri
Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet globale më 2016.
Nga grafiku për Shqipërinë shihet se shkalla e lartë e emigracionit ka një potencial rreziku 78%, në një kohë që në rang global risku nga ky fenomen nuk është më shumë se 10%. Sipas Forumit Ekonomik Botëror në vitin 2016, biznesi rrezikohet nga emigracioni më shumë se nga çdo faktor tjetër që mund të vijë nga masat fiskale apo faktorë të tjerë të brendshëm. Bizneset e kanë pohuar këtë situatë pasi ikjet masive të 2015 kanë çuar në mbyllje të përkohshme të aktivitetit për disa ndërmarrje. Në pesë grupet e mëdha të rreziqeve, ekonomik, social, ambiental, gjeopolitik dhe teknologjik, Shqipëria bën pjesë në grupin e dytë me emigracion të lartë dhe krizë fiskale, të cilat sipas studimit, ndikojnë në një klimë jo të mirë për të bërë biznes.
Rreziku i dytë më i madh i Shqipërisë për këtë vit, përveç emigracionit, shihet të jetë kriza fiskale me një nivel risku 65.6% në një kohë që mesatarja globale nuk është më pak se 30%. Si rrezik të tretë për këtë vit për Shqipërinë, Forumi Botëror Ekonomik llogarit çmimet e energjisë elektrike me ndikim në 64.1%, nga më pak se 30 që është mesatarja globale.
Papunësia renditet si rreziku i katërt me një potencial ndikimi 50%, ku mesatarja globale në këtë indikator është 40%. Mosfunksionimi i mekanizimit financiar shihet si indikator me risk 35.9%, ku mesatarja globale është më pak se 20%. Të tjera rreziqe konsiderohen planet e pakontrolluara urbane dhe krizat politike etj. Po kaq rrezik konsiderohet një situatë kolapsi në çmimet e energjisë, të cilat mund të arrijnë nivele shumë të ulëta apo edhe shumë të larta.
Ngjarjet ekstreme të motit (p.sh. përmbytjet, stuhitë, etj., dhe dëmet mjedisore) janë po aq rrezik sa treguesit klasikë të ekonomisë.
Plaket popullsia
Migrimi i brendshëm dhe ndërkombëtar vazhdon të ndikojë në pakësimin dhe plakjen e popullsisë, krahas uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë. Në vitin 2014, në popullsinë e Shqipërisë, të rinjtë (0–14 vjeç) zinin 19,7% të popullsisë, popullsia në moshë pune (15–64 vjeç) zinte rreth dy të tretat (68,8%), ndërsa popullsia mbi 65 vjeç zinte rreth 12% të popullsisë së vendit, raportohet në profilin e zgjeruar të emigracionit 2012-2014 që qeveria ka miratuar këto ditë.
Qeveria, vitin që shkoi, ndërmori një referomë të re në sistemin e pensioneve për t’i paraprirë kolapsit që do të vijë nga plakja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë, i cili është faktori kryesor për një lindshmëri të ulët.
Shqipëria sot ka një popullsi të re, por parashikimet afatgjata tregojnë se në të ardhmen do të ketë një plakje të popullsisë. Rritja e pjesës që zë popullsia mbi moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, shoqërohet me një rënie të pjesës që zë popullsia në moshë pune.
Kjo plakje e popullsisë do të sjellë edhe një rritje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili nga 23% në vitin 2012 rritet në 41% në vitin 2030, analizon INSTAT. Më pas, ritmi i rritjes gradualizohet, duke shkuar në 56.8% në vitin 2055 dhe merr vlerën më të lartë, 68.9%, në vitin 2080. Sipas projeksioneve të INSTAT, numri i pensionistëve ndaj numrit total të popullsisë do të rritet gradualisht nga 19.1% në vitin 2012 në 28.3% në vitin 2040.
Norma e varësisë së sistemit, që shpreh raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve, do të rritet nga rreth 86 pensionistë për 100 kontribuues aktualisht, në rreth 120 pensionistë për 100 kontribuues në vitin 2032. Kjo vjen si rezultat i rritjes me një ritëm më të shpejtë të numrit të pensionistëve se sa kontribuuesve.
Për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve dhe rënies së numrit të popullsisë në moshë pune, treguesit financiarë të skemës së pensioneve do të vazhdojnë të përkeqësohen deri në vitin 2030.
Ritmi i rritjes së shpenzimeve do të jetë shumë më i lartë se ritmi i rritjes së të ardhurave, duke e bërë skemën edhe më të paqëndrueshme nga ana financiare. Si rrjedhim, deficiti aktual i skemës së pensioneve do të vazhdojë të thellohet, duke arritur pikën kulmore në vitin 2029.
Për t’i paraprirë zgjerimit të deficitit nga plakja e popullsisë, që këtë vit, mosha e daljes në pension për gratë nis e rritet me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032.
Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056. Në këtë rritje, jetëgjatësia te gratë është më e lartë se jetëgjatësia te burrat. Nëndrejtori i ISSH-së, Astrit Hado, tha se ndikim për përkeqësimin kanë dhënë lëvizjet demografike, nën ndikimin edhe të emigracionit të moshave të reja dhe tendencat e plakjes së popullsisë.
INSTAT: Të ikurit në 2014, më shumë se kthyerit, për herë të parë nga 2007
Që nga 2014, trendi i emigrimit jashtë vendit është thelluar. Të ikurit në raport me të kthyerit janë 2 mijë më shumë se në vitin 2013. Kjo tendencë pritet të jetë thelluar edhe më tej më 2015, nisur nga flukset e mëdha të ikjeve jashtë. Sipas INSTAT, në vitin 2014, emigracioni neto shënoi -18046 persona; në vitin 2013, ky tregues ishte -16 414 persona, por tendenca do të thellohet edhe më shumë këtë vit, pas ikjeve masive, sidomos nga qarqet e Veriut.
Gjatë 9-mujorit të 2015-s kanë kërkuar azil ekonomik në Gjermani rreth 70 mijë persona dhe ikjet vijojnë në përmasa jo të zakonshme. Emigracioni ka vazhduar të jetë një nga arsyet kryesore të rënies së numrit të popullsisë në Shqipëri gjatë periudhës midis dy censuseve të fundit 2001 dhe 2011.
Emigrimi në Shqipëri ka qenë fenomen i zakonshëm, i cili është ndërmarrë në shumicën e rasteve më shumë nga meshkujt, sidomos në periudhën 1989-2001. Megjithatë, dallimet gjinore në periudhën ndërmjet dy censuseve të fundit 2001-2011 nuk janë shumë të theksuara. Sipas vlerësimeve indirekte të INSTAT, gjatë kësaj periudhe rreth 481.000 shqiptarë kanë emigruar.
Censusi i fundit, në vitin 2011, evidentoi edhe një fenomen të ri, atë të migracionit të kthimit, i cili ndikoi në rritjen e migracionit neto dhe si rrjedhim, uljen e ritmit të zvogëlimit të popullsisë. Sipas studimit të bërë nga INSTAT “Migracioni i kthimit dhe riintegrimi në Shqipëri, 2013”, rezulton se gjatë viteve 2009-2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133.544 persona. Ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011 me rreth 1,5 herë, për shkak të krizës ekonomike në Eurozonë dhe kryesisht në Greqi. Tek të kthyerit, janë meshkujt ata që dominojnë krahasuar me femrat.
Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera të Europës, ka përjetuar një tranzicion demografik të vonë, por intensiv (rënia e vazhdueshme e lindshmërisë dhe vdekshmërisë).
Vdekshmëria filloi rënien e saj që nga vitet 1930, ndërsa lindshmëria qëndroi e lartë deri në vitet 1960.
Prandaj vendi përjetoi një ndër normat më të larta të rritjes së popullsisë në Europën e pasluftës (mbi 2% në vit), duke sjellë një rritje të popullsisë nga 1,218 milionë në vitin 1950 në një maksimum prej 3,182 milionësh në vitin 1989. Megjithatë, pavarësisht strukturës së re moshore, popullsia pësoi rënie deri në 3,069 milionë në vitin 2001 dhe më pas në 2,097 milionë në vitin 2011, çka korrespondon me një rënie vjetore respektivisht prej 0,3% dhe 0,8%. Emigrimi dhe normat e ulëta të lindshmërisë janë faktorët kryesorë të kësaj rënie.
Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizje është ulur në mënyrë progresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës, edhe pse në rënie, ndërsa vdekshmëria pësoi një rënie të lehtë duke mbetur pothuaj në nivelet 16-17 mijë në vit; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara, karakteristike për një popullsi të mbyllur.
Ndryshimet në lindshmëri dhe emigracion kanë ndikuar shumë strukturën moshore dhe gjinore të popullsisë së Shqipërisë.
Të kthyerit, të zhgënjyer
Për periudhën 2009-2013 janë kthyer gjithsej 133.544 shtetas shqiptarë të moshës 18 vjeç e lart. Situata financiare e të kthyerve krahasuar me atë jashtë vendit në kohën e vrojtimit ka ndryshuar ndjeshëm, sipas një studimi të INSTAT. Shumica e të kthyerve e shohin situatën e tyre financiare të pandryshuar (41.3%). 38.8% e tyre kanë situatë financiare më të rënduar pas kthimit, ndërsa vetëm për 20% situata financiare është përmirësuar. Pas kthimit të tyre në Shqipëri, pjesa dërrmuese e të kthyerve nuk ka ndërmarrë ndonjë investim, 92% kundrejt 8% që kanë investuar për të realizuar të paktën një projekt. Tre arsye janë më të qarta: 1. Kapital i pamjaftueshëm, që kufizon disponueshmërinë e burimeve financiare të nevojshme për të filluar një biznes; 2. Mungesa e ndonjë planifikimi paraprak për të bërë ndonjë investim në Shqipëri; 3. Mungesa e përvojës dhe trajnimit për investimin; Mes arsyeve të përmendura, të dhënat tregojnë që kufizimet administrative dhe institucionale, si dhe tregu i pamjaftueshëm janë arsye që nuk kanë lehtësuar investimet. Mes atyre që kanë investuar në vendin e tyre, 61.5% kanë hasur probleme gjatë investimit. Mes vështirësive të hasura, 52% e të kthyerve që kanë investuar në vendin e tyre kanë përmendur konkurrencën si vështirësi kryesore, të ndjekur nga kapitali i pamjaftueshëm (46%), mungesa e përvojës (40.0%), kufizimet administrative dhe sfidën menaxheriale që kanë qenë vështirësi për 39% të të kthyerve. 42.5% e migrantëve shqiptarë janë kthyer në Shqipëri së bashku me familjarët e tjerë. 77% e tyre janë shoqëruar nga bashkëshorti/bashkëshortja, ndërsa 19% dhe 35% janë ndjekur nga fëmijët e rritur dhe të mitur përkatësisht. Përgjigjja më e shpeshtë lidhet me krizën ekonomike dhe financiare që ka shkaktuar humbjen e punës në vendin e emigracionit për 63.2% të të kthyerve. Në përgjithësi, arsyet “problem” mbizotërojnë ndaj arsyeve “mundësi”. Vetëm 10.2% e të kthyerve janë kthyer me plane për investim në Shqipëri dhe 13.2% kanë shpresuar për mundësi më të mira pune. 5.4% kishin ngritur tashmë një biznes dhe ishin kthyer për ta menaxhuar. Një fakt interesant është që arsyet joekonomike si “Malli për vendin dhe traditat” kapnin një përqindje të ndjeshme prej 25.9% të përgjigjeve.
Shifrat tregojnë një raport me peshë të të kthyerve që vijnë në Shqipëri në fazat e hershme të ciklit të jetës së tyre, kur janë relativisht të rinj. Mosha më e zakonshme për t’u kthyer në Shqipëri është ndërmjet 25 dhe 29 vjeç. Përqindja e të kthyerve në moshë pensioni nuk është e lartë (rreth 6%), edhe pse prezumohet që shqiptarët punojnë jashtë vendit deri kur arrijnë moshën e pensionit dhe pastaj kthehen në Shqipëri. Meqenëse shumë punëtorë migrantë emigrojnë në moshën 20 dhe 30-vjeçare, mund të jetë shumë herët që të konstatohet migracioni i kthimit për dalje në pension – ata që kanë qenë 20 dhe 30 vjeç në vitin 1989, vetëm tani po i afrohen moshës së pensionit.
Raporti i qeverisë: Varfëria po nxit emigracionin
Në një raport për emigracionin në vitin 2014 që u publikua pak ditë më parë, qeveria ka gjetur se faktorët kryesorë të emigrimit të shtetasve shqiptarë janë me natyrë ekonomike, si papunësia dhe varfëria. Gjatë vitit 2013, ekonomia shqiptare shënoi rritje reale prej 1.4%, ndërsa në vitin 2014, rritja ekonomike ishte 1.9%. Gjithashtu, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në vitin 2013 arriti në 471 mijë lekë.
Ndikimi i rritjes ekonomike në sistemin e mirëqenies dhe, për rrjedhojë, edhe në prodhimin e flukseve migratore, lidhet me kontributin e degëve të ekonomisë në PBB dhe në punësim. Gjatë vitit 2013, kontributi kryesor në rritjen ekonomike erdhi nga shërbimet (44.7%), bujqësia (19%), ndërtimi (10.5%) dhe industria (12.5%). Ndërkohë, kontributi i sektorëve në punësim ishte shpërpjesëtimor, sidomos në rastin e bujqësisë dhe shërbimeve. Shërbimet thithin një pjesë të vogël të forcës së punës të formalizuar, ndërkohë që rezultojnë ndër sektorët me informalitet shumë të lartë.
Papunësia, informaliteti në ekonomi dhe në tregun e punës ushqejnë flukset migratore. Në fund të vitit 2014, papunësia ishte rreth 17.3%, ndërsa papunësia rinore (grupmosha 15–29 vjeç) ishte 32.5%.
Fluksi i azilkërkuesve i kthehet rritjes që nga 2013
Ndërkohë që fluksi i emigrimit të shqiptarëve në formë të parregullt është ulur ndjeshëm, fluksi i shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE-së është rritur gjatë viteve të fundit.
Vendet kryesore ku shtetasit shqiptarë kanë kërkuar azil janë: Gjermania, Greqia, Suedia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika. Arsyet kryesore të azilkërkimit kanë qenë ato ekonomike, duke çuar për rrjedhojë në nivele të larta refuzimin e kërkesës për azil nga vendet e BE-së. Harta e emigrimit të shtetasve shqiptarëve u formua nga valët spontane të emigrimit të viteve 1990. Shumica e emigrantëve u vendosën në Itali dhe Greqi. Në vitin 2008, në Greqi kishte 459,390 emigrantë shqiptarë të regjistruar, ndërsa më 1 janar 2014 ata arrijnë në 1,246,500 emigrantë gjithsej. Duke u nisur nga fakti se shqiptarët përbëjnë rreth 65% të emigrantëve, mund të dilet në përfundimin se në Greqi, në këtë kohë, ishin rreth 800 mijë emigrantë shqiptarë të regjistruar. Rritja e numrit të emigrantëve gjatë periudhës 2008–2014 ishte rezultat i flukseve të reja nga Shqipëria, por edhe nga vazhdimi i ritmeve të legalizimit të emigrantëve me qëndrim të parregullt në Greqi. Ndërsa në Itali, në fund të vitit 2014, ishin rreth 503 mijë emigrantë shqiptarë. Një pjesë e emigrantëve shqiptarë janë vendosur edhe në vende të tjera të BE-së, si: Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Francë, SHBA dhe Kanada.
Gjatë viteve të fundit, ritmet e legalizimit të emigrantëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë qenë të moderuara për shkak se shumica e tyre janë legalizuar gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2013, dy shtetet me numrin më të madh të lejeve të qëndrimit për shtetasit shqiptarë ishin Italia me 502,361 dhe Greqia me 340,841 leje qëndrimi.
Ato ndiqeshin me një diferencë të madhe nga Belgjika me 4,533, Franca me 3,761, Spanja me 1,337, Austria me 1,372 dhe Zvicra me 1,242 leje qëndrimi.
Në Suedi ka ndodhur një rritje më e madhe e numrit të lejeve të qëndrimit për shtetasit shqiptarë gjatë tre viteve të fundit. Një rritje e lehtë është konstatuar edhe në Greqi dhe Itali. Në grafikun e mëposhtëm pasqyrohet numri i lejeve të qëndrimit për shtetasit shqiptarë në vendet kryesore pritëse europiane në vitin 2013.12
Qeveria vë piketat për dekurajimin e emigracionit, ja ku do të ndërhyhet
Shifrat alarmante të emigracionit në vend kanë impenjuar qeverinë në hartimin e një dokumenti mbi profilin e emigracionit 2012-2014 gjatë muajit të fundit, ku janë dhënë edhe disa rekomandime për frenimin e rrjedhës emigratore.
Angazhimet e qeverisë për dekurajimin e flukseve migratore:
-Punësimi dhe mirëqenia sociale e të gjithë qytetarëve. Në këtë kontekst, krahas zbatimit të ligjshmërisë dhe forcimit të kuadrit rregullator në zhvillimin ekonomik, tregun e punës dhe sistemin e mirëqenies, vëmendja dhe burimet e zhvillimit duhet të përqendrohen më shumë në krijimin e vendeve të reja të punës, nxitjen e punësimit dhe reduktimin e papunësisë dhe të varfërisë. Kjo do të krijonte kushtet për reduktimin e flukseve migratore, nëpërmjet dekurajimit të faktorëve shtytës të emigrimit.
– Duke qenë se migrimi i brendshëm shërben si “trampolinë” për emigrimin e ndërkombëtar duket t’i kushtohet më shumë vëmendje dhe burime harmonizimit të politikave migratore me procesin e urbanizimit, integrimit, punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së popullsisë së zhvendosur brenda vendit.
– Duke u nisur nga fakti se dërgesat në para të emigrantëve janë përdorur kryesisht si mjet konsumi e mbijetese ekonomike, është e nevojshme që të ndërtohen mekanizma institucionalë, financiarë, bankarë dhe fiskalë për nxitjen e përdorimit të remitancave si burim investimi e zhvillimi. Forcimi i lidhjes midis migrimit dhe zhvillimit mund të realizohet edhe nëpërmjet harmonizimit të përdorimit të kapitalit financiar të emigrantëve me kapitalin human, social të krijuar gjatë përvojës migratore.
– Sinergjia midis migrimit dhe zhvillimit mund të mbështetet nga harmonizimi i politikave dhe masave për zhvillimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik me politikat për punësimin e
punëtorëve vendas, mbështetjen ndaj emigrantëve të kthyer dhe/ose përdorimin e remitrancave të emigrantëve si burim për investim në këto zona.
– Për të parandaluar dhe për të dekurajuar moshimin e popullsisë për shkak të mbizotërimit të moshave të reja në flukset migratore, është i nevojshëm dekurajimi i emigrimit të jashtëm të popullsisë në moshë të re, nëpërmjet përmirësimit të kushteve, mundësive, aksesit dhe integrimit të të rinjve në formimin profesional, arsimin profesional, arsimin universitar në degë të kërkuara nga tregu dhe në tregun e punës.
Është i nevojshëm dhe i mundshëm një harmonizim më i mirë i politikave të punësimit, dekurajimit të flukseve migratore, mbështetjes së emigrantëve të kthyer dhe përdorimit të dërgesave në para të emigrantëve, si burim investimi e zhvillimi me masat për nxitjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri.
-Ky harmonizim mund të bëhet produktiv, sidomos në sektorin e industrisë nxjerrëse dhe minierave, sektori i tretë më i rëndësishëm i investimeve të huaja, ku Shqipëria ka një forcë pune të kualifikuar, një pjesë e madhe e së cilës ndodhet jashtë tregut të punës. Dekurajimi i flukseve migratore kërkon politika më produktive për uljen e papunësisë rinore, pakësimin e numrit të të papunëve afatgjatë, ngushtimin e pabarazive në shpërndarjen territoriale të papunësisë, uljen e papunësisë në zonat rurale dhe bujqësi etj. Kjo mund të realizohet edhe nëpërmjet shtimit të incentivave për sipërmarrësit që punësojnë vajza dhe djem të rinj.
Rekomandimet për përfshirjen e migracionit në politikat sektoriale
– Problemet aktuale të emigrimit të shqiptarëve si dhe nevoja e lidhjes më të mirë midis emigrimit dhe zhvillimit shtrojnë nevojën e hartimit të një strategjie të re të menaxhimit të migracionit në vend.
– Shtrohet gjithashtu nevoja e vënies në eficiencë të burimeve ekonomike e financiare për përmirësimin e cilësisë së jetës në vend, si kusht për reduktimin e flukseve migratore.
– Masat e mësipërme duhet të harmonizohen me ashpërsimin e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore nëpërmjet kanaleve të emigrimit ilegal.
– Kufizimi i flukseve të emigrimit të trurit duhet të mbështetet nga politika, programe e masa që nxisin meritokracinë, konkurrencën dhe respektin ndaj arsimimit dhe kapitalit human të specialistëve të kualifikuar, sidomos jashtë vendit.
– Bllokimi dhe kufizimi i kanaleve të emigrimit të parregullt të shqiptarëve kërkon përmirësimin e menaxhimit të kufirit nëpër pikat kryesore të kalimit kufitar që shërbejnë si porta dalëse për emigrantët ilegalë, si aeroporti “Nënë Tereza”, dhe kufiri tokësor, si dhe forcimin e masave ndaj prindërve, të cilët braktisin fëmijët në vendet perëndimore, për të stimuluar deklarimin e tyre si fëmijë të pashoqëruar.
– Intensifikimi i flukseve të emigrantëve të kthyer kërkon më shumë programe, burime dhe incentiva legalë, financiarë, fiskalë dhe bankarë, për të mbështetur si investimet, sipërmarrjet dhe vetëpunësimin e emigrantëve të suksesshëm, ashtu edhe riintegrimin e emigrantëve që kthehen për shkak të dështimit të projekteve të tyre në vendet pritëse.
– Rritja e fluksit të shtetasve të huaj që tentojnë të kalojnë transit nëpërmjet territorit të Shqipërisë kërkon rritjen e masave për kapjen e tyre në afërsi të kufirit shtetëror, mundësisht në PKK, dhe kthimin në vendet nga vijnë. Ulja e kostove të këtyre operacioneve kërkon rritjen e numrit të largimeve vullnetare ose akses më të mirë në sistemin e azilit në Shqipëri.
– Thellimi i luftës kundër informalitetit, sidomos në tregun e punës, nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës dhe pagave të punëtorëve, pritet të ndikojë edhe në dekurajimin e fluksit migrator.
– Rritja e burimeve dhe investimeve për sistemin e kujdesit shëndetësor, në vazhdën e përmirësimeve të realizuara në këtë sistem gjatë dy viteve të fundit do të ndikojnë edhe në dekurajimin e flukseve migratore, duke rritur aksesin e popullsisë në shërbimet e përkujdesjes shëndetësore dhe mjekësore, nëpërmjet masave për mbulimin shëndetësor universal; incentivat ndaj personelit mjekësor për mbulimin më të mirë shëndetësor të popullsisë në zonat e thella, malore dhe rurale; uljes së çmimeve dhe rritjes së cilësisë së barnave etj.
Përmirësimi i statistikave migratore
-Ndërtimi i hartës së emigrimit të shqiptarëve, diasporës së vjetër dhe të re, mbetet një detyrë, realizimi i së cilës do të rrisë mbështetjen ndaj emigrantëve dhe do të nxisë mbështetjen e tyre për vendin.
-Në kushtet e informacionit të kufizuar mbi flukset migratore, prezencën, instalimin dhe integrimin e emigrantëve, është i domosdoshëm rritja e bashkëpunimit të institucioneve shqiptare me institucionet e vendeve pritëse, sidomos në fushën e shkëmbimit të informacionit mbi emigrantët shqiptarë në vendet pritëse.
Psikologët: Përse po ikin shqiptarët
Shqipëria është shndërruar në njëfarë laboratori për studimet migratore në botën e sotme. Në universitete të ndryshme, si në Londër apo në vende të tjera, krijohen qendra që studiojnë emigracionin shqiptar duke e konsideruar atë si shumë përfaqësues, si njëfarë laboratori, ku tregohet sesi do të jenë proceset migratore në Europën e re, apo më gjerë. Referuar shifrave, asnjë vend tjetër nuk është prekur nga emigracioni si Shqipëria.
Sipas prof. Lekë Sokolit, sociolog, në kohën e sotme, shqiptarët nuk ikin më nga diktatura, por nga liria. Kjo ikje lidhet pikërisht me cilësinë e lirisë. Liria jonë është një liri negative ( bëhet fjalë për lirinë ekonomike, sociale, etj.).
Në Shqipëri nuk ka një qendër që të studiojë problemet e diasporës, që do t’i shndërronte politikat dhe do të rriste përfitimet. Mungon ende një ministri për diasporën, sikundër e ka Kosova. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi Shqipëria, nëse nuk rindërton urat e bashkëpunimit me botën shqiptare, do ta ketë shumë të vështirë të adresojë sfidat e saj, do të mbetet një vend i pazhvilluar.
Sipas prof.Sokoli, emigrantët shqiptarë, sot, mund të konsiderohen emigrantë “luksi”. Ata kanë mundësi të zgjedhin. Nëse në fillimet e viteve ‘90, ata zgjodhën mundësinë më të afërt, sot kanë të tjera hapësira. Ata që kanë emigruar, kanë arritur të integrohen në shoqëritë ku jetojnë dhe mund të zgjedhin të kalojnë nga njëri vend në tjetrin, p.sh: nga Greqia drejt Gjermanisë, nga Italia e Veriut drejt asaj të Jugut apo në vendet skandinave. Por, sot prirja kryesore është SHBA-ja, që mbetet edhe destinacioni i preferuar i tyre.
Sociologët thonë se shqiptarët emigrojnë për dy arsye: E para janë faktorët shtytës, e dyta janë faktorët tërheqës. Nuk është më televizori që i tërheq, por janë njerëzit, pra komuniteti. Ata shkojnë te miqtë, të afërmit apo familjarët e tyre. Pra, nuk është më imazhi, por mundësia reale për t’u vendosur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.