Lindja e Mesme po teston edhe një herë nervat e bankierëve qendrorë dhe ekonomistëve në mbarë Botën. Çmimi i naftës edhe pse shënoi një ulje në 40 USD për fuçi (nga niveli rekord prej 41 USD për fuçi në 17 maj) mbetet përsëri aq i shtrenjtë sa t i ndërlikojë së tepërmi politikat ekonomike për muajt në vijim. Është e vërtetë që edhe në nivelin e 40 USD për fuçi, nafta është ende shumë më e lirë sesa ishte gjatë krizës së viteve 70. Por mos u qetësoni shumë: mos harrojmë që në atë kohë, nafta shkaktoi një kthim mbrapa të gjithë ekonomisë botërore. Në nivelin aktual të çmimeve, nafta nuk mund të arrijë të shkaktojë papunësi të lartë, dyfishim të inflacionit, ndryshim të politikave ekonomike dhe ulje të mirëqenies botërore. Por sa siguruese është kjo ? Nëse nafta është vetëm 10 USD më e shtrenjtë për fuçi, sesa duhet të ishte, çmimet në përgjithësi do të rriten, prodhimi dhe të ardhurat do të ulen dhe papunësia, të paktën për një kohë të shkurtër, do të rritet. Ky kombinim vicioz i inflacionit të lartë dhe rritjes së ulët (stanjacion, nëse do i referohemi një termi të viteve 70) është skenari më i keq ekonomik, që mund t i shkojë në mend një politikëbërësi. Ekonomistët ndoshta nuk janë më aq shumë të ndjeshëm nga çmimi i naftës si 30 vjet më parë, por mos t ju gënjejë mendja që nafta nuk ndikon.Parashikoni rrezikunCilat janë arsyet që po shkaktojnë këtë rritje dhe sa keq mund të shkojnë gjërat ? Leximi i tregut të naftës nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Parashikimi i çmimit të naftës është një detyrë e vështirë dhe e rrezikshme. Një sërë faktorësh janë të dukshëm. Si fillim mund të thuhet se kufizimet e ofertës nuk janë shkaku i menjëhershëm për rritjen e fundit të shpejtë. Nëse e shohim problemin ndryshe: organizata e OPEC-ut, nën presionin diplomatik nga SHBA dhe shtetet e tjera, po debaton nëse duhet të rrisë kuotat e prodhimit në mënyrë që të ulë çmimin. Kjo logjikë duket se nxjerr si faktor kryesor të rritjes së çmimit ofertën. Por në fakt, nuk ndodh kështu. Prodhimi është tashmë i lartë. OPEC aktualisht po i shton kuotat, me përjashtimin e dukshëm të Arabisë Saudite. Debati për rritjen e kuotave nuk ka të bëjë shumë me faktin se sa naftë duhet hedhur në treg për periudhën në vijim, por se çfarë sinjali do t u jepet konsumatorëve të mëdhenj, përsa i përket afatit të mesëm. Duhet arritur gjithashtu dhe një ekuilibër. Nga njëra anë, është presioni nga SHBA për uljen e çmimeve. Nga ana tjetër, shmangia e masave për ekonomizimin e përdorimit të naftës mund të ndikojë në të ardhurat afatgjata. Por asnjë nga këta faktorë nuk ka të bëjë me ofertën në afatin e shkurtër. Pse u rrit çmimi i naftës?Çfarë e ka shkaktuar rritjen e fundit të çmimeve ? Tre janë faktorët kryesorë, apo të paktën kështu duket : kërkesa në rritje; kufizimi i rrugëve të shpërndarjes së karburanteve, veçanërisht në SHBA; dhe spekulimet, që kanë të bëjnë me rrezikun e kufizimit të ofertës në të ardhmen.Kërkesa për karburante është e lartë në të gjithë Botën, pasi rritja ekonomike duket e lartë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për SHBA-në, që ka një rimëkëmbje të dukshme, si dhe për shkak të afrimit të sezonit të verës, pasi ka rritje të udhëtimeve. Por nafta, që në fakt është gjendje për të përballuar këtë rritje të kërkesës, është e bllokuar nga kanalet e brendshme të shpërndarjes së karburanteve. Kjo ka çuar në rritjen e çmimeve dhe është transmetuar dhe në bursa. Gjithsesi pritet që ky ndikim të jetë afatshkurtër. Pasi ky bllokim të përfundojë, pritet stabilizimi i tregut të naftës dhe një ekuilibër mes kërkesës dhe ofertës, çka do të bëjë një rishikim të çmimit dhe ulje të tij.Por përsëri mbetet faktori i tretë: rreziku për kufizime të ofertës. Pikërisht, këtu qëndron rreziku i vërtetë. Një pjesë e problemit qëndron në krizën e Irakut. Vendi duket larg zgjidhjes së konfliktit dhe disa investitorë të naftës parashikojnë që gjërat të shkojnë më keq. Më e rëndësishme, gjithsesi mbetet rreziku i ndërprerjeve të gjata të prodhimit të naftës nga furnizuesit e vendeve saudite. Terroristët në Mbretërinë Saudite kanë filluar të godasin objektet energjetike, një taktikë e mprehtë kjo. Ndoshta ata nuk do të munden që të kufizojnë ofertën për një kohë të gjatë, por Arabia Saudite ka një peshë aq të lartë në tregun e karburanteve, saqë dhe një rrezik i vogël është i mjaftueshëm për të justifikuar një «çmim terrori». Vlera e kësaj të fundit vlerësohet nga 4-8 USD për fuçi. Një shtim i përpjekjeve terroriste mund të rriste më tej këtë çmim rreziku.Është mëse e qartë se nëse Al-Kaeda do të vazhdojë të synojë uljen e prodhimit në Arabinë Saudite, çmimet do të lëkunden dhe krahasimi me atë që ndodhi në vitet 70 do të jetë i kotë.Së fundmi, mund të thuhet se ndjeshmëria ndaj naftës vazhdon të ndërlikojë Botën ekonomike. Të ardhurat dhe vendet e punës kudo në Botë vazhdojnë të varen nga çmimet e karburanteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.