Katër aplikime të reja kanë mbërritur së fundmi pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me impiante fotovoltaikë. Tre prej tyre janë me kapacitet të instaluar deri në 2MW ndërkohë që një aplikim tjetër rezulton për një impiant me kapacitet 8 MW që nuk përfiton nga masat mbështetëse të qeverisë.
Konkretisht projekti i parë është një aplikim i shoqërisë Parisol sh.p.k . ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 2 MW, në Fshatin Grykë, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier.
E dyta është shoqëria “G.S.K” SH.P.K. për një impiant 2MW në Zonën Kadastrale 3038, Bashkia Fier, Qarku Fier.
E treta është bashkimi i “H&E ENERGY” SH.P.K dhe “ALBSOLAR” SH.P.K që kanë shprehur interesin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 2 MË, në Zonën e Bisht Kamzës, Njësia Administrative Katund i Ri, Bashkia Durrës, Qarku Durrës.
E njëjta shoqëri rezulton të ketë bërë dhe aplikimin e katërt duke shprehur interesin edhe për një impiant fotovoltaik me kapacitet 8 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Zonën e Bisht Kamzës, Njësia Administrative Katund i Ri, Bashkia Durrës, Qarku Durrës.
Aplikimet pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për impiante fotovoltaikë ka qenë në rritje nga viti në vit ndërkohë që interes ka pasur edhe për impiante eolike edhe pse kjo në një nivel më modest sesa e para.
Kriza e fundit e energjisë që ka vënë theksin tek diversifikimi duket se po nxit gjithmonë e më shumë bizneset të investojnë drejt burimeve të rinovueshme alternative përveç “hidros”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.