Emigrantëve të jashtëligjshëm u kërkohet të shpëtojnë të korrat italiane

16/05/2020 4:11 PM 0 komente
  • Qeveria italiane planifikon të japë leje pune gjashtëmujore
  • Plani i të korrurave nxitet nga ministrja e bujqësisë Bellanova

Me ekonominë e rënduar nga pandemia e koronavirusit, Italia po i drejtohet një shpëtimtari të pagjasë për të shpëtuar të korrat e ushqimit të freskët: emigrantëve të jashtëligjshëm.

Pavarësisht rritjes së ndjenjave antiemigruese në vitet e fundit, ministrja e Bujqësisë, Teresa Bellanova, udhëhoqi me sukses një plan që ka shkaktuar mjaft polemika: dhënien e lejeve gjashtëmujore të punës për qindra mijë emigrantë pa dokumente, nga Afrika dhe Europa Lindore, për t’i punësuar në nxjerrjen e të korrave. Qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte e miratoi masën të mërkurën, duke u kundërshtuar fort nga një prej partive kryesore në koalicionin qeverisës, Lëvizja Pesë Yje.

Italia po përballet me një mungesë masive në punën sezonale, në një kohë kur Komisioni Europian parashikon se ekonomia e saj do të tkurret me 9.5% këtë vit, ndërsa Bloomberg Economics parashikon një tkurrje prej 13%. Karantinat dhe mbylljet e kufijve me qëllimin për të luftuar pandeminë, kanë ndaluar ardhjen e qindra mijë punëtorëve të huaj, të cilët normalisht vijnë në Itali çdo vit gjatë kohës së korrjes dhe korrin më shumë se një të katërtën e prodhimeve të freskëta Made in Italy.

“Nuk shoh asnjë logjikë në kundërshtimin e një mase të tillë të bazuar në ligj dhe barazi”, tha Bellanova në një konferencë për shtyp të mërkurën. Ministrja filloi të punojë në bujqësi që në moshën 14-vjeçare. Ajo më parë kërcënoi se do të hiqte dorë nga posti nëse kabineti nuk do ta miratonte masën.

Mungesa e punëtorëve ia ka lënë rrugën e hapur mafies për të vendosur grupe bandash. Direzione Investigativa Antimafia, agjencia qeveritare që lufton mafiozët, thotë se disa emigrantë të jashtëligjshëm janë të detyruar të punojnë në tregun e zi nën kontrollin e bandave mafioze italiane dhe të huaja, të njohura si “caporali”.

“Në Itali, punëtorët e parregullt që punojnë në fusha, shpesh janë njerëz që skllavërohen, në gjendje çnjerëzore, të cilëve u mungon kujdesi shëndetësor. Grupet e bandave kryejnë krime, ata përfaqësojnë mafian”, tha Bellanova, ish-aktiviste sindikale 61-vjeçare, e cila ka luftuar kundër sistemit të bandave që nga fundi i viteve 1970.

“Në bujqësinë italiane nuk ka zinxhirë të pistë furnizimi, por disa kompani që zgjedhin paligjshmërinë dhe konkurrencën e padrejtë, dhe që dëmtojnë me mijëra kompani të tjera të shëndetshme të cilat zgjedhin një konkurrencë të bazuar në cilësinë e produktit”, tha Bellanova në një intervistë.

Emigracioni është bërë një temë emocionale në Itali, ku populisti Matteo Salvini, drejtuesi i partisë Liga, deklaroi në shkurt se virusi theksonte nevojën që ka Italia për të mbyllur portet e saj për emigrantët që vijnë nga Afrika e Veriut. Periudha e tij 15-mujore si ministër i Brendshëm, u shënua nga një rritje e mprehtë në retorikën anti-emigrante dhe anti-islamike, e cila ndikoi mjaftueshëm në sondazhet e opinionit publik.

Këto ndjenja u shpalosën haptazi të dielën, kur një punonjëse italiane 24-vjeçare, Silvia Romano, e cila ishte mbajtur peng në Afrikë për 18 muaj, doli nga aeroplani e veshur me një rrobë të gjelbër myslimane. Konvertimi i saj në Islam shkaktoi mesazhe kërcënuese në mediat sociale.

Duke e lënë politikën mënjanë, masa e re e nxitur nga Bellanova, lindi nga nevoja dhe mbart një përfitim shtesë – rrit të ardhurat e taksave në një kohë kur deficiti po zgjerohet.

Në vend po afron sezoni i korrjeve për perime dhe fruta si luleshtrydhe, pjeshkë, mollë, dardha, kivi dhe më vonë në verë, domate dhe rrush.

370,000 punonjësit e ligjshëm që vijnë zakonisht nga jashtë, janë kryesisht të padisponueshëm dhe nëse vijnë, mund të jetë e nevojshme të qëndrojnë për njëfarë kohe në karantinë. Nga Rumania vijnë rreth 107,000 punëtorë të huaj, sipas Coldiretti, një shoqate të fermerëve italianë.

Francesco Mutti, shefi ekzekutiv i kompanisë Mutti SpA në Parma, një ndërmarrje italiane e përpunimit të domates që është lider në tregun e Europës në këtë fushë dhe shet në 96 vende, nuk është “veçanërisht i shqetësuar” për disponueshmërinë e fuqisë punëtore në fushat e domateve, sepse kompania e tij kërkon që fermerët që i japin prodhime kompanisë, të kryejnë 100% korrje mekanike.

“Pavarësisht kësaj, shqetësimi im lidhet me mungesën e korrjeve në Itali që pritet në muajt e ardhshëm, gjë që do të ndikojë në kërkesën për produktet e domates”, tha ai. “Gjithashtu, do të ketë efekte në sektorin e ushqimit, i cili po përballet me rritjen e kufizimeve dhe masave të sigurisë, që do të ndikojnë tek kostot dhe produktiviteti”.

Bellanova thotë se masa e re e qeverisë është vetëm fillimi. Ajo ka kërkuar krijimin e një sistemi dixhital për ofertën dhe kërkesën për punëtorët e bujqësisë.

“Mungesa e njerëzve për te korrat e ardhshme mund të çojë në kalbjen e frutave dhe perimeve”, tha Bellanova. “Ne rrezikojmë një rritje çmimesh ndërkohë që të ardhurat e disponueshme të shumë njerëzve kanë rënë. Ky do të ishte një shpërdorim i turpshëm i ushqimeve që do të shkaktonte dëme të mëdha për ekonominë tonë”./Nga Alberto Brambilla dhe Chiara Remondini,Bloomberg

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of