Nxitja e burimeve të rinovueshme të energjisë miratuar me një ligj specifik në vitin 2017 ka ende disa hallka që mbetet për tu plotësuar.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka publikuar së fundmi metodologjinë me të cilën do të llogaritet detyrimi që do të paguhet për këtë energji nga konsumatorët fundore për përdorim vetjak.
Referuar dokumentit Enti bën me dije se Operatori i Energjisë së Rinovueshme (OER) do të jetë përgjegjë për faturimin e detyrimit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë(BRE) për të gjithë furnizuesit e energjisë elektrike, të cilët furnizojnë klientët fundorë. Ky operator gjithashtu do të jetë përgjegjës për mbledhjen e detyrimit nga të gjithë furnizuesit e energjisë elektrike dhe pagimin e kësaj shumë tek prodhuesit me përparësi të energjisë.
“OER do të ketë përgjegjësinë të mbledhë të dhëna nga të gjithë prodhuesit me përparësi të energjisë në lidhje me vëllimin e tyre vjetor të parashikuar të energjisë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme. Pas mbledhjes së të dhënave, OER do të përmbledhë të dhënat e paraqitura nga të gjithë prodhuesit me përparësi të energjisë dhe do t’i paraqesë ato në ERE për të llogaritur detyrimin e energjisë së rinovueshme që do t’u ngarkohet të gjithë klientëve fundorë.
OER do të nënshkruajë një kontratë me çdo furnizues të energjisë elektrike i cili furnizon klientët fundorë, për mbledhjen e detyrimit të energjisë së rinovueshme që u ngarkohet të gjithë klientëve fundorë të energjisë elektrike” thuhet në dokument.
Llogaritja e detyrimit të energjisë së rinovueshme
Në nenin 8 të metodologjisë ERE jep të dhënat mbi formulën dhe mënyrën si do llogaritet detyrimi për energjinë e rinovueshme. Enti do të llogarisë vlerën e detyrimit të energjisë së rinovueshme në Lek / kWh të ngarkuar për të gjithë klientët fundorë në përputhje me sasinë përkatëse të energjisë elektrike të matur dhe furnizuar nga furnizuesit te këta klientë fundorë.
“Ky detyrim do të llogaritet si produkt i sasisë totale të energjisë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme të energjisë me bonusin e dhënë për nxitjen e burimeve të rinovueshme të energjisë në lidhje me sasinë totale të energjisë elektrike të furnizuar nga furnizuesit te klientët fundorë, sipas formulës së mëposhtme: Detyrimi i BRE-ve [Lek / kWh] = (Prodhimi total i energjisë elektrike nga BRE * bonus [Lek / kwh]) / (Parashikimi i përgjithshëm i kërkesës së brendshme për energji elektrike [kWh])” thuhet në metodologji.
Sipas përcaktimeve në formulë ERE sqaron se energjia totale e prodhuar nga BRE – do të jetë sasia e energjisë së gjeneruar nga prodhuesit ekzistues me përparësi të energjisë dhe prodhuesit e vegjël të energjisë që do të hyjnë në operim në të ardhmen. Bonus – është diferenca midis çmimit të prodhuesve me përparësi të energjisë të aprovuar nga ERE në bazë vjetore dhe çmimit të referencës. Çmimi i Referencës – do të konsiderohet çmimi HUPX DAM në ngarkesën bazë, derisa Bursa Shqiptare e Energjisë (APEX) të bëhet funksionale.
Në fund të çdo viti, ERE do të nxjerrë një vendim mbi vlerën e detyrimit të energjisë së rinovueshme të shprehur në Lekë / kWh që duhet të paguhet nga secili klient fundor i energjisë elektrike gjatë vitit pasardhës.
Deri në krijimin e një tregu të organizuar të energjisë elektrike në Shqipëri, në llogaritjen e pagesave të parashikuara të “Kontratës për Diferencë” për prodhuesit e energjisë së rinovueshme që marrin mbështetje në formën e “feed-in premium”(tarife qe merr parasysh kostot ndërtim, mirëmbajtje, taksa), OER do të marrë parasysh një çmim të një tregu përkatës bazuar në një vendim të ERE.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.