Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar nga Enti Rregullator i Energjisë që proceset që kryhen në në tregun balancues, të skedulimeve, disbalancave dhe nominimit të kalojnë në bazë orare dhe jo 15 minuta sikurse është në rregullore.
Sipas OST edhe pse platforma e sistemit të menaxhimit është funksionale dhe i ka parametrat për të përballuar këtë kërkesë praktika e vendeve të rajonit është e ndryshme. Në një letër drejtuar Entit OST ka kërkuar që të rishikohet rregullorja përkatëse duke dhënë edhe argumentet e kësaj kërkese.
Sikurse jeni venë në dijeni nga raportet periodike, OST sh.a ka implementuar në platformën e Menaxhimit të Tregut intervalin 15 minuta në proceset e skedulimeve dhe tregut balancues, ku janë kryer dhe testime në mjedisin test të platformës.
Përsa më sipër pavarësisht implementimit në platformën e menaxhimit të tregut të intervalit kohor konform rregullave ne fuqi, vlerësojmë se në kushtet ku menaxhimi i flukseve të energjisë si transaksionet me gjithë sistemet elektroenergjetike fqinje, rakordimet me qendrën koordinative Swissgrid si dhe alokimet e kapaciteteve nga zyra e Koordinimit td Ankandeve në Europën Juglindore janë me bazë orare, OST nuk mund të operojë me rezolucion 15 minuta pasi do përballemi në kushtet e krijimit të disbalancave si rrjedhojë e mos rakordimeve të sipërcituara.
Gjithashtu kooperimi i platformës së menaxhimit të tregut me platformën e Bursës Shqiptare të Energjisë është me rezolucion orar, sikurse citohet dhe në Rregullat e Tregut te Energjisë Elektrike (rregullat e ALPEX përkufizimet, procedura e tregtimit si dhe procedura e klerimit dhe shlyerjes) të miratuara me Vendimin Nr. 347, Dat6 27.12.2022, Bursa Shqiptare e Energjisë do fillojë operimin me bazë orare.
Tashmë jemi njohur dhe me praktika nga vendet e rajonit dhe më gjerë që kanë tentuar të aplikojnë implementimin me rezolucion 15 minuta në proceset e skedulimeve, disbalancave dhe tregut balancues, të cilat nuk kanë rezultuar të suksesshme.
Për gjithë sa më sipër, OST vlerëson vijimin e operimit me bazë orare të llogaritjeve respektive të disbalancave, proceseve të tregut balancues dhe procesit të nominimit. Për ketë qëllim janë bërë dhe reflektimet përkatëse në draft propozimet e përmirësimeve të Rregullave të Tregut Shqiptar të Balancimit” thuhet në dokument.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.