Emmanuel Macron fitoi një mandat të dytë si president i Francës, duke triumfuar ditën e dielë ndaj Marine Le Pen, sfidueses së tij të ekstremit të djathtë, pas një fushate ku premtimi i tij për stabilitet mbizotëroi ndaj tundimit të fortë të një fryme ekstremiste.
Projeksionet paraprake në mbyllje të votimit, të cilat përgjithësisht janë të besueshme, treguan se zoti Macron, një politikan i qendrës, fitoi 58.2 për qind të votave përkundrejt 41.8 për qind të zonjës Le Pen. Fitorja e tij erdhi me një rezultat shumë më të ngushtë se në vitin 2017, ku diferenca ishte 66.1 për qind me 33.9 për qind të znj. Le Pen, por gjithsesi diferenca u rrit më shumë nga sa dukej se do të ishte dy javë më parë.
Francezët në përgjithësi nuk i pëlqejnë presidentët e tyre dhe asnjë president i Francës nuk kishte arritur të rizgjidhej për një mandat të dytë që nga viti 2002. Arritja e pazakontë e zotit Macron, i cili arriti të sigurojë pesë vite të tjera në pushtet, reflekton administrimin e kujdesshëm dhe efektiv të krizës së Covid-19, rigjallërimin e ekonomisë, si dhe shkathtësinë e tij politike për të pushtuar të gjithë qendrën e spektrit politik të Francës.
Znj. Le Pen, e cila arriti të zbutste imazhin e saj në publik, pavarësisht se nuk e ndryshoi programin nacionalist anti-emigracion, drejtoi një valë izolacioniste, duke e sjellë të djathtën ekstreme franceze më pranë pushtetit se asnjëherë më parë që nga viti 1944. Partia e saj është bërë pjesë e partive kryesore të Francës, duke i dhënë fund tabusë sipas së cilës mbrojtja e Republikës nënkuptonte mbajtjen e së djathtës ekstreme larg nga skena politike.
Fitorja e zotit Macron ndaj znj. Le Pen, një simpatizante e kahershme e Presidentit Vladimir Putin të Rusisë dhe liderja e një partie armiqësore ndaj NATO-s, do të jetë lehtësuese për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë të Francës, në një kohë kur vazhdon të zhvillojet një luftë në Ukrainë.
Znj. Le Pen, nëse gjykojmë duke u bazuar te programi i saj dhe te veprimet në të kaluarën, do të kishte ndjekur politika që do të dobësonin frontin e bashkuar të aleancës për të shpëtuar Ukrainën nga sulmi i Rusisë, duke i ofruar zotit Putin një hapësirë për të vazhduar me planet e tij në Europë dhe për të minuar Bashkimin Europian, motori i të cilit ka qenë gjithmonë angazhimi i përbashkët franko-gjerman.
Nëse Brexit ishte një goditje për Bashkimin Europian, dalja defakto e Francës nacionaliste, siç përcaktohet nga propozimet e zonjës Le Pen, do të rrezikonte vazhdimësinë e ekzistencës së Bashkimit Europian. Kjo gjë do të kishte dëmtuar garancinë kryesore të paqes në kontinent, në këto kohë të rrethanave tepër të paqëndrueshme.
Fitorja e dytë e zotit Macron ishte shumë e ndryshme nga ajo e para. Pesë vjet më parë, ai ishte një 39-vjeçar i ri dhe i suksesshëm, i cili shpërtheu në skenën politike franceze me premtimin e tij për t’i dhënë fund ndarjes tradicionale mes së majtës dhe të djathës, si dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë, më të hapur dhe dinamike.
Ai pati sukses në nxitjen e rritjes ekonomike, në uljen e papunësisë dhe në rrënjosjen e një kulture të startup-eve të teknologjisë, por nuk ishte në gjendje të trajtonte problemet e pabarazisë dhe zemërimin e zjarrtë midis grupeve të margjinalizuara të shoqërisë dhe të atyre që jetojnë në vështirësi në rrethinat urbane dhe në largësitë rurale. Ndarjet sociale u bënë më të mëdha, ndërsa të ardhurat e francezëve mbetën në vendnumëro. Ҫmimet u rritën dhe automatizimi nxorri shumë njerëz nga puna në fabrikat franceze.
Si rezultat i kësaj panorame, kapitali politik i zotit Macron është tashmë më i kufizuar, edhe pse fitorja e tij e qartë e ka shpëtuar Francën nga animi i rrezikshëm drejt nacionalizmit ksenofobik./ New York Times