Emmanuel Macron përballet me zemërimin e të moshuarve

11/10/2019 10:00 PM 0 komente

Një tjetër president francez tenton për të zbatuar reformën e pensioneve. Në të kaluarën, kjo tentativë ka dështuar

 

Sizifi e kishte shumë më të lehtë, krahasuar me reformatorët francezë të pensioneve. Figura mitologjike u mallkua përjetësisht dhe u dënua që të ngjiste një gur në majë të një kodre dhe ta shihte atë të rrokullisej sërish poshtë gjatë natës. Por atij kurrë nuk iu desh që të bindte fiset galike që të dilnin në pension më vonë, shkruan The Economist.

Në 1995 qeveria e Zhak Shirakut ndaloi përpjekjen për të reformuar sistemin e pensioneve, pas disa javësh protestash dhe grevash. Ai u përpoq ta ndryshonte atë në vitin 2003, por u përball me protestën e mbi 1 milion punëtorëve. Nicolas Sarkozy ishte ai që në vitin 2010 u duk se përparoi më shumë se të gjithë të tjerët, por jo në mënyrë të suksesshme deri në fund. Tani është Emmanuel Macron, Presidenti aktual i Francës, ai që e ka marrë përsipër këtë sipërmarrje sfiduese. Më 9 shtator, Presidenti ftoi në Pallatin Elysée, Laurent Berger, drejtuesin e Konfederatës Demokratike Franceze të Punës, bashkimin më të madh të sektorit privat në vend, për të biseduar rreth reformës së pensioneve.

Disa ditë më parë, Kryeministri francez, Edouard Philippe zhvilloi bisedime me secilën nga sindikatat e mëdha dhe organizatat e punëdhënësve. Protestuesit që kishin veshur “jelekë të verdhë” e çuan vendin në protesta të dhunshme vitin e kaluar, situatë e cila z. Macron nuk dëshiron të përsëritet. I kritikuar edhe më parë për mënyrën e qeverisjes, ai nuk dëshiron kurrsesi të krijojë përshtypjen se dëshiron të vendosë sërish rregulla mbi një audiencë e cila është e prirë për të mos i pranuar ato. Ai dëshiron krejt të kundërtën. Megjithatë, kujdesi i tij ngre pyetje se çfarë dhe sa ka të ngjarë të arrijë kjo reformë.

Politikani Jean-Paul Delevoye e bëri të qartë në një raport të publikuar gjatë kësaj vere se sistemi i ri nuk do të ndryshojë aspak situatën në Francë, sa u takon shpenzimeve të kësaj të fundit për pensionet. Duke pasur parasysh shkallën e problemit, kjo është zhgënjyese. Francezët dalin në pension më herët se punëtorët në çdo vend tjetër të OECD (shiko grafikun). Falë nivelit të lartë të jetëgjatësisë, ata gëzojnë mesatarisht një çerekshekulli në postet e tyre. Për më tepër, sistemi francez i pensioneve është jashtëzakonisht bujar. Pensionistët marrin mesatarisht 61% të të ardhurave të mëparshme, më pak se në Itali (83%) por shumë më tepër sesa në Gjermani (38%). Kjo vë në presion popullin, sepse sistemi francez mbështetet në taksimin e punëtorëve të sotëm për të paguar pensionet e personave të moshuar.

Në qershor, këshilli zyrtar i pensioneve paralajmëroi se deri në vitin 2022, deficiti i pensioneve publike do të rritet në 10 miliardë euro (11 miliardë dollarë amerikanë), duke shënuar rritje nga parashikimi i tij i mëparshëm, rreth ½ e shifrës së mësipërme. Në përgjithësi, Franca shpenzon gati 14% të PBB-së së saj për pensionet, pak më pak sesa Italia e mbytur me borxh (16%), por më shumë sesa Gjermania (10%) dhe më shumë se mesatarja e vendeve të OECD-së (8%).

Mënyra më e thjeshtë për të mbyllur këtë hendek do të ishte rritja e moshës së pensionit, ashtu siç edhe kanë vepruar shumë shtete. Në Francë, përpjekja më e fundit për ta arritur këtë gjë daton në periudhën e z. Sarkozy. Në vitin 2010, ai rriti moshën minimale nga 60 në 62 vjeç dhe moshën për pension të plotë (pa penalitete) nga 65 në 67.

Sidoqoftë, falë sistemit jashtëzakonisht kompleks të Francës, shumë njerëzve u lejohet të dalin në pension më herët se kjo moshë, në mënyrë që mosha e pensionit te burrat të jetë, mesatarisht, ende në 60 vjeç. Por një problem në këtë drejtim është se në fushatën e tij në vitin 2017, z. Macron premtoi se nuk do të prekte moshën e pensionit. Kjo do të thotë që reformat e tij, në rastin më të mirë, do të zgjidhin vetëm një pjesë të problemit.

Ekipi i z. Macron argumenton se po fillon një riprojektim që do të jetë po aq i vështirë për t’u zbatuar, po aq saç do të ishte rritja e moshës së pensionit. Por kjo do të jetë më e ndërlikuar se kaq. Franca nuk ka më pak se 42 sisteme të ndryshme të pensioneve të detyrueshme publike, të cilat janë rritur gjatë dekadave për t’u shërbyer fermerëve, nëpunësve civilë, aktorëve, punëtorëve të hekurudhave, inxhinierëve të minierave, noterëve etj.
Rregullat që drejtojnë sistemin e pensioneve dhe kontributet ndryshojnë shumë midis tyre dhe nuk mund të kombinohen lehtësisht. Sistemi është i errët dhe frenon lëvizjen e vendeve të punës, pasi të drejtat janë vështirë të transferohen. Për t’i dhënë zgjidhje situatës, z. Macron ka premtuar që të bashkojë të gjitha këto regjime në një sistem të vetëm, i cili i trajton të gjithë punëtorët në mënyrë të barabartë.

“Ajo që francezët po përpiqen të zgjidhin është një sfidë shumë e madhe”, shprehet Monika Queisser nga OECD-ja. “Franca ka një nga sistemet më të fragmentuara të pensioneve publike dhe ata më në fund po përpiqen t’i harmonizojnë gjërat”. Për këtë qëllim, z. Macron, gjatë këtij muaji solli në qeveri z. Delevoye. Ai tashmë ka kaluar shumë muaj duke bërë një rishikim të sistemit francez dhe duke diskutuar opsionet e mundshme të kësaj reforme.

Pas, gjithë këtyre bisedimeve, është premtuar një projektligj, por jo deri verën e ardhshme. Deri në një pikë është më se e kuptueshme, se marrja e kohës së duhur për të dhënë zgjidhjen më të saktë, është mënyra më e mirë e mundshme për të vepruar. Në vitet 1990, thekson Hervé Boulhol, specialist i pensioneve në OBZHE, Suedisë iu desh thuajse një dekadë për të krijuar një sistem të ngjashëm.

Qeveria franceze, shumë e kujdesshme që protestat e një viti më parë të mos përsëriten, dëshiron të ndryshojë sistemin nëpërmjet arritjes së një konsensusi. Sipas një sondazhi të kryer së fundi nga Instituti Montaigne, vetëm 33% e francezëve e mbështesin aktualisht reformën e z. Macron.
Dyshimet ndoshta do të rriten më shumë kur detajet të bëhen publike. Deri më tani, asgjë nuk është përcaktuar. Z. Delevoye ka thënë, për shembull, se ai dëshiron të vendosë një moshë për daljen në pension e cila të ketë mbështetje në popull.

Nëse njerëzit vendosin ta respektojnë atë do të kenë avantazhe. Nëse jo, por vendosin të dalin në pension të parakohshëm, atëherë të jenë të përgatitur të përballen me penalitete. Ndoshta, pikërisht një masë e tillë mund të shpresohet që t’i bëjë njerëzit të punojnë më gjatë. Z. Macron, megjithatë, thotë se ai “do të parapëlqente të arrihej në një marrëveshje mbi kohëzgjatjen e kontributeve më shumë sesa mbi rritjen e moshës së daljes në pension”. Sido që të jetë, rregullat e harmonishme nënkuptojnë se disa do të dalin pashmangshmërisht humbës.

Problemi është se, sado ambicioze të duken, reformat nuk do të bënin ndonjë ndryshim të madh. Z. Macron ka premtuar se do të mbyllë deficitin e pensioneve deri në vitin 2025, dhe ideja është të vendoset një mekanizëm automatik që të rregullojë rregullat e kontributeve teksa jetëgjatësia rritet. Ai dëshiron që njerëzit të jenë të informuar në momentin që vendosin të dalin në pension dhe se çfarë i pret në lidhje me nivelin e pensioneve.
Megjithatë, sistemi i ri universal nuk do të bëjë asgjë për të frenuar shpenzimet e përgjithshme për pensionet.

Në të vërtetë, z. Delevoye e ka theksuar një fakt të tillë, duke premtuar në korrik se sistemi universal “do të mbajë në të njëjtin nivel identik shpenzimet e pensioneve. Edhe brenda qeverisë ka pasur debate të ashpra dhe diskutime të zjarrta mbi faktin se kjo mënyrë veprimi e z. Macron nuk është e zgjuar, sepse do të shpenzojë kaq shumë kapital politik mbi një projekt që nuk do të kursejë para. Mbetet për t’u parë nëse z. Macron do të arrijë t’ia dalë me sukses kësaj reforme, apo thjesht do të pengohet në mes të rrugës, ashtu siç ka ndodhur edhe më shumë prej paraardhësve të tij.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of