“Energjia diellore, interesi mbetet i lartë, pavarësisht pandemisë”

29/05/2021 10:08 PM 0 komente

Flet Stavri Thano, Menaxher i Përgjithshëm UNI-COM sh.a

 

Interesi për investime nga familjarët apo bizneset për vetëkonsum ka mbetur i lartë, thuajse gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Por më e ulët është shfaqur mundësia e këtyre të fundit për t’i zhvilluar këto projekte, ku një pjesë e mirë kanë dashur të mbajnë kursimet e tyre për “ditë në vështira”, në një horizont të pasigurt.

Stavri Thano, Menaxher i Përgjithshëm UNI-COM sh.a., shprehet se gjithsesi alternativat e financimit me bankat nuk mungojnë, ku ka paketa të dedikuara, por “ngërçi” i mospasjes së një çmimi për tepricat që faturohen sot me zero është dekurajues.

 

Si paraqitet situata në segmentin e energjisë fotovoltaike në këndvështrimin tuaj, sa i takon interesit të biznesit dhe individëve për të instaluar impiante të vogla për vetëprodhim?

Interesi është i vazhdueshëm për këtë segment. Dhe me kalimin e kohës, besoj se kërkesa është rritur.

 

A i ka bërë pandemia bizneset dhe individët më të predispozuar për të bërë investime të kësaj natyre, me bazë kursimin apo për shkak të vështirësisë ekonomike me të cilën mund të jenë përballur i kanë lënë mënjanë plane të tilla investimi?

Pandemia në përgjithësi i ka bërë bizneset më të tërhequra në të gjitha llojet e investimeve, përfshirë edhe të kësaj natyre.

 

Ligji për burimet e rinovueshme të energjisë u miratua në vitin 2017 dhe disa aspekte ende nuk janë rregulluar me akte nënligjore, siç është pjesa e përcaktimit të çmimit me të cilin do të shiten tepricat e prodhimit tek OSHEE. Cilat janë disavantazhet apo ndikimet e vonesës në nxitjen e investimeve të kësaj natyre?

Për sa i përket ligjit është e vërtetë se u miratua që në vitin 2017, por për sa i përket shitjes së tepricave, është një gjë e rregulluar aktualisht nëpërmjet vendosjes së sahateve me dy kahe matje (netmetering), me shënimin se kjo diferencë nuk mund të jetë negative. Tepricat kthehen dhe trajtohen me të njëjtin çmim për sa kohë shuma e tepricës dhe konsumit është > 0. Nëse ti ke teprica më shumë, atëherë kjo sasi nuk llogaritet dhe i shkon OSHEE pa pagesë.

 

Po sa u takon alternativave të financimit, sa i përfshirë është sistemi financiar për t’i mbështetur investime të kësaj natyre apo preferohen që të kryhen me kursime?

Sistemi financiar ka ngritur paketa për këtë qëllim, dhe besoj se Union Bank është një nga bankat e cila e ka këtë prioritet në rastet e sistemeve fotovoltaike, si përmirësim energjetik në tërësi.

 

Kostot e instalimit dhe paneleve janë rritur apo ulur gjatë këtyre viteve?

Paneleve fotovoltaike, nga ana teknike, u është rritur kapaciteti për të njëjtën sipërfaqe, ndërsa çmimi është ulur. Në të njëjtin trend ecën dhe instalimi në këtë rast.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of