Emigrantët, rikthehen të rregullojnë shtëpitë

27/08/2019 12:48 PM 0 komente

Kohët e fundit, emigrantët kanë qenë ndër furnizuesit kryesorë të kërkesës për pasuri të paluajtshme në vend, veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas operatorëve që operojnë në tregun e hidrosanitareve dhe pllakave, një pjesë e kërkesës po vjen pikërisht nga ky segment. “Ndër të tjera, ne kemi vënë re se ka pasur kërkesë në rritje edhe nga emigrantët, të cilët po rinovojnë shtëpitë e tyre në atdhe”,- thanë përfaqësuesit e kompanisë Delta.

Edhe Karolina Janina, përfaqësuese e kompanisë Porcelanosa, pohon të njëjtën tendencë. Së fundmi janë shtuar kërkesat për produkte nga emigrantët, të cilët kërkojnë të investojnë produkte cilësore në shtëpitë që kanë në vend. Janina shpjegon se një pjesë e tyre kërkojnë që të kenë shtëpi me pajisje cilësore, për të rritur vlerën e pronës, si dhe për të qenë sa më rezistente. Pjesa më e madhe këtyre pronave hidhet në tregun e qirasë.
Janina shton se kërkesa është rritur, veçanërisht në Jug të vendit, në zonat bregdetare.

 

Tendencat e blerjeve të shqiptarëve, çfarë zgjedhin

Në lidhje me tendencat më të fundit te pjesa e pllakave, operatorët shpjegojnë se trendi i kërkesës ka qenë i orientuar tek pllakat me dimensione të mëdha, që janë variantet më të reja. “Tani po preferojnë pllaka me dimensione të mëdha dhe janë tek imitimet e mermerit që kanë ngjyra, të forta dhe të lehta”, thonë përfaqësues të Deltës.

Kur flitet për pjesën e hidrosanitareve ka variante nga më ekonomiket dhe më të thjeshta, e deri te jakuzzi. Një pjesë i kërkojnë me specifika siç janë jakuzzi, hamamet dhe saunat. Sipas operatorëve, tendencat ndryshojnë, p.sh. tani nuk po përdorin më kabinat e dushit, por një xham të thjeshtë që ndan ambientin e dushit nga pjesa tjetër, ose përdorimi i mozaikut në vend të pllakës së dushit. Ka klientë që i ndërrojnë edhe çdo vit pajisjet, por normalja është mesatarisht një herë në pesë vjet.

Karolina Janina nga Porcelanosa thotë se së fundi, tendencë te pjesa e hidrosanitareve kanë qenë kasetat inkaso, si dhe klientët po kërkojnë pajisje hidrosanitare që vendosen në mur. Sipas saj kjo zgjedhje e klientit vjen pasi këto pajisje janë më estetike dhe higjienike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of