Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pranon se ka është rritur interesi i investitorëve për të ndërtuar parqe eolikë për prodhimin e energjisë nga era, por deri më tani, pavarësisht dhënies së lejeve nga disa instanca, ndërtimi është në fazën zero. Të dhënat zyrtare të raportuara të Planit të Konsoliduar Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, 2019–2020 tregojnë se deri më tani janë dhënë 41 MW kapacitet i instaluar, çka lë të lirë 29 MW për ankande të reja për investitorët.
“Deri në 31 dhjetor 2018, janë dhënë në MIE 9MW (3x3MW) impiante Eolike deri në 3MW sipas skemës mbështetëse (76€/MWh) dhe 32 MW pa skemë mbështetëse. Në PKVBRE 2018–2020 janë parashikuar 70 MW kapacitete, nga të cilat mbeten pa u “konsumuar” edhe 29MW.
Me gjithë këto zhvillime të fundit, shfrytëzimi i energjisë së erës në vendin tonë nuk ka filluar ende, por ka një shprehje shumë të madhe interesi nga investitorët e huaj në vitet 2009– 2016 të cilët pjesërisht, kërkojnë të adoptohen me legjislacionin e ri”, thuhet në dokument.
I njëjti nënvizon se deri në fund të vitit 2016, nga ERE-ja, janë licencuar 15 kompani, për të prodhuar energji elektrike nga parqe me erë, me një fuqi të instaluar prej rreth 1,600 MW, të cilat shtrihen kryesisht në zonën bregdetare të vendit, duke filluar nga qarku i Lezhës në veri, e deri në rajonin e Sarandës në jug. Aktualisht, as një investim nuk ka filluar.
“Si rezultat i këtij interesi deri në vitin 2017, që kanë aplikuar për parqet Eolike 30 shoqëri, nga të cilat 7 prej tyre janë licencuar nga ERE-ja, më tej Ministria përgjegjëse për Energjinë ka dhënë 23 leje, ndërsa me autorizimin paraprak janë pajisur 16 shoqëri. Me vendim Qeverie është dhënë leja e ndërtimit për 4 shoqëri.
Nga ERE në aktivitetin e ndërtimit, instalimit, të centraleve eolike kanë një afat 3-vjeçar dhe atë të prodhimit të energjisë elektrike, për një afat 30-vjeçar. Bie në sy kapaciteti i parashikuar për instalim që është 4,029.6 MW dhe totali i premtuar i investimit rreth 5 miliardë euro licencuar” thuhet në dokument.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.