Enti Rregullator i Energjisë (ERE) raportoi se viti i shkuar ishte ndër më problematikët në aspektin hidrologjik çka kufizoi ndjeshëm prodhimin e energjisë elektrike. Situata ishte dukshëm nën mesataren e viteve 2009-2020 duke bërë që importet të ishin ndër më të lartat në 10 vitet e fundit. Gjatë vitit 2020 janë prodhuar 5,313 GWh.
“Sasia e prodhuar rezulton të jetë nën mesataren e prodhimit të energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2020, e cila është në vlerat 5,882 GWh. Prodhimi i realizuar për Vitin 2020 rezulton rreth 10 % më i ulët se mesatarja e prodhimit për periudhën 2009 – 2020. Kjo për faktin se, prurjet e ujit në basenet e impianteve kryesor të prodhimit të energjisë elektrike kanë qënë në tërësinë e tyre nën mesataren shumë vjeçare. Është vërejtur se gjithashtu se prurjet mesatare të ujit në basenin kryesor të administruar nga ana e KESH sh.a., në basenin e Hidrocentralit të Fierzës janë përgjithësisht nën mesataren historike” thuhet në raportin e ERE.
Rregullatori raportoi se përgjatë Vitit 2020, prodhimi total i energjisë elektrike për këtë vit ka rezultuar në sasinë 5,313 GWh, ose rreth 569 GWh më pak se prodhimi mesatar i energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2020.
“Ky vit, jo i mirë hidrologjik, shkaktoi realizimin e një importi të konsiderueshëm të energjisë elektrike për mbulimin e kërkesës dhe furnizimin e pa ndërprerë të klientëve në vend. Balanca neto e shkëmbimit të energjisë elektrike për Vitin 2020 ishte import neto në sasinë prej 2,275 GWh, e cila është rreth 31% të vlerës totale të konsumit, duke rezultuar si një ndër vitet me import të madh të energjisë elektrike gjatë dhjetëvjeçarit të fundit” nënvizoi Enti.
Raporti vjetor i 2020 sjell në vëmendje se pesha e prodhuesve privatë ka ardhur në rritje nga viti në vit dhe ndikimi i tyre porzitiv pritet që të shihet në bashkërendim me politikën e liberalzimit të tregut që është ndërmarrë dhe që aktualisht ka prekur fashën e konsumatorëve të lidhur në tension 35KV.
“Përgjatë Vitit 2020 kanë hyrë në prodhim gjithsej 20 centrale prodhuese të energjisë elektrike, me një fuqi të instaluar prej 227.8 MW, të cilët kanë prodhuar gjatë Vitit 2020 sasinë prej 182,816 MËh. Prodhimi i energjisë elektrike i realizuar nga impiantet që kanë hyrë në prodhim gjatë Vitit 2020 zë rreth 3.44 % të prodhimit total vendas të energjisë elektrike, që është një vlerë e cila ka arritur të mbulojë dhe tejkalojë ecurinë e parashikuar të rritjes së kërkesës së energjisë elektrike në vitet në
vijim. Kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e transmetimit gjatë Vitit 2020 është rreth 2,200 MW dhe prodhimi neto i tyre ka rezultuar të jetë 4,712,074 MWh. Kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e shpërndarjes përgjatë Vitit 2020 është rreth 306 MW dhe prodhimi neto i tyre ka rezultuar të jetë 601,090 MWh.
Për vitin 2020, numri total i centraleve prodhuese private të cilat kanë prodhuar energji elektrike është 216, ku 8 prej tyre janë prodhues privat të pavarur të cilët zotërohen nga 3 subjekte të liçensuara, kurse pjesa tjetër prej 208 centrale janë prodhues me përparësi të energjisë elektrike, të cilët zotërohen nga 155 subjekte në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike” thuhet në raport.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.