Sipas një raporti të fundit të rrjetit të organizatave europiane “Bankwatch Network” lidhur me detyrimin që kanë vendet e BE-së për të prodhuar apo importuar energji elektrike të rinovueshme, rezulton se Italia deri në vitin 2016 duhet të importojë nga Shqipëria gati 2/3 e energjisë së prodhuar në Shqipëri në vitin 2009, që është edhe një nga vitet më të mira në historikun e prodhimit të energjisë në Shqipëri. Kjo është shumë alarmuese duke pasur parasysh se Shqipëria është vetë e varur nga importi i energjisë, duke qenë totalisht i varur nga prodhimi i energjisë nga hidrocentralet, vlerëson studimi i këtij rrjeti, partner i qendrës mjedisore Eden.
Raporti vlerëson se, Italia do të fillojë të importojë energji nga vendet e rajonit të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor duke filluar nga viti 2016, me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare si Komisioni Europian dhe BERZH. Shumica e kësaj energjie do të vijë nga burime të rinovueshme të energjisë dhe hidrocentrale të mëdha.
Ndërkohë media të pavarura dhe organizata të shoqërisë civile në rajon vënë theksin tek dëmet mjedisore dhe vështirësitë që do të hasin vendet e këtyre rajoneve në plotësimin e nevojave me energji të rinovueshme dhe respektimin e kritereve për emetimet e CO2. Italia nuk është i vetmi vend që është i përfshirë në importin e energjisë nga Europa Juglindore. Pothuajse të gjithë vendet e Evropës Juglindore kanë deklaruar synimet e tyre për t’u shndërruar në eksportues të energjisë. Në këtë raport saktësohet se, “në Shqipëri po kryhen shumë investime për prodhim të energjisë së rinovueshme, siç janë mullinjtë e erës apo hidrocentralet, por vetë Shqipëria nuk do të përfitojë nga këto investime që do të sjellin për të mesa duket vetëm dëme në mjedis”.
Bashkëpunimi në sektorin e energjisë është një nga prioritetet më të rëndësishme të Bashkimit Europian në lidhje me marrëdhëniet me shtetet fqinje. Promovimi i eficiencës së energjisë, kursimit të energjisë dhe përdorimi i burimeve të rinovueshme, së bashku me “sigurinë e energjisë”, duhet të jenë fushat kryesore të bashkëpunimit. Megjithatë “ siguria e energjisë” ka një rol shumë herë më të favorizuar dhe gjithashtu përfiton në shumicën e rasteve një sasi të madhe të mbështetjes financiare. Ashtu si tregon dhe ky studim, “kjo mund të ketë disa efekte negative mjedisore dhe sociale. Në raport thuhet se Italia është e detyruar nga Bashkimi Europian që të importojë deri në 20 % energji të rinovueshme, ndaj ajo po përpiqet të importojë nga vendet e Ballkanit. Në Shqipëri janë me qindra projekte për investime në hidrocentrale, një pjesë e disave edhe mbi përrenj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.