Nëse në vitin 2020, pandemia shtoi më tepër kujdesin e shqiptarëve për të konsumuar produkte të shëndetshme, duke i bërë të hiqnin dorë nga pijet freskuese me gaz, këtë vit arsyeja e rënies së konsumit janë çmimet e larta.
Kjo ndihet jo vetëm te prodhuesit e vegjël, por edhe te markat e pijeve freskuese. Për shkak të shtimit të kostove kompanitë e mëdha kanë rritur çmimin në nivele më të ulëta sesa të vegjlit, duke amortizuar një pjesë të lartë të fitimeve, për të mos humbur konsumatorin.
Për shkak të rritjes së kostos, grupi AGNA është detyruar të rrisë çmimet e pijeve freskuese këtë vit 6 deri në 10%. Përfaqësuesit e kompanisë shprehen se shtrenjtimi i çmimeve ka tkurrur konsumin, ndërsa pritshmëritë e stinës së verës nuk janë të kënaqshme.
Çmimet janë rritur edhe nga kompania Coca-Cola Bottling Shqipëri, CCBS. “Po, padyshim që pasojat nga ky proces derivojnë në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Ne, në respekt të një etike që na ka dalluar gjithmonë, për të mbrojtur dhe për të garantuar konsumatorët tanë, kemi mbartur këtë rritje të lartë, si koston tonë financiare.
Duke ju referuar vetëm të dhënave numerike, rritja e kostove të prodhimit me 18%, krahasuar me rritjen që pësuan produktet tona me vetëm 6,5%, kuptojmë një hendek prej 11,5% që u mbulua tërësisht nga kompania.
Një boshllëk i mbushur me humbjen e rentabilitetit nga ana e CCBS, e cila vendosi, sipas politikës së kompanisë, të mos spekulojë mbi spekulime, në përpjekje për të kompensuar rritjen e kostove, duke ruajtur përdoruesin përfundimtar”, nënvizoi z. Busi më herët për Monitor.
Sipas tij, pavarësisht kostove në rritje, kërkesa e tregut ka shënuar gjithashtu një rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar, duke konfirmuar faktin se i gjithë ekipi ka punuar shumë për të ruajtur tregun.
“Janë tre faktorët që kanë ndihmuar këtë rritje të kërkesës: forca e Planit tonë të Biznesit, rritja e temperaturave dhe rimëkëmbja e turizmit në Shqipëri”, veçon presidenti i kompanisë CCBS.
Situata është e ngjashme edhe te prodhuesit më të vegjël. Kosta Bezhani, i cili prej vitit 1992 prodhon në Dropull të Gjirokastrës pije freskuese në ambalazhim familjar, kryesisht për zonat rurale, thotë se ka qenë i detyruar të rrisë çmimet për konsumatorin 20%.
Bezhani shton se jo vetëm rritja e çmimeve ka ndikuar te konsumi, por edhe emigrimi, që për të konsiderohet problemi më madhor i prodhuesve. Drejtuesi i kompanisë “Fresh” parashikonte ecuri pozitive të konsumit gjatë 2022 nëse nuk do të kishte largime masive të popullsisë.
“Tregu i pijeve freskuese në Shqipëri është i vogël, ndërsa investimet e fabrikave prodhuese janë për një treg më të madh konsumatorësh.
Shqiptarët po largohen në emigracion, çdo ditë e më shumë vendi po zbrazet. Çdo ditë shohim të rinj që largohen nga Shqipëria, për këtë arsye konsumi është zvogëluar.
Nuk parashikojnë të zgjerojmë investimet tona, që janë shumë të mëdha për kushtet aktuale. As prodhimin nuk do ta rrisim, pasi në Shqipëri nuk ke kujt t’i shesësh pijet freskuese, kanë mbetur vetëm të moshuarit.
Vera do të jetë e mirë, do të vijnë turistët e huaj, ndërsa shumica e emigrantëve këtë vit nuk kanë ardhur për turizëm. Zgjidhje të vetme shohim vetëm zbatimin e kontratave të eksportit me Kosovën”, thekson administratori i “Fresh Company” Kosta Bezhani.
Në vitin 2021, ecuria e konsumit të kësaj kompanie ishte pozitive në raport me vitin pandemik të 2020 dhe para krizës, për shkak të fluksit të lartë të emigrantëve. Shumë prej tyre, për shkak të karantinave të vendeve fqinje e kishin të pamundur të ktheheshin në atdhe në 2020.
Vijon rënia e konsumit në bare dhe restorante, paralajmërohen falimentime
Konsumi në bare dhe restorante vijon rënien. Arsyeja kryesore e tkurrjes së konsumit, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, është rritja e çmimeve nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe kostoja për gjetjen e fuqisë punëtore.
Jahaj thotë se pritet një valë e dytë e rritjes së çmimeve që nis nga muaji shtator, e cila do të sjellë falimentimin e shumë strukturave të shërbimit.
“Në zonat bregdetare, konsumi është mbi 40% më pak, ndërsa në Tiranë është 20 deri 30% më i ulët se në vitin 2021. Buxheti familjar është tkurrur, për këtë arsye shpenzohet më pak në bare dhe restorante.
Ndërkohë në bare dhe restorante, çmimet janë rritur nga 10 deri në 50% për shkak të shtrenjtimit të produkteve kryesore të shportës, siç është mielli, vaji, vezët, bulmeti dhe mishi. Rritja e çmimeve për këto produkte është mbi 20%, ndërsa për produktet e luksit, rritja është më e ulët.
Kjo ishte vala e parë e rritjes së çmimeve. Për periudhën shtator-dhjetor do të ketë një valë të dytë të shtrenjtimit të çmimeve.
Situata do të reflektohet me një kolaps që pritet të ketë sektori, pasi do të ketë mbyllje të bizneseve të reja që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar shtrenjtimin e produkteve furnizuese. Arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve në bare dhe restorante është mungesa e fuqisë punëtore dhe çmimit të lartë të energjisë elektrike”, shton ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.