Energjia, rritet konsumi i familjarëve të mbyllur në shtëpi, por bie ai i bizneseve me 24% në mars (sinjal i tkurrjes së prodhimit)

22/05/2020 1:18 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Konsumi total i energjisë për tre muajt e parë të vitit shënoi një rënie prej 1.5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, i ndikuar nga tkurrja e aktiviteteve të bizneseve.

Sipas të dhënave të INSTAT, rënia u udhëhoq tërësisht nga tkurrja e konsumit të bizneseve, që ra me 7% për tremujorin, teksa shumë ndërmarrje prodhuese reduktuan apo mbyllën aktivitetin në gjysmën e dytë të marsit, si rrjedhojë e COVID-19.

Rënia e konsumit të energjisë nga bizneset është një tregues indirekt i efektit që ka pasur kriza në ecurinë e kompanive prodhuese dhe atyre eksportuese. Efektin për tremujorin e ka dhënë muaji mars. Sipas të dhënave të tjera të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), vetëm në mars, konsumi i bizneseve shënoi një tkurrje prej 24%.

Në të kundërt, konsumi i familjarëve që u detyruan të mbyllen në shtëpi u rrit me 3.3% për tremujorin e parë 2020, në raport me janar-mars 2019.

Familjet konsumuan 55% të totalit të energjisë në tremujorin e parë 2020, kundrejt rreth 53% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2020, u ul me 1,5 % duke arritur vlerën 1.544 GWh nga 1.567 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2019.

Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuuan me -3,2 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +1,8 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of