Flet Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers Albania
Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në qendra tregtare në 2019?
Sektori i shitjeve me pakicë vazhdon të ketë një performancë të qëndrueshme si në vitet e tjera, megjithatë duhet theksuar se vihet re një ulje e numrit të konsumatorëve për shkak të emigrimit të lartë jashtë Shqipërisë këto vitet e fundit të individëve që i përkasin shtresës së mesme e të lartë, e cila është edhe shtresa kryesore që nxit konsumin. Qendrat tregtare në vend vijojnë që të konkurrojnë njëra tjetrën duke sjellë pranë konsumatorit shqiptar marka të qëndrueshme edhe të reja, të cilat mbulojnë kërkesat e tyre çmim/cilësi. Mbeten me interes edhe zhvillimet gjatë festave të fund vitit ku qendrat tregtare luajtën një rol të rëndësishëm në rritjen e ofertës së vërtetë për konsumatorët. Vihet re që kompanitë e shitjes me pakicë ndërkombëtare aplikojnë të njëjtat fushata të uljeve ndërkombëtare njësoj si në të gjitha vendet e tjera të botës, që nxit hyrjen e konsumatorit në këto qendra.
Si ka vijuar të jetë qiraja e dyqaneve të tregtisë me pakicë, kryesisht në qendrat tregtare?
Qiraja ka vijuar që të qëndrojë në nivele të ngjashme me ato të vitit të kaluar duke pasur parasysh se niveli i stokut të mirëfilltë të qendrave tregtare nuk ka ndryshuar. Qiradhënia në këto qendra vazhdon rregullisht dhe disa prej tyre janë të dhëna me qira 100%. Mbetet në interesin e qendrave tregtare që në të ardhmen të ndryshojnë edhe miksin e qiramarrësve e të sjellin marka të mirëfillta ndërkombëtare të cilat të kenë mundësinë të rrisin cilësinë e produkteve që tregtohen në këto qendra.
Po hoteleria çfarë zhvillimi mendohet të ketë në vitin 2020? Në 2019 dëshmuam disa hapje të reja
2019 ishte një vit interesant për hotelerinë sepse solli ardhjen e disa grupeve hoteliere në Shqipëri të interesuar për të zhvilluar biznesin e tyre në tregun e fundit me pak të zhvilluar të Mesdheut. Këto marka kanë shprehur interes për të bashkëpunuar me investitorë vendas në projekte hotelerie që do të ndihmojnë në rritjen e një stoku serioz të hotelerisë, i cili bashkë me një mirë menaxhim të këtyre strukturave do të ndihmonte për rritjen e qëndrueshme të turizmit në vendin tonë. Riviera mbetet interesante në planin afat mesëm dhe afatgjatë sepse aktualisht mungon një aeroport në Jug, i cili do ta lehtësonte shumë këtë sektor dhe përben dhe një prej kërkesave kryesore nga markat hoteliere.
Tërmeti i trishtë i 26 Nëntorit fatkeqësisht nuk do ta lërë pa pasoja edhe këtë sektor sepse shumica e markave pikërisht shprehin interes për korridorin Tiranë-Durrës. Tirana pritet që të vazhdojë të ketë interes po me ritme rritjeje më të ulëta, ndërsa Durrësi do të kërkojë edhe një ekspertizë edhe më të theksuar nga niveli i markave përsa i përket investitorëve, llojit të terrenit ku do të ndërtohet objekti etj.
Cilët janë zhvillimet e pritshme për 2020?
Sektori i zyrave do të ketë rritje në stok në 2020, pritet lëvizje nga ana e qiramarrësve në këto godina të reja, por shpresojmë që do të hyjnë në treg me politika koherente me tregun e çmimeve të cilat sipas analizave rajonale të Colliers International, mbeten nder me të lartat për m2 në gjithë rajonin e Ballkanit.
Në sektorin e qendrave tregtare nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor sepse edhe niveli i ri i stokut komercial që do të hyjë në treg do të jetë në godina multi funksionale i vendosur në disa kate, me disa përdorime dhe jo qendra të mirëfillta tregtare. Këto hapësira priten që të jenë në shitje dhe jo me qira. Menaxhimi i tyre do të jetë individual dhe jo i përbashkët siç është në rastin e qendrave tregtare.
A mendohet se sektori i retail do të preket nga tragjedia e tërmetit?
Sektori i shitjeve me pakice në qendrat tregtare nuk pritet që të ketë ndonjë ndikim nga tërmeti. Megjithatë sektori i cili po ndjen një ndikim të menjëhershëm në qytete si Tirana dhe Durrësi është ai rezidencial, ku vihet re një rritje kërkesash për hyrje në kate më të ulëta në godina rezidenciale shumë kateshe. Po ashtu vihet re edhe një shtesë kërkese për kërkesa trojesh në periferi të Tiranës ku çdo blerës mund të ketë mundësinë që të zhvillojë projektin e tij rezidencial.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.