Javën e kaluar, qeveria mori një vendim që të lehtësonte dhënien me qira të tokës bujqësore, i cili vendoste kritere dhe përcaktonte qartë procedurat se si do të ndodhë nëse ka fermerë që s’punojnë tokën, dhe të tjerë që duan ta përdorin atë. Ky është element nxitës, pasi tenton të rrisë prodhimin, së pari, duke futur në shfrytëzim tokë të papërdorur, krijon madhësi ferme më të madhe sesa mesatarja e një ferme sot. Por ai nuk sjell rezultat tipik dhe ca më shumë, nuk përfaqëson zgjidhjen më të mirë për bujqësinë. Së pari, sepse flitet për pak sipërfaqe tokë, shumica të refuzuara për t’u marrë nga fermerët, për shkak se janë toka të varfra. Së dyti sepse nuk i adresohet problemit kryesor, por kërkon ta zgjidhë mekanikisht. Lënia e tokës pa punuar, sikundër edhe e kundërta, lidhet me arsye më madhore me atë që quhet leverdisshmëri. Sot bujqësia, pavarësisht investimeve private apo shtetërore, jo vetëm drejtpërdrejt në këtë sektor, por edhe në fusha të tjera që ndihmojnë indirekt bujqësinë, si infrastruktura, etj., vuan nga e njëjta sëmundje si 20 vjet më parë.
Aktualisht, madhësia mesatare e fermës është rritur fare pak duke qenë vetëm 1.21 hektarë, ndër më të ulëtat në rajon. Për pasojë, shkalla e mekanizimit është vetëm 7.5 për qind e për pasojë rendimenti mbeti i ulët. Sipas vrojtimeve të fundit nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, të kryer në 3500 ferma, rreth 75% thonë se inputetet e veçanërisht karburanti, përbëjnë kostot më të larta të prodhimit, duke bërë që fermat të përfitojnë shumë pak nga mbivlera e produktit të shitur, ndërkohë që 96 për qind e fermerëve sot në Shqipëri thonë se e kanë të vështirë të marrin një kredi. Të gjitha këto simptoma të njëjta, si edhe njëzet vjet më parë, kanë sot një shkaktar kryesor, pronësinë mbi tokën. Çështja ende e pazgjidhur dhe shpesh konfliktuale e pronësisë mbi tokën i ka lënë tregun e saj të vakët, duke bërë që ferma shqiptare të mbetet e vogël e të mos vazhdojë të përfitojë nga ekonomia e shkallës. Reforma në pronësinë e tokës mbetet “thembra e Akilit” për bujqësinë, pasi kryerja përfundimtare e saj do të aktivizonte në mënyrë organike shitjet dhe blerjet e tokës, do të lëvizte kapitalet jo vetëm nga brenda bujqësisë, por edhe sektorë të tjerë, do të rriste avantazhet konkurruese dhe do ta bënte bujqësinë të leverdisshme si investim. Çdo qasje tjetër ndaj problemit mund të lehtësonte bujqësinë, por nuk e ndihmon atë. Ajo do të mbetet një surprizë e rrallë dhe jo një burim i vyer i mirëqenies së përbashkët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.