Tregtimi i energjisë elektrike po tërheq gjithnjë e më shumë sipërmarrje. Ndonëse është një biznes i paqëndrueshëm, në varësi të nevojave të operatorëve shtetërorë për të blerë energji nga importi, modeli i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime, po nxit hyrje të reja.
Ndërsa pjesa e parë e vitit 2021 ishte e mbarë për prodhimin e energjisë elektrike, gjysma e dytë e vitit e futi sistemin në krizë, për shkak të mungesës së prodhimit vendas nga thatësira dhe shtrenjtimit të energjisë në bursa.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 10,9%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 8.963 GWh nga 5.313 GWh energji të prodhuar në vitin 2020, duke shënuar rritje të prodhimit me 68,7%.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 2.253 GWh nga 3.239 GWh një vit më parë, duke shënuar një rënie me 30,4%. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 2.800 GWh nga 963 GWh, duke shënuar rritje me 2.9 herë.
Ndonëse për gjithë vitin, prodhimi vendas rezultoi me rritje, situata e krijuar në pjesën e dytë të vitit ka nxitur aktivitetin e tregtuesve të energjisë elektrike.
“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, që hyri në 2020-n për herë të parë në listën e “Monitor 200”, në vitin 2021 ishte operatori më i madh i tregtimit të energjisë, pas tetëfishimit të aktivitetit, në 17.5 miliardë lekë.
Sipas raportit të aktivitetit të “Ener Trade”, të ardhurat bruto të shoqërisë u rritën ndjeshëm në krahasim me vitin 2020, si pasojë e ndryshimit të strategjisë së tregtimit. Gjatë vitit 2021 janë tregtuar 1,071,088 Mwh energji elektrike.
“Ndryshimet e shpejta në tregjet e energjisë kërkojnë fleksibilitet në synimet dhe mundësitë e ndjekura, prandaj ‘Ener Trade’ monitoron, në mënyrë të vazhdueshme, tregun për të identifikuar oportunitetet dhe rreziqet”.
“GSA” ka kaluar në operatorin e dytë më të madh të tregtimit të energjisë. Vetëm nga shitja e energjisë, operatori ka gjeneruar 13.7 miliardë lekë të ardhura, me dyfishim në raport me vitin e mëparshëm.
“GEN-I Tirana” ka katërfishuar të ardhurat në 12.3 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, 45% e të ardhurave në vitin 2021 erdhi nga shitja e energjisë jashtë vendit dhe pjesa tjetër, nga energjia brenda vendit.
“Ayen Energy Trading” raportoi 4.4 miliardë lekë të ardhura, me rritje 171%.
“Tirana International Development-TID”, një shoqëri që më herët ishte e specializuar në ndërtime, ka hyrë në listën e “Monitor 200”, pas gjashtëfishimit të aktivitetit, në 3 miliardë lekë. Sipas burimeve nga kompania, rritja ka ardhur për shkak të aktivitetit të shoqërisë në tregtimin e energjisë.
“Danske Commodities Albania”, që në 2020-n doli nga lista, në vitin 2021 hyri sërish, pasi pesëfishoi të ardhurat në 4 miliardë lekë.
“Albanian Energy Supplier”, pjesë e grupit BALFIN, më se e trefishoi aktivitetin, në 4.8 miliardë lekë.
Viti 2022 ka sjellë më shumë punë për treguesit e energjisë, teksa vendi po kalon një krizë edhe më të thellë se në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Vetëm në tremujorin e parë 2022, importet zunë 30% të energjisë në dispozicion, nga 4% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa çmimet kanë kapur majat, duke tejkaluar në Bursën e Hungarisë edhe 700 euro/mwh, më shumë se dyfishim në raport me një vit më parë.
Prodhuesit privatë të energjisë, me rritje
Investimet e mëdha në ndërtimin e hidrocentraleve private kanë rritur ndjeshëm peshën e prodhimit të energjisë nga kompanitë jopublike.
Në vitin 2021, prodhimi vendas u realizua nga hidrocentralet publike në masën 59,6%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 39,9% dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaikë) në masën 0,5% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike, sipas INSTAT.
“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend, nëpërmjet dy hidrocentraleve. Në vitin 2021, të ardhurat e tij u katërfishuan në 8.1 miliardë lekë.
HEC-i i Banjës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në vitin 2016, ndërsa HEC-i i Moglicës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020. Viti 2021 ishte i pari i plotë me operime nga të dy HEC-et, Banja dhe Moglicë.
Sipas burimeve zyrtare nga “Statkraft”, dy hidrocentralet, Banja dhe Moglica kanë kapacitet të instaluar 256 MW. Vënia në punë e dy HEC-eve do të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme në vend me 13%. Kostoja totale e investimit nga “Statkraft” ka arritur në 590 milionë euro. Tregu i synuar është eksporti dhe furnizimi me energji i prodhimit vendas.
Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2021, të ardhurat bruto të DHP u ulën rritën me 83%, për shkak të prodhimit gjatë gjithë vitit të HEC-eve Banja dhe Moglicë dhe luhatjes së çmimit të energjisë. Prodhimi total ishte 682 992 MWh.
“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 4.4 miliardë lekë, me dyfishim në raport me vitin e mëparshëm. Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut.
“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të 2017-s HEC-in e Fangut, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës, së sapondërtuar.
Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit, me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë.
“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me rritje 60%.
Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat orë prodhohen në vit.
Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2021, prodhimi total ishte 295,261 MWh.
OST, si po krijohet tregu i energjisë
Operatori shtetëror OST sh.a., menaxhon sistemin elektroenergjetik në kohë reale, duke ruajtur një balancë midis kërkesës për konsum dhe prodhimit të energjisë elektrike, në mënyrë që të sigurojë furnizim të besueshëm me energji elektrike, nëpërmjet praktikave bashkëkohore të operimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.
Të ardhurat e kompanisë ishin 8.9 miliardë lekë në vitin 2021, me rritje vjetore 27%.
Sipas raportit vjetor të OST-së, në vitin 2021 u mbyll projekti i krijimit të Tregut Balancues, i cili ka nisur që në vitin 2017, nëpërmjet të cilit u hartuan dhe u finalizua drafti i rregullave të mekanizmit balancues. Me mbylljen e 7 muajve të fazës DRY RUN, në datën 1 prill 2021, OST ka kaluar në Live me Tregun Balancues.
Gjatë këtyre 9 muajve të operimit LIVE të Tregut Balancues, vijon puna në përmirësim të mëtejshëm të proceseve, rregullave, si dhe sistemeve të përfshira.
Krijimi i tregut është pika fillestare për liberalizimin e tregut të energjisë, pasi kjo do të lejojë integrimin me tregjet e vendeve rajonale nëpërmjet balancimit ndërkufitar dhe duke u bërë pjesë e platformës Paneuropiane të Balancimit.
Tregu përfshin të gjitha veprimet, produktet dhe shërbimet e përdorura nga OST për të garantuar përputhjen e vazhdueshme të Furnizimit dhe Kërkesës, menaxhimin e konxhestioneve, menaxhimin e frekuencës dhe veprimet e tjera të kërkuara që sigurojnë integritetin e funksionimit të sistemit energjetik.
Energjia elektrike, si një mall, ka një vlerë të lidhur me kohën “kur” dorëzohet dhe “ku”. I vetmi “çmim” i vërtetë i energjisë elektrike është në kohë reale, kur produkti dorëzohet fizikisht, dhe në mënyrë ideale duhet të pasqyrojë vlerën e vërtetë të nevojave të sistemit.
Ndaj, sipas OST-së, është e domosdoshme që Balancimi të operojë si një treg dhe që OST të përdorë parimet e tregut të hapur, transparent dhe jo diskriminues në vendimet e tij se si të zgjedhë, prokurojë dhe kryejë shërbimet e ndryshme që i nevojiten për të mbajtur sistemin e energjisë brenda kufijve të tij ligjorë të funksionimit. Këto mekanizma do të bëjnë të mundur transparencën mbi tregun, me kosto sa më të ulëta të transaksioneve, rritjen e mbikëqyrjes së tregut në tërësi.
Tregu i ri Balancues Shqiptar synon kalimin përfundimtar nga një mekanizëm i rregulluar me entitete publike, në një liberalizim të tregut të energjisë balancuese, ku çdo palë ofruese e shërbimeve të balancimit mund të marrë pjesë dhe të bëhet konkurruese me produktet e saj për shërbimet e balancimit.
Kështu prodhuesit e energjisë elektrike do të kenë mundësi të diversifikojnë portofolin e tyre, duke hyrë në tregun e energjisë në përputhje me aftësitë teknike të njësive gjeneruese, për menaxhimin e burimeve të reja të rinovueshme RES.
Me rritjen e numrit të RES-eve të lidhura në rrjetin elektroenergjetik të transmetimit apo të shpërndarjes, bëhet gjithnjë e më thelbësore që edhe RES-të të jenë ofruese të shërbimeve të balancimit të sistemit.
Një nga sfidat kryesore është integrimi i RES-eve në tregun balancues; kjo në linjë edhe me Paketën e Energjisë së Pastër (CEP) për Vision 2030, ku ENTSO-E synon hapjen e tregjeve për sa më shumë aktorë të këtij sektori.
LEXONI EDHE:
200 VIP-at e vitit 2021. Rreziqet pas rimëkëmbjes së shpejtë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.