Paga në ekonomi ka shënuar nivel rekord në tremujorin e tretë të këtij viti, teksa të gjithë sektorët paguajnë më shumë sesa një vit më parë, por më i fortë ndryshimi ishte për bujqësinë, shërbimet dhe turizmin, që po vuajnë dhe më shumë nga largimi i fuqisë punëtore, duke detyruar dhënien e pagave më të larta për punonjësit ekzistues.
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2022, është 61,613 lekë, duke u rritur me 9,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, raportoi INSTAT.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 15,7%, e ndjekur nga Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 13.7%, ndërtimi me 13%, industria me 11%.
Ndërsa rritjen më të vogël e ka grupaktiviteti i Administratës publike dhe mbrojtjës; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 5%.
Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kanë pagën më të lartë
Gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93,4% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 33,1% më e ulët.
Një i punësuar në banka apo sigurime ka një pagë mesatare 119 mijë lekë, ose gati 10% më shumë se në tremujorin e tretë të një viti më parë. Megjithatë, në raport me tremujorin e dytë 2022, kur arriti rekordin prej 130 mijë lekësh, paga mesatare në këtë grup aktivitet ka rënë me 9%.
Grup aktiviteti i dytë me pagën më të lartë është “Informacioni dhe komunikacioni”, me pagë mesatare 94 mijë lekë.
E treta më e paguara është Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, me 71 mijë lekë në muaj.
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 62,7% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 36% më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto në Forcat e Armatosura ka rritjen më të madhe prej 18,5%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë 4,5%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.