Rritjet e herëpashershme gjatë viteve të fundit e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet me tarifat më të shtrenjta të energjisë për biznesin, jo vetëm në rajon, por edhe krahasuar me vende të zhvilluara. Të dhënat janë bërë publikenga Enti Rregullator i Energjisë.
Në të gjitha ekonomitë e tjera të ngjashme, bizneset paguajnë shumë më pak për energjinë sesa në Shqipëri. Sipa ERE-s, në Bosnje-Hercegovinë, Hungari, Turqi, Serbi dhe Kroaci, çmimi i energjisë për bizneset varion nga 8 deri në 10 lekë për kilovat/orë, ose ndryshe deri në 50 për qind më lirë sesa në Shqipëri.
Këto janë çmimet pa përfshirë taksat. Nëse llogariten edhe detyrimet tatimore, që ngarkohen mbi energjinë, atëherë diferencat bëhen edhe më të mëdha. Shqipëria e takson energjinë me 20 për qind Tatim mbi Vlerën e Shtuar, çka e çon çmimin mesatar të energjisë për bizneset vendase rreth 16 lekë për kilovat. Ndërkohë që shumë vende të tjera kanë një regjim më të lehtësuar taksimi mbi çmimin e energjisë.
Veç çmimeve të larta të energjisë elektrike, bizneset në Shqipëri paguajnë më shtrenjtë edhe për karburantin, krahasuar me vendet e tjera fqinje. Kjo krijon një disavantazh jo të vogël, veçanërisht për bizneset shqiptare që punojnë për eksport, pasi energjia është një nga zërat kryesore në kostot e produkteve.
Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.