Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi së fundmi çmimin me të cilën inceneratori i Elbasanit do të shesë energjinë në rrjetin e shpërndarjes i cili është caktuar në nivelin 5.77 lekë/kWh.
Caktimi i këtij çmimi vjen pas një kohe të gjatë nga kërkesa fillestare bërë në atë kohë nga Albtek Energy por që nuk mundi të marrë miratimin për shkak se kërkohej plotësimi i disa kushteve.
Enti në vendim sqaron se me paraqitjen e kostove faktike të ndërtimit dhe operimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit nga shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. nëpërmjet shkresës së datës 10.05.2022, protokolluar në ERE me nr. 165/6 prot., datë 12.05.2022 dhe në vijim të konsultimeve me Autoritetin Kontraktor (MIE), ka përmbushur kushtet e nevojshme për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Elbasan bazuar në kostot e operimit të impiantit.
Bazuar në këto të dhëna të plotësuara Enti saktëson se vendim se vendosi “miratimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike prej 5.77 lekë/kWh, për energjinë elektrike të prodhuar nga impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit me kapacitet të instaluar 2850 KË, përgjatë gjithë periudhës së marrëveshjes së koncesioni”.
Metoda përllogaritëse e përdorur për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Elbasan sipas ERE bazohet në kostot e operimit ashtu si orientuar edhe nga MIE, duke përllogaritur kostot e operimit për sa i takon aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe duke njohur një përqindje fitimi mbi kostot e operimit për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike të shoqërisë, metodë kjo gjerësisht e njohur dhe përdorur nga rregullatorët në përcaktimin e çmimeve apo tarifave (metoda kosto plus).
Inceneratori i Elbasanit që u vu nën sekuestro pas hetimeve të nisura vitin e shkuar tashmë ka kaluar në pronësi të bashkive të qarkut të Elbasanit. Enti Rregullator i Energjisë licencoi në maj kompaninë ECO-Elb në veprimtarinë e prodhimit të energjisë nga djegia e mbetjeve urbane.
Bashkitë që janë aksionere në Eco-Elb janë ajo e Cërrikut, Përrenjasit, Gramshit, Elbasanit, Belshit apo Librazhdit.
Shoqëria Eco-Elb i ka bërë me dije Entit se nga data 17.12.2021 deri në datën 28.03.2022, midis Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), bashkive të qarkut dhe shoqërisë “ECO – ELB” sh.a., janë zhvilluar takime dhe negocime të vazhdueshme për të bërë të mundur marrjen në përdorim të impiantit të prodhimit të energjisë elektrike.
Po ashtu vijon duke informuar se në datën 28.03.2022, u arrit nënshkrimi i kontratës së qirasë me nr. 548 (dërguar edhe në ERE), midis Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe shoqërisë “ECO – ELB” sh.a., dhe nga kjo datë ky impiant administrohet nga shoqëria me kapital publik “ECO – ELB” sh.a./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.