Energy Expo & Forum 2019, çfarë të rejash solli Expocity në këtë edicion të tretë
I kthyer tashmë në traditë, Expocity Albania ka organizuar për herë të tretë “Energy Expo & Forum”, i cili hapi dyert për të gjithë vizitorët më datë 4 dhe 5 tetor.
Aida Lutaj, Administratore e Expocity Albania gjatë ceremonies së hapjes u shpreh se në vijim të dy edicioneve të mëparshme, ky edicion ka në fokus diversifikimin e energjisë (sipas planeve kombëtare), efiçencën e energjisë, hidrokarburet si dhe zgjidhjet e financimit të projekteve në këtë sektor.
Gjatë ceremonisë së hapjes morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm, si: Eduart Shalsi, Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Ilir Bejtja, Zv. Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përfaqësues të Albagaz dhe Bankers Petroleum. Gjatë ditës së dytë të eventit, mbajti një fjalim përshëndetës dhe Znj. Belinda Balluku, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila përshëndeti iniciativën dhe vizitoi të gjitha bizneset pjesëmarrëse.
Edicioni i tretë ka në fokus risitë, sfidat, legjislacionin për të gjithë komponentët e kësaj fushe, eficencën në përdorimin e energjisë, planifikimin miqësor ndaj mjedisit, zhvillimet klimatike, tregun dhe aktorët e tij, ruajtjen e energjisë, trajtimin e hidrokarbureve, investimet në naftë dhe në gaz, riciklimin, bursa e energjisë, dhe diversifikimin e burimeve për prodhimin e energjisë.
Krahas panairit, organizatorët zhvilluan edhe forume të ndryshme për zhvillimin e sektorit. Një nga forumet që u organizua gjatë ditës së parë ishte paneli për burimet e rinovueshme, ku u diskutua në lidhje me strategjinë e diversifikimit të burimeve të rinovueshme, net metering, kuadrin ligjor për fotovoltaikët, ndryshimet në legjislacion për to, si dhe mundësitë e financimit të këtij sektori.
Po gjatë ditës së parë, u zhvillua edhe paneli i sektorit të naftës dhe të gazit, ku u prezantuan zhvillimet më të fundit në sektorin e gazit, në tregtimin dhe përpunimin e naftës dhe nënprodukteve.
Ndërsa gjatë ditës së dytë, Expocity Albania organizoi workshop në lidhje me integrimin e teknologjive diellore në tregun shqiptar.
Në këtë edicion të tretë, “Energy Expo & Forum”, synon të sigurojë takime dhe diskutime midis të gjithë aktorëve të energjisë dhe zhvillimit lokal, tryeza të rrumbullakëta bashkëbisedimi, workshop informues nga shoqëri lider në treg.
Duhet shtuar se ky edicion i tretë erdhi me mbështetjen e disa partnerëve dhe institucioneve me rëndësi si: Bankers Petrolum, Solares, Sega Solar, Euroelektra, Jaha Solar/ Alb Solar Energy, OST – Operatori i Sistemit te Transmetimit si edhe Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.